Shefi i AKP-së: "Trepça" është vetëm e Kosovës, Beogradi s’ka prona këtu


06/10/2016

Gashi ka thënë se çështja e “Trepçës” është më shumë “politike” dhe një “çështje shumë komplekse që duhet shikuar jo vetëm nga ky prizëm, por edhe nga aspekti ekonomik dhe ai i sigurisë”.

Ai tha se nëse deri më 1 nëntor nuk gjendet zgjidhja për “Trepçën”, Kombinati shkon në proces të likuidimit.

“Nëse eventualisht ky afat, që kërkon ndryshime në legjislacionin përkatës, shtyhet për një kohë tjetër, do të mundësonte përgatitjen e një plani drejt zgjidhjes përfundimtare”, tha Gashi.

Kryetari i Bordit të AKP-së, Petrit Gashi, tha se “Trepça ka edhe 11 asete në territorin e Serbisë dhe 6 të tjera në Bosnjë dhe Kroaci”.

Radio Evropa e Lirë: Statusi i kombinatit metalurgjik “Trepça” ka kohë që është temë debati në Kosovë. Sipas jush, cila është zgjidhja më e mirë për gjigantin që gjendet në Mitrovicë?

Petrit Gashi: Çështja e “Trepçës” është një ndër temat më të rëndësishme në kuadër të ekonomisë, që është diskutuar në vitet e fundit. Por, gjatë vitit 2016 është trajtuar më seriozitetin më të madh, për mënyrën se si t’i gjendet zgjidhja përfundimtare gjigantit çfarë është “Trepça”. Gjatë këtij viti është diskutuar me të gjitha instancat apo aktorët që janë përfshirë me Trepçën, përfshirë këtu Qeverinë, Kuvendin dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Ne si administratorë të Trepçës, është menduar, është shqyrtuar, është analizuar në mënyra të ndryshme se si ta trajtojmë “Trepçën”. Janë marrë raste të ndryshme studimore prej vendeve të ndryshme se si i kanë trajtuar gjigantet e tilla.

Ne si AKP, kemi inicuar një studim të fizibilitetit tashme kohëve të fundit, i cili është në proces dhe i cili do të jap disa përgjigje se si duhet transformuarpërfundimi i Trepçës.

Të them të drejtën zgjidhja për Trepçën nuk është e lehtë, ne po e shohim edhe projekt-ligjin që dje është proceduar në Kuvend. Edhe ai ligj në një formë krijon hapësira, është tejet fleksibil për zgjidhje përfundimtare të Trepçës, për arsye se thjesht nuk është e lehtë që të gjendet një zgjidhje e lehtë përfundimtare, e cila do t’i marrë për bazë të gjitha interesat e të gjithëve dhe dimensionet e Trepçës.

Duhet ta kuptojmë kompleksitetin e Trepçës në përgjithësi, ta shohim jo vetëm prej prizmit ekonomik, por edhe prizmit politik, të sigurisë dhe të tjera. Kështu që në tërësi është një hap shumë kompleks dhe duhet të jetë shumë mirë i menduar, para se të gjendet një zgjidhje përfundimtare.

Radio Evropa e Lirë: Sa herë që është diskutuar “Trepça” kanë ndërhyrë autoritetet në Beograd, duke thënë se pronari i vetëm i Kombinatit është Serbia dhe problemi i Trepçës ’pa të nuk mund të zgjidhet’. A ka hise Serbia në këtë kombinat?

Petrit Gashi: Serbia nuk ka hise në asnjë pronë në Kosovë. Në bazë të legjislacionit mbi të cilin funksion AKP- ja të gjitha pronat janë prona të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe Trepçën. Në atë mënyrë ne e kemi trajtuar këtë kombinat dhe kemi bashkëpunuar, pa marrë parasysh se a flasim për operacionet e Trepçës në veri apo në jug. Besoj se është më shumë aspekti politik, pasi jam i bindur se ata janë të vetëdijshëm se Trepça nuk i takon Beogradit, por është pronë e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Gashi, çka ndodh nëse në seancën e së premtes të Kuvendit të Kosovës, nuk miratohet projekt-ligji për Trepçën?

Petrit Gashi: Nëse nuk miratohet Ligji për Trepçën? Nuk dua ta mendoj si alternativë. Kemi afate kohore si agjenci. Si administrator të ‘Trepçës’ kemi një afat, që është si një lloji ‘tmerri’ edhe vetëm ta përmendim 1 nëntorin.

Por, çfarë do të ndodh më Trepçën me këtë datë, sipas moratoriumit mbi të cilin e përkufizon Trepçën. Më 1 nëntor Trepça do të shkojë në likuidim. Nëse eventualisht ky afat, që kërkon ndryshime në legjislacion përkatës, shtyhet për një kohë tjetër do të na bënte neve të mundur si AKP-në bashkë me aktorë tjerë që janë të involvuar në Trepçë, që të përgatisim një plan drejt zgjidhjes përfundimtare të strukturës pronësore të “Trepçës“ ose të transformimit përfundimtar të “Trepçës”.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart