Havolli: S’ka Jugosllavi të re, marrëveshja e Triestes e favorshme për Kosovën


13/07/2017

Ai thotë se ideja e Serbisë për union doganor dhe treg të përbashkët e mbështetur nga Shqipëria, që në mediat e huaja portretohej si krijimi i një “Jugosllavie të re” tashmë  ka vdekur. 

Havolli thotë se doganat do të funksionojnë njësoj, por, sipas tij, do të eliminohen disa pengesa tjera që i konvenojnë Kosovës.

Gazeta Express: Dje në Trieste Kosova e pranoi planin e BE’së për krijimin e hapësirës ekonomike rajonale në Ballkanin Perëndimor. Ku qëndron dallimi ndërmjet këtij plani dhe asaj që ishte prezantuar në Sarajevë në mars të këtij viti që u refuzua nga Kosova dhe Mali i Zi? Pra, flitej për një treg të përbashkët ose për një union doganor?

Sokol Havolli: Tashmë nuk flitet as për një treg të përbashkët as për një union doganor, por flitet për një hapësirë rajonale ekonomike që nënkupton se në disa politika siç janë politikat tregtare, politikat që kanë të bëjnë me tregti me mallra  dhe në shërbime rolin kryesor do ta ketë CEFTA, ashtu siç ka qenë deri tash. Sa i përket lëvizjes së lirë janë disa praktika që i konvenojnë Kosovës dhe si të tilla natyrisht që kanë qenë të pranueshme sepse dihet se ne kemi probleme serioze sa i përket certifikatave, të njohjes të kualifikimeve profesionale, edhe me Bosnjë Hercegovinën sa i përket edhe lëvizjes pa viza.

Sa i përket agjendës  digjitale edhe ajo ka qenë një pikë që po ashtu i konvenon Kosovës edhe pjesa e tërheqjes së përbashkët të investimeve, natyrisht eliminon disa pengesa që kanë ndodhur edhe në të kaluarën nga vendet fqinje dhe drejt Kosovës.

Dallimi ndërmjet asaj se çka ka qenë në Sarajevë dhe kësaj që tashmë është në tavolinë, është dallim shumë i madh në përmbajtje të saj, sepse tanimë nuk ka kurrfarë ndryshimi sa i përket rolit të doganave në aspektin e Kosovës sepse doganat do ta luajnë rolin qysh e kanë pas çdo ditë deri sot. Edhe politikat fiskale dhe çdo politikë tjetër në fakt mbetet në sovranitetin e institucioneve të Kosovës, sepse problemet me të cilat ballafaqohet ekonomia e Kosovës janë të ndryshme me ato që ballafaqohet p.sh ekonomia e Shqipërisë apo e Serbisë.

Mirëpo ideja e Serbisë për unionin doganor, e cila është përkrahur edhe prej Shqipërisë, natyrisht se është një ide e vdekur tashmë dhe nuk vjen në shprehje. Dallimi substancial, pra, është kjo.

GazetaExpress: Edhe dje në mediat gjermane u shkrua se plani përbën një tendencë për rikthimin e një Jugosllavie të re ku do të dominonte Serbia?

Sokol Havolli: Egoja e disa shteteve për ta dominuar rajonin, qoftë edhe përmes rrezikimit të qëndrueshmërisë ekonomike të vendeve siç është Kosova, pra vende më të vogla, që të shtrijnë ndikimin e tyre në rajon dhe të cilin ne e kemi refuzuar dhe kemi pasur sukses sepse kanë qenë argumentet tona fuqishëm mjaftueshëm saqë i kanë bindur institucionet e BE’së se një union i tillë nuk do të ishte i dobishëm për rajonin.

GazetaExpress: A humb apo përfiton Kosova ekonomikisht nga kjo marrëveshje?

Sokol Havolli: Tash nga kjo marrëveshje ne konsiderojmë se do të jemi përfituesit kryesor për disa arsye: Duke e pasur parasysh marrëveshjen për tregti të lirë të CEFTA-s, problemet kryesore që i kemi pasur deri tash kanë qenë problemet tona ku vendet fqinje kanë vendosur edhe barriera jotarfiore të cilat kanë qenë pengesë për vendin.

Kështu që përveç se këto barriera jotarifore kanë do të eliminohen, Kosova ka pasur probleme me lëvizjen e lirë, me promovimin, dhe  për shkak edhe të kërkimit të  brendeve të fqinjëve ndaj investitorëve të jashtëm.

Kjo i eliminon këto kërcënime ndaj investitorëve dhe po ashtu eliminon problemin e lëvizjes së lirë, njohjes së certifikatave, njohjes se profesionistëve dhe lëvizim me agjendën digjitale përpara në të cilën ne shohim se kemi përparësi  duke pasur parasysh se firmat tona të fushës digjitale kanë një përparësi kundrejt firmave të rajonit.

Kështu që tash ne besojmë se kjo ka me u vendos si një bazë e trajtimit të barabartë të vendeve të rajonit dhe në momentin që kemi një trajtim të barabartë atëherë konsiderojmë se do të ecim përpara dhe do të kemi potencial për zhvillimin ekonomik./GazetaExpress/

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart