Haki Abazi ishte në seancën ku po flitet për abuzime me rreth 1 milion euro - Gazeta Express
string(78) "haki-abazi-ishte-ne-seancen-ku-po-flitet-per-abuzime-me-rreth-1-milion-euro-ge"

Haki Abazi ishte në seancën ku po flitet për abuzime me rreth 1 milion euro

Gazeta Express

03/07/2020 19:09

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë, ku Astrit Istrefi, Burim Ejupi dhe Visar Azemi (tani e tutje Paditësi), kanë ushtruar padi kundër Dajana Berishës dhe Jeta Xharras (tani e tutje i Padituri). E në seancën gjyqësorë ka qenë prezent edhe ish-zëvendëskryeminsitri i Kosovës, Haki Abazi.

Gazeta Express ka raportuar edhe sot gjatë ditës lidhur me këtë zhvillim.

Lexo Edhe:

Krahas padisë, Paditësi po kërkon caktimin e masës së sigurisë, ashtu që të Paditurit t’i ndalohet kryerja e aktiviteteve si: emërimi i zyrtarëve të rinj të Fondacionit “Shtëpia e Shoqërisë Civile”, lidhja e kontratave, tjetërsimi i pasurisë se luajtshme apo të paluajtshme, emërimi i anëtarëve të rinj të Bordit të Drejtorëve të Fondacionit, si dhe marrja e vendimit për shpërbërjen e Fondacionit.

Paditësi, përmes padisë së ushtruar në gjykatë, po kërkon që vendimet me të cilat i Padituri, në kapacitetin e tij si themelues dhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të Fondacionit “Shtëpia e Shoqërisë Civile”, kishte emëruar anëtarë të rinj të bordit, të anulohen me arsyetimin se vendimet në fjalë janë në kundërshtim me dispozitat e Statutit të Fondacionit dhe Ligjit për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare.

Kjo me pretendimin se Paditësi është themelues dhe anëtar i Bordit Drejtues të Fondacionit, raporton “Betim për Drejtësi”.

Lidhur me këtë çështje, gjatë seancës të mbajtur të premte, u dëgjuan pretendimet e përfaqësuesve të palëve propozuesve dhe kundërshtuese të sigurimit.

Ndërkaq, prezent në sallë të gjykimit ishte edhe Haki Abazi, ish-zëvendëskryeministr në Qeverinë Kurti, i cili përmendet në dosjen e padisë si drejtues i Fondacionit Rockerfeller Brothers Fund për Ballkanin Perëndimor.

Përfaqësuesi i Paditësit dhe propozuesit të kërkesës për masën e sigurisë, avokati Kushtrim Palushi deklaroi se mbetet në tërësi pranë propozimit për caktimin e masës së sigurisë, me të cilën është propozuar që kundërshtarëve të masës së sigurimit t’i ndalohet marrja e një sërë veprimesh dhe aktivitetesh, me qëllim të parandalimit të shkaktimit të dëmit dhe ndikimit tjetër negativ në të drejtat e propozuesve të masës së sigurimit.

“Kjo seancë sot ka të bëjë vetëm me çështjen e masës së sigurimit, prandaj në përputhje me këtë ne do të kufizohemi vetëm në çështjen rreth plotësimit të kushteve ligjore nga ana e propozuesve të masës së sigurimit dhe që i lejon gjykatës caktimin e masës së sigurimit sikurse është propozuar nga ana e propozuesve të masës së sigurimit”, tha ai.

Palushi deklaroi se është përmbushur kushti i parë, që ka të bëjë me ekzistimin e të drejtës subjektive të propozuesve të masës së sigurimit në raport me kërkesën.

“Që nga themelimi i tij, themeluesit e Fondacionit që janë pesë persona fizik, përkatësisht tre propozuesit e masës së sigurimit dhe dy kundërshtaret e masës së sigurimit, të cilët njëkohësisht janë emëruar edhe si anëtarë të bordit të drejtorëve të Fondacionit Shtëpia e Shoqërisë Civile”, tha ai.

“Më datën 5 gusht 2019, dy kundërshtarët e masës së sigurimit, përkatësisht znj, Dajana Berisha dhe znj. Jeta Xharra në kundërshtim me dispozitat e Fondacionit, pa i ftuar fare dhe pa pjesëmarrjen e tre propozuesve, kanë marr vendime për ndryshimin e përbërjes së bordit të drejtorëve, sipas të cilave kanë emëruar tre anëtarë të ri të bordit të drejtorëve si dhe vetveten për përbërje të re të bordit të drejtorëve të fondacionit”, deklaroi Palushi.

Sipas tij, vendimi në fjalë është dorëzuar në Departamentin për OJQ-të, në kuadër të Ministrisë për Administratë Publike, e cila ndryshimet e bëra i ka reflektuar në dosjen e dokumentacionit pranë këtij departamenti.

Avokati tha se në përgjigjen e departamentit për OJQ, i njëjti konstaton se ky Departament nuk rishikon ligjshmërinë apo mënyrën se si është bërë ndryshimi, por vetëm i pranon ndryshimet e tilla.

“Fondacioni ka blerë paluajtshmërinë me shitësin “Dukagjini Invest” sh.p.k, të cilën ka pasur për qëllim ta përdor për nevoja të shoqërisë civile dhe se propozuesit e masës së sigurimit janë përjashtuar në mënyrë arbitrare nga bordi drejtorëve të fondacionit, duke iu pamundësuar ushtrimin e të drejtave në raport me Fondacionin, sipas dispozitave të statutit të fondacionit dhe Ligjit për Lirinë e Asociimit  në Organizata jo Qeveritare.” tha Palushi.

Avokati deklaroi se bazuar në provat e bashkangjitura në propozimin për masën e sigurimit, propozuesit e masës së sigurimit e kanë bërë të besueshme “prima facie” ekzistimin e të drejtës së tyre subjektive dhe kërkesës në raport me kundërshtarët e masës së sigurimit.

Ndërkaq në lidhje me kushtin e dytë, atë të ekzistimit të rrezikut se pa caktimin e masës së sigurisë, Palushi tha se kundërshtarët e masës së sigurisë do të pamundësojnë realizimin e të drejtave dhe kërkesës së propozuesve të masës së sigurisë, në rast se gjykata nuk cakton masën e sigurisë sipas propozimit të propozuesve.

“Fakti se ekziston rrezik dëshmohet nga vet veprimet e masës së sigurimit të marrë me datën 5 gusht 2019, ku ato kanë përjashtuar në mënyrë arbitrare propozuesit e masës së sigurimit nga ushtrimi i të drejtave si themelues dhe si anëtarë të bordit  të Fondacionit”, tha ai.

Ai tha se rreziku dëshmohet edhe nga vet përmbajtja e përgjigjes të kundërshtarëve të masës së sigurimit, e cila duket se aludon se pronare e fondacionit apo themelues i fondacionit është një entitet juridik i tretë i quajtur “FIQ” dhe se në fakt paluajtshmëria e blerë nga Fondacioni i takon kësaj organizate.

“Për më tepër ky rrezik është shumë real bazuar në faktin se bordi ri i drejtorëve, i caktuar në mënyrë kundërligjore, veçse ka marr një vendim me të cilin ka riemëruar dy kundërshtarët e para të masës së sigurimit si anëtarë të bordit të drejtorëve të Fondacionit, në përputhje me dispozitat e fondacionit, bordi i drejtorëve  është organi më i lartë qeverisës i organizatës  i cili përveç të tjerash ka për përgjegjësi menaxhimin e pasurisë dhe financave të organizatës dhe në përputhje me nenin 7 të statutit, mund të marr vendim për shpërbërjen e Fondacionit dhe për përcaktimin e një organizate përfituese të pasurisë së mbetur pas shpërbërjes së fondacionit”, tha ai.

Palushi i propozoi gjykatës që në përputhje me nenin 301 të LPK-së, të merr aktvendim me të cilin aprovohet si i bazuar propozimi për caktimin e masës së sigurisë.

I njëjti propozoi edhe administrimin e provave me të cilat bazohet propozimi për caktimin e masës së sigurisë.

Në anën tjetër përfaqësuesja e të Paditurit, avokatja Merita Stublla–Emini deklaroi se është e pa qartë se cila është e drejta subjektive për të cilën pretendojnë se u është cenuar paditësve.

“Në themel edhe në padi edhe propozim është keqkuptim absolut i rolit të Fondacionit, kundërshtarët dhe propozuesit janë themelues të fondacionit, por kjo është themeluar në vitin 2017, mbi projektin e iniciuar dhe të mbështetur financiarisht prej donatorit Rockerfeller Brothers Fund dhe implementimi dhe ekzistimi i këtij raporti është nisur absolutisht vetëm me ekzistencën e FIQ-it, e cila është themeluar në vitin 2013 në marrëveshje me donatorin”, tha Emini–Stublla.

Ajo tha se “FIQ” ka qenë i vetmi institucion i cili i ka plotësuar kriteret e donatorit për të përmbushur objektivat e të njëjtit, duke shtuar se donacioni është dhënë në llogarinë “FIQ”.

“Në kohën kur ka filluar ky projekt dhe është nënshkruar marrëveshja propozuesit nuk kanë qenë pjesë e shoqërisë civile, madje disa prej tyre s’kanë qenë as në Kosovë, dhe këtu është ajo pikëpyetja e madhe për të drejtat e tyre subjektive për të cilat po pretendojnë. Po ashtu “FIQ” ka qenë entiteti dhe autoriteti i cili i ka raportuar donatorit lidhur me progresin dhe zhvillimet në implementim të projektit”, tha avokatja.

Ajo deklaroi se me qëllim të zbatimit të projektit, me vullnetin e mirë të drejtoreshës së “FIQ” Dajana Berisha, në përputhje me legjislacionin e Kosovës është themeluar Fondacioni.

“Prej fillimit edhe sot në mbështetje të dispozitave ligjore, znj.Berisha është përfaqësuesja e autorizuar e fondacionit, ndërkaq propozuesit të cilët aq shumë po mëtojnë për të drejta nuk kanë ofruar ndihmë as ekspertizë madje kanë dështuar që të identifikojnë apo propozojnë hapësirën se ku do të vendosej Fondacioni”, deklaroi avokatja.

“Madje situata ka shkuar aq larg sa mund të konsiderohet që ata kanë pasur problem që projektit ti prij një femër, në vitin 2018 kur në Kosovë është kërkuar një takim me përfaqësuesen e RBF-së propozimi i tyre ka qenë që të takohen në hotel, kur ata nëse kanë qenë themelues është dashtë me ditë se Fondacioni ka zyre dhe se takimet zyrtare mbahen në zyre, hotelet janë për turistët, ngase asnjë takim tjetër nuk është mbajtur në hotel por në zyrat”, shtoi tutje avokatja.

Merita-Stublla deklaroi se interes i propozuesve nuk është mbrojtja e shoqërisë civile por interesi personal i tyre, me theks të veçantë i Visar Azemit, i cili sipas avokates ka krijuar një koalicion jo parimor me paditësit tjerë.

“E tëra kjo ka filluar kur i njëjti për shkak të shoqërisë me kundërshtaren e propozimit znj.Xharra, i ka kërkuar që të bëjë një hulumtim me të cilën do të atakohej kompania “Shell”,  e që në fakt ka qenë mbrojtja e kompetitorit  “HIB”, me të cilin z.Azemi dhe familja e tij kishin kontratë për të instaluar ndriçimin në aneksin e hotelit “Emerald” dhe kjo nuk ka të bëjë fare me interes publik por vetëm privat”, deklaroi ajo.

E njëjta shtoi i Padituri nuk do të ishte në gjykatë, nëse znj.Xharra do ta atakonte Shell- in.

Avokatja deklaroi se për shkak të gjendjes kohore, më datë 5 gusht 2019, në përputhjeje me dispozitat e statutit të Fondacionit është organizuar mbledhja ku është caktuar Bordi i parë i Fondacionit, ngase tha se tre propozuesit dhe dy kundërshtarët janë themelues dhe jo anëtarë të bordit.

“Ne e konsiderojmë të nevojshme që ta njoftojmë gjykatën që gjatë gushtit të 2019,  tre propozuesit tentojnë ta ndërrojnë përfaqësuesen ligjore duke e caktuar një përfaqësuese të re, e ka qenë vartëse e njërit nga propozuesit, z Burim Ejupi, e cila në ndërkohë është larguar nga “INDEP” dhe këtu prap dëshmon që është fjala për interes personal dhe jo publik”, tha avokatja.

Sipas saj, padia e parashtruar mbi bazën e interesit të përgjithshëm të shoqërisë civile ka të bëjë me interesin personal, i cili tha se nuk e paraqet të drejtën subjektive për të cilën po pretendojnë propozuesit.

“Me atë që është dorëzuar në gjykatë dhe me të thënat nga përfaqësuesi përpos dëshirës dhe pretendimit të tyre për interes personal, nuk është ofruar asnjë dëshmi  e cila kërkohet sipas LPK-së, me të cilën së pari do ta bënin të besueshme ekzistimin e të drejtës subjektive dhe së dyti cili është rreziku që do të cenohen të drejtat e paditësve të cilat unë s’po arrij t’i kuptoj” tha ajo.

Avokatja i propozoi gjykatës që të dëgjohen dy kundërshtaret e propozimit, por një propozim i tillë u kundërshtua nga avokati Palushi dhe u refuzua nga gjykata.

Më pas përfaqësuesja e të Paditurit, Stublla-Emini deklaroi se nëse gjykata vlerëson se është e nevojshme caktimi i masës propozon që të caktoj garancionin në vlerë prej 930 mijë euro apo 1 milion dollarë, sa është vlera e projektit, për dëmin që mund t’i shkaktohet Fondacionit nëse caktohet masa dhe nuk përmbushen objektivat e projektit.

Por, një kërkesë e tillë u konsiderua e paligjshme nga avokati Palushi, i cili tha se e njëjta është në kundërshtim edhe me vet dispozitën ligjore të nenit 297 par.2 i cili përcakton se “gjykata është ajo që cakton shumën në rast se vlerëson se palës kundërshtare mund t’i caktohet ndonjë dëm nga ekzekutimi i masës së sigurisë”, shtoi ai.

Sipas tij, në rastin konkret nuk ka asnjë dëm që do t’i shkaktohej kundërshtarëve të masës së sigurisë.

Në përfundim të kësaj seance u dha fjala përfundimtare, të cilën avokatja Emini – Stublla kërkoi që ta dorëzoj me shkrim, ndërkaq u deklarua avokati Palushi.

Ai tha se mbetet në tërësi prapa propozimit për caktimin e masës së sigurisë si dhe precizimit të saj gjatë seancës.

“Vlerësojmë se ka bazë të mjaftueshme për aprovimin e masës së sigurimit sikurse është propozuar nga propozuesit, me qëllim të parandalimit të rrezikut për shkaktimin e dëmit për propozuesit e masës së sigurimit si themelues dhe anëtarë të bordit të drejtoreve të fondacionit shtëpia e shoqërisë civile” shtoi ai, duke kërkuar nga gjykata që ta aprovojë këtë propozim si të bazuar.

Gjatë kësaj seance, prezent në sallë të gjykimit ishte edhe ish-zëvendëskryeministri në Qeverinë Kurti, Haki Abazi, i cili sipas padisë është në cilësinë e Koordinatorit të Fondacionit.Ndryshe sipas padisë, Paditësit Astrit Istrefi, Burim Ejupi dhe Visar Azemi kanë paditur Dajana Berishën, Jeta Xharran dhe Fondacionin “Shtëpia e Shoqërisë Civile” – CSH.

Sipas padisë së ushtruar në Departamentin e Përgjithshëm-Divizionin Civil të  Gjykatës Themelore në Prishtinë, Paditësit kanë kërkuar vërtetimin e të drejtave të tyre subjektive dhe anulimin e vendimeve të nxjerra nga Fondacioni në fjalë, me arsyetimin se të njëjtat janë të kundërligjshme.

Në padi thuhet se me 5 gusht 2019, e Paditura Dajana Berisha ka mbajtur një mbledhje të parregullt, kundërstatutore dhe të paligjshme të Bordit të Drejtorëve të Fondacionit, ku nga pesë anëtarët e Bordit të Drejtorëve e ka ftuar në mbledhje vetëm të Paditurën Jeta Xharra, ndërkaq nuk ka ftuar edhe tre anëtarët tjerë, Paditësit z. Astrit Istrefi, z. Burim Ejupi dhe z. Visar Azemi.

Tutje në padi thuhet se, Paditësit nuk kanë pasur fare dijeni për mbledhjen e thirrur dhe të mbajtur, agjendën e saj apo vendimet e miratuara aty. Në mbledhjen e parregullt të datës 5 gusht 2019, të Paditurat kanë miratuar një sërë vendimesh. Vendimi i parë dhe i kundërligjshëm thuhet se ka të bëjë me emërimin e tre anëtarëve të Bordit të Drejtorëve, përkatësisht z. Faik Ispahiu, z. Fatos Lajçi dhe z. Luan Dalipi, nën pretendimin e emërimit të përbërjes së parë të Bordit të Drejtorëve nga ana e të Paditurave.

Vendimi i dytë i kundërligjshëm, sipas padisë, ka të bëjë me emërimin e dy të Paditurave, znj. Dajana Berisha dhe znj. Jeta Xharra, si anëtare shtesë të Bordit të Drejtorëve, nën pretendimin e njëjtë se po emëroheshin si pjesë e përbërjes së parë të Bordit të Drejtorëve të Fondacionit, raporton Betimi për Drejtësi.

Paditësit pretendojnë së mbledhja e thirrur dhe e mbajtur me 5 gusht 2019 si dhe vendimet e miratuara aty nga të Paditurat janë kundërstatutore dhe të kundërligjshme, për arsyet në vijim: 1) Mbledhja është thirrur në mënyrë të parregullt dhe është mbajtur në mungesë të kuorumit të nevojshëm për mbajtjen e mbledhjes të përcaktuar me Statutin e Fondacionit; 2) Bordi i Drejtorëve të Fondacionit veçse ishte emëruar me rastin e regjistrimit të Fondacionit; 3) Themeluesja dhe Përfaqësuesja e Autorizuar e Fondacionit znj. Dajana Berisha nuk ka pasur autorizim për emërimin e tre anëtarëve të Bordit të Drejtorëve.

Ata po kërkojnë nga gjykata që ta aprovoj kërkesëpadinë e Paditësve në tërësi si të bazuar dhe të vërtetoj se vendimet e datës 5 gusht 2019, të marra nga të Paditurat Dajana Berisha dhe Jeta Xharra, në kapacitetin e tyre si themeluese dhe anëtare të Bordit të Drejtorëve të Fondacionit “Shtëpia e Shoqërisë Civile”, për emërimin e tre anëtarëve të rinj të Bordit të Drejtorëve, janë marrë në kundërshtim me dispozitat e Statutit të Fondacionit “Shtëpia e Shoqërisë Civile” dhe Ligjit për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare.

Sipas padisë, ata po kërkojnë anulimin e vendimeve të datës 5 gusht 2019, të marra nga të Paditurat Dajana Berisha dhe Jeta Xharra, në kapacitetin e tyre si themeluese dhe anëtare të Bordit të Drejtorëve të Fondacionit Shtëpia e Shoqërisë Civile, për emërimin e tre anëtarëve të rinj të Bordit të Drejtorëve.

Të njëjtit po kërkojnë edhe të konstatohet se Paditësit janë themelues dhe anëtarë të Bordit Drejtues të Fondacionit “Shtëpia e Shoqërisë Civile”.

Sipas padisë, qëllimet e themelimit të Fondacionit kanë qenë ndër të tjera, përmirësimi i frymës së bashkëpunimit profesional, sigurimi i qëndrueshmërisë së shoqërisë civile, ngritja e kapaciteteve të shoqërisë civile, si dhe zhvillimi i bashkëpunimit në mes të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë. Në padi thuhet se, për t’i arritur këto qëllime, Themeluesit e Fondacionit, njëherësh edhe anëtarë të Bordit të Drejtorëve të Fondacionit, kanë vendosur që Fondacioni të blejë një pronë të paluajtshme për ta shfrytëzuar si hapësirë për realizimin e qëllimeve të Fondacionit. Tutje thuhet se, pas një numri të madh takimesh, këtë ide e ka përkrahur edhe donatori Rockerfeller Brothers Fund, fondacion ndërkombëtar me seli në Neë York, Sh.B.A., e cila e ka përkrahur këtë nismë të Fondacionit me shumën prej rreth 1,000,000.00 Euro (me fjalë: një milion Euro).

Krahas kësaj, ata kanë paraqitur edhe kërkesën për caktimin e masës së sigurisë.