Gati 20 ditë pa president, a po diskutohet për këtë çështje në fshehtësi - Gazeta Express
string(71) "gati-20-dite-pa-president-a-po-diskutohet-per-kete-ceshtje-ne-fshehtesi"

Gazeta Express

24/11/2020 10:11

Gati 20 ditë pa president, a po diskutohet për këtë çështje në fshehtësi

Gazeta Express

24/11/2020 10:11

Nesër bëhen 20 ditë prej kur Hashim Thaçi në një konferencë për media njoftoi se i është konfirmuar aktakuza për krime të luftës nga Tribunali Special. Që nga ajo ditë vendi është duke funksionuar me ushtrues detyre të presidentit. Vjosa Osmani në këtë pozitë mund të qëndrojë deri në gjashtë muaj. Derisa t’i afrohet fundi këtij afati, në vend janë dy pretendues për këtë post. Nuk dihet nëse negociata mes formacioneve tjera po mbahen në fshehtësi, shkruan Gazeta Express.

GAZETA EXPRESS

Lexo Edhe:

Dorëheqja e presidentit Hashim Thaçi e solli një situatë të re politike në vend. Kosova mbeti me ushtrues detyre në këtë pozitë, e deri në gjashtë muaj ka kohë skena politike që të dakordohet për një emër të ri. Në të kundërtën, Kosova mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Derisa ky afat të afrohet drejt fundit, janë vetëm dy pretendues për këtë pozitë, të paktën zyrtarisht.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tashmë është nominuar nga strukturat e partisë së tij për këtë pozitë. Megjithatë, Haradinaj nuk po gjen përkrahje te partitë e koalicionit, pa votat e të cilave nuk mund të emërohet në karrigen kryesore të shtetit.

Pos Haradinajt, së fundmi në skenë ka dalë edhe një emër i ri, pretendues për president të vendit.

Nehat Idrizi, ish-kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, e ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për president të Kosovës. Idrizi tashmë u ka dërguar edhe letër partive politike për të kërkuar përkrahje nga ta.

Të paktën zyrtarisht, Idrizi dhe Haradinaj janë të vetmit persona që po synojnë të votohen për president të Kosovës.

Ndërkaq, afati që kanë partitë për të vendosur për një president të ri tashmë po ecën, ndërsa kanë mbetur pak më shumë se pesë muaj për t’u dakorduar.

Nuk është bërë publike nëse ka edhe diskutime mes partive për të votuar dikë nga subjektet.

LVV-ja thotë se nuk voton asnjë president pa shkuar në zgjedhje, AAK-ja insiston në Ramush Haradinajn, derisa, nga LDK-ja, kreu i këtij subjekti, Isa Mustafa del me deklarata interesante se ky post duhet t’i shkojë PDK-së.

Koalicioni nuk e ka shumicën e votave që i duhen për ta votuar një president të ri, derisa këtë mund ta arrijnë vetëm nëse i bashkohen edhe votat e PDK-së.

Në subjektin që udhëhiqet nga Enver Hoxhaj thonë se ditëve në vijim do të ketë zhvillime interesante për këtë temë.

“Deri më tani koalicioni qeverisës nuk ka paraqitur kandidat, as PDK-ja nuk ka paraqitur kandidat. Sa më shumë t’i afrohemi datës, gara do të bëhet më interesante dhe do të dalin pretendentë të rinj”, tha nënkryetari i PDK-së, Shaqir Totaj.

Nuk dihet nëse është duke u diskutuar në fshehtësi në mes të partive politike në vend për të votuar një president të ri. Deri atëherë, në këtë pozitë do të qëndrojë Vjosa Osmani.

Këtë funksion, kryetarja do ta ushtrojë deri në përfundim të procesit të zgjedhjes së presidentit të ri nga Kuvendi.

Sidoqoftë, Kushtetuta përcakton që kryetarja nuk mund ta ushtrojë postin e u.d. të presidentit më shumë se 6 muaj. Brenda kësaj periudhe duhet të zgjidhet presidenti i ri, në përputhje me nenin 90 të Kushtetutës.

Në pamundësi të zgjedhjes së presidentit të ri, kryetarja e Kuvendit, në cilësinë e u.d. të presidentit, duhet t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që duhet të mbahen brenda 45 ditëve. /GazetaExpress/