“Është burri yt, kthehu te burri”, gratë vriten edhe kur e denoncojnë dhunën në polici - Gazeta Express
string(82) "eshte-burri-yt-kthehu-te-burri-grate-vriten-edhe-kur-e-denoncojne-dhunen-ne-polici"

“Është burri yt, kthehu te burri”, gratë vriten edhe kur e denoncojnë dhunën në polici

Lajme

Merita Miftari

16/03/2021 17:51

Shumë gra që u vranë nga burrat në Kosovë, paraprakisht kanë denoncuar në polici dhunën që është ushtruar mbi to. Megjithatë, të dyshuarit janë lënë të lirë. Njëra nga gratë, e cila u ther me thikë për vdekje nga burri i saj, Zejnepe Bytyçi Berisha, e kishte denoncuar 16 herë dhunën në polici. Njëjtë kishin vepruar Valbona Marku Ndrecaj dhe Diana Kastrati. Ndërsa, 42-vjeçarja S.S., e cila u vra të dielen në lagjen “Emshir” të Prishtinës, e lajmëroi dhunën në polici 12 ditë para se të vritej. Prokuroria tha se dhunën e babait ndaj nënës e denoncoi e para vajza e çiftit

Rreth tre muaj pas vrasjes së Makfire Zukës bashkë me dy djemtë e saj nga bashkëshorti në Pozheran të Vitisë, në Prishtinë u vra nga ish-burri i saj edhe 42-vjeçarja S.S. Dy dorasët F.Z., dhe L.S., pasi i kishin vrarë gratë, kishin kryer vetëvrasje.

Lexo Edhe:

Rrjeti i Grave të Kosovës, vlerëson se për disa vrasës të grave drejtësia ka dështuar, duke shqiptuar dënime të ulëta.  

Lista e grave të vrara nga burrat e tyre në vendin tonë është e gjatë. Shumë nga gratë që tashmë nuk jetojnë, para se të vriteshin kishin denoncuar rastin e dhunës në polici.

Për rastin e 42-vjeçares S.S., Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se vajza e gruas së vrarë, e kishte raportuar e para rastin në polici.

Sipas tyre, viktima më 3 mars të këtij viti kishte pasur mosmarrëveshje me ish-bashkëshortin e saj dhe i njëjti e kishte sulmuar fizikisht, por ajo “ka refuzuar të pranojë ndihmën mjekësore pasi ka qenë diçka momentale dhe nuk dëshiron që më tutje të vazhdojë me rastin”.
Tutje në njoftimin thuhet se është intervistuar i dyshuari, i cili e ka mohuar ta ketë sulmuar ish-bashkëshorten e tij.

Ndërsa, Valbona Marku Ndrecaj, gruaja që u vra bashkë me vajzën 9-vjeçe nga burri i saj, pasi kishte denoncuar dhunën në polici, nga këta të fundit kishte marrë sygjerim që të kthehet te burri. “Është burri yt, kthehu te burri”, ka deklaruar para gjykatës vëllai i Valbona Ndrecajt, Shkëlzen Marku, duke cituar fjalët e policëve që ia thanë asaj kur kishte kërkuar ndihmë.

Në një intervistë për Gazetën Express, Adelina Berisha, Menaxhere e Programit mbi Dhunën në Baza Gjinore, RrGK, thotë se “pothuajse të gjitha gratë e kanë raportuar dhunën në polici në të kaluarën, pra dhunën e përjetuar nga vrasësit e tyre”.

Berisha vlerëson se vrasja e grave është e ndërlidhur me normat sociale dhe mendësinë patriarkale me të cilën operon shoqëria jonë. Ajo liston shkaqet që ndikojnë të vriten gratë nga burrat e tyre.

“Mos efikasiteti i institucioneve vendore ka bërë që shpesh gratë të vriten, madje edhe kur ato u janë drejtuar për ndihmë instutucioneve vendore. Fajësimi i viktimës, tentimi për pajtim mes çifteve që janë në marrëdhënie të dhunshme, si dhe dënimet e ulëta për vrasësit kanë ndikuar që vrasjet e grave të ndodhin në një numër kaq të madh e shqetësues”, thotë Berisha për Gazetën Express.

Berisha thekson se Rrjeti i Grave të Kosovës ka ngritur dhunën ndaj grave si një ndër problemet më të shpeshta me të cilin ballafaqohen gratë. Po ashtu kanë asisituar edhe në disa raste, kur është parë që sistemi i drejtësisë ka dështuar në vendosjen e drejtësisë.

“Ne po ashtu kemi asistuar disa raste kur e kemi parë që sistemi i drejtësisë ka dështuar në vendosjen e drejtësisë për gratë që kanë humbur jetën si pasojë e dhunës ndaj tyre. Këtu duhet ta përmendim rastin e rritjes së dënimit për Nebih Berishën, i cili kishte vrarë bashkëshorten e tij, nga 12.5 vite burgim në 17 vite. Poashtu, kemi ndikuar që të dënohet Hilmi Zena, i cili gjithashtu kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij, e cila humbi jeten si pasojë e hemorragjisë së vazhdueshme, e për të cilën bashkëshorti kishe refuzuar të kërkonte ndihmë mjekësore. Për më tepër, për tashmë dy vite pothuajse Rrjeti i Grave të Kosovës është duke ofruar ndihmë ligjore për viktimat e dhunës me bazë gjinore”, shprehet ajo.  

Rrjeti i Grave të Kosovës, ka organizuar marshe, protesta dhe ka reaguar shumë herë për vrasjen e grave që nga paslufta.

“Edhe sa thirrje të humbura”, ishte njëri nga billbordet e vendosura në Prishtinë nga Kolektivi Artistik “Haveit”, pak metra larg Stacionit kryesor të Policisë në Prishtinë.

Pas raportimit të mbrëmshëm të Gazetës Express, për gruan që kishte denoncuar dhunën dy herë, e më pas u vra nga ish-burri në Prishtinë, ka reaguar ish-ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, duke thënë se neglizhenca duhet ndëshkuar.

“Sikur institucionet të vepronin me kohë sipas përgjegjësive që kanë, do të mund të parandalohej krimi i rëndë ndaj të ndjerës. Edhe sa gra duhet të vriten në mënyrë që institucionet të reagojnë kundrejt këtyre veprimeve kriminale? Neglizhenca duhet të ndëshkohet. Nuk mund të vazhdohet tutje kësisoj sepse dhuna në familje NUK është çështje private, por është përgjegjësi shtetërore! Ata që neglizhojnë rastet e tilla, duhet të largohen nga sistemi i sigurisë dhe drejtësisë. Nuk mund të ketë vend në sistem për ata që nuk kryejnë detyrat e tyre”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Për rastin ka reaguar edhe anëtarja e PSD-së, Teutë Rrusta, teksa thotë se vrasjet e grave janë të paralajmëruara.

“Ne bëhemi sikur nuk e kemi ditur, sikur nuk e kemi pritur që edhe një grua do të vritet nga burri. Pas secilës vrasje zbulohet një tregim që AJO ka kërkuar ndihmë. Çka nuk dihej ishte vetëm data e ngjarjes. Vrasjet e grave janë të paramenduara. Ato janë vrasje të paralajmëruara”, ka shkruar Rrusta në Facebook.

Ndërsa, Qendra për Informim, Kriktikë dhe Aksion (QIKA), në reagimin e bërë thonë se se rastet e vrasjeve të grave nga partnerët e tyre kanë shënuar rritje dhe kjo duhet të tmerrojë të gjithë.

“Kërkojmë nga institucionet e rendit që menjëherë të informojnë publikun se pse nuk kanë marrë masat e nevojshme emergjente për siguri të viktimës, ashtu siç kërkohen nga procedurat standarde të veprimit për mbrojtje nga dhuna në familje. Neglizhenca në trajtimin e rasteve të dhunës në familje jo rrallë herë ka rezultuar me gra viktima”, thuhet ndër të tjera në reagimin e tyre.

Kosova është tronditur nga shumë vrasje të grave.

Sevdije Berisha nga Peja, gjatë kohës kur po flinte u godit me sëpatë nga bashkëshorti i saj, Isen Berisha. Pas plagëve të rënda gruaja ndërroi jetë në QKUK. Ai kishte plagosur rëndë edhe rejën shtatzënë. Para pak vitesh në fshatin Radishevë të Skenderajt, Feride Tahiri, u vra me pushkë në sy të fëmijëve nga bashkëshorti i saj, Xhevdeti. Ai nuk e kishte lënë me kaq. Kishte vazhduar edhe në fshatin fqinj, Runikë, ku kishte lënë të plagosur rëndë, motrën e gruas, Fitoren dhe burrin saj, Dritonin. 24-vjeçarja nga Deçani, Donjeta Pajaziti, u grabit dhe u vra me dy plumba në kokë. Tek pas gjashtë javëve u gjet në Bjeshkët e Strellcit.

Gruaja 35 vjeçe nga Gjakova, Dafina Zhubi, u gjet e vdekur në banesën e të dashurit të saj. Familjarët thanë se ndaj saj u ushtrua edhe dhunë fizike. 26-vjeçarja nga Vushtrria, Arianita Zahiti, vetëm 5 javë pasi kishte nisur jetesën në Gjermani te bashkëshorti i saj Avdyl Nasufi, u gjet e vrarë me thikë.

Fotoja me të cilën është ilustruar shkrimi është realizuar nga Kolektivi Artistik “Haveit”.