Haradinaj: Konjufca e Haxhiu shkuan për fushatë në Maqedoni kur Kosova kishte zi për gratë e vrara - Gazeta Express
string(97) "haradinaj-konjufca-e-haxhiu-shkuan-per-fushate-ne-maqedoni-kur-kosova-kishte-zi-per-grate-e-vrara"

Haradinaj: Konjufca e Haxhiu shkuan për fushatë në Maqedoni kur Kosova kishte zi për gratë e vrara

Lajme

Gazeta Express

19/04/2024 11:13

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka quajtur profiterë politikë Kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun.

Haradinaj tha se në ditën që Kosova shpalli ditë zie për gratë e vrava, Konjufca e Haxhiu kanë shkuar në Maqedoninë e Veriut për fjalime e tubime krah opozitës shqiptare atje. Madje, këtë e quajti pafytyrësi politike, raporton Express.

Sipas Haradinajt, Vetëvendosje po thellon përçarjet mes shqiptarëve atje.

“Besoj që qytetarët e Maqedonisë nuk do ta pranojnë pra mashtrimin që iu shkon prej Kosovës  Nuk do t’i pranojnë profiterët politikë. Konjufca, Haxhiu janë profiterë politikë. Ata dje kanë shpallë ditë zie në Kosovë, pra është profiterizëm politik me shpall ditë zie në vendin tënd e me shku atje me hap tubime ose me mbajtë fjalime. Qytetarët e Maqedonisë i dijnë këto dallime. Ata janë njerëz të traditive, të vlerave, i shohin që këta janë profiterë të pastër politikë të situata të vështirësive, e sfidave që i ka shqiptari i Maqedonisë, populli shqiptar i Maqedonisë. Këta bash në këtë kohë, shkojnë atje dhe i thellojnë përçarjet”, ka deklaruar Haradinaj në Pressing të T7.

Haradinaj beson se shkuarja e zyrtarëve të Vetëvendosjes atje, do të ketë negative për opozitën shqiptare.

“Unë besoj shumë që do të ketë ndikim negative për opozitën shqiptare atje, shkuarja atje e profiterëve politikë si Konjufca, si znj.Haxhiu që shpall ditë zie. Është një zonjë që e gjen kohë në ditën e zies për gratë e vrara në Kosovë me shku në Maqedoni, ky është profiterizëm i pastër politik. Pafytyrësi politike”, ka deklaruar tutje Haradinaj.

Për vizitën e Konjufcës më 17 prill në Maqedoninë e Veriut, ka njoftuar Lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, përmes një postimi në Facebook.

Ai publikoi edhe fotografi nga tubimet ku Konjufca mori pjesë.

“Bashkë me Arbenin, Izetin, Afrimin dhe Bekimin sot pritëm në Shkup z. Glauk Konjufca, politikanin që përfaqëson në mënyrë më të denjë popullin e Kosovës.Është nder dhe kënaqësi që kryetari i Kuvendit të Kosovës, përcjell me përkushtim vizionin e Vetëvendosjes që shqiptarët, kudo që janë, të jetojnë me kokën lartë, me dinjitet dhe krenarë. Nuk ka shembull më të mirë të një politikani si Glauku, i cili veprimet politike i ka të ndërtuara sipas vullnetit dhe nevojave të popullit të tij dhe jo sipas vullnetit të oligarkëve dhe kundërshtarëve të popullit shqiptarë”, shkroi Kasami.

Po atë ditë, deputetja e PDK’së, Blerta Deliu-Kodra, ka publikuar fotografi ku shihet Ministrja Albulena Haxhiu, duke folur ne një tubim të VLEN.

“24 orë pas vrasjes në Gjyljetës, katër ditë pas vrasjes së Eronës, sot kur në Kosovë është Ditë Zie, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, paska harruar detyrën e saj parësore për t’u marrë me krijimin dhe menaxhimin e task-forcës në mbrojtje dhe mbështetje të grave – e paska shku në Maqedoni të Veriut në një konferencë, e cila më shumë duket si tubim elektoral.

Kaq mjafton për të kuptuar se me sa seriozitet dhe përgjegjësi kjo Ministre e kryen detyrën e saj. Kaq mjafton për të parë se sa i intereson kësaj ministreje siguria e grave në vendin tone”, ka shkruar Deliu-Kodra.