Edhe takimi i Brukselit mbahet nëpërmjet videolidhjes, Hoti e Vuçiq takohen më 16 korrik? - Gazeta Express
string(87) "edhe-takimi-i-brukselit-mbahet-nepermjet-videolidhjes-hoti-e-vuciq-takohen-me-16-korrik"

Edhe takimi i Brukselit mbahet nëpërmjet videolidhjes, Hoti e Vuçiq takohen më 16 korrik?

Gazeta Express

10/07/2020 13:18

Samiti i paralajmëruar për një kohë të gjatë nga Franca dhe Gjermania me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, u zhvillua virtualisht të premten dhe kjo shënon vazhdimin e dialogut të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, i cili u ndërpre në fund të vitit 2018.

Radio Evropa e Lirë merr vesh se edhe takimi i 12 korrikut, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, do të zhvillohet përmes një video-konference, kurse takimi Hoti-Vuçiq pritet të ndodhë më 16 korrik.

Lexo Edhe:

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në këtë samit tha se dialogu nuk ka alternativë, por shtoi se ky proces duhet të ketë afate të qarta kohore.

“Ne jemi të gatshëm dhe të përkushtuar që të angazhohemi në dialogun Kosovë-Serbi, në mënyrë të barabartë”, tha Hoti.

“Por, ne fuqishëm besojmë se procesi i dialogut duhet të ketë një afat të qartë kohor dhe një kornizë të vlerave dhe parimeve themelore që duhen respektuar, në përputhje me perspektivën evropiane të të dyja vendeve”, shtoi Hoti.

Hoti tha se procesi i dialogut, në mënyrë që të jetë i suksesshëm duhet të udhëhiqet nga parime që sipas Hotit janë: Integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm, organizimi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket, marrëveshja me Serbinë duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës si modaliteti i vetëm që do t’i jepte legjitimitet një marrëveshjeje të tillë.

Sipas Hotit, bazuar në këto parime, marrëveshja finale duhet të rezultojë me njohje reciproke dhe nëse kjo nuk ndodh, marrëveshja si e tillë, sipas kryeministrit kosovar nuk do të kishte sukses.

Sipas Hotit, personat e pagjetur dhe viktimat e çfarëdo forme të dhunës, dëmet e luftës dhe viktimat, janë shqetësimi kryesor i Kosovës në këtë proces, andaj ai shtoi se pa pasur drejtësi për viktimat nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve.

Hoti po ashtu përmendi që marrëveshja finale duhet të kontribuojë në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

“Bazuar në këto parime dhe objektiva, Republika e Kosovës është e gatshme të jetë një partnere konstruktive dhe bashkëpunuese në dialogun për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme”, konkuldoi Hoti.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se video-samiti ka qenë i vështirë dhe se Serbia është e vetmja me qëndrime të ndryshme.

“Pala shqiptare doli me kërkesa që i shënuam me kujdes. Ata kërkojnë ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës, Kushtetutës së Kosovës, njohje të ndërsjellë, anëtarësim në Kombet e Bashkuara, që vendet e tjera të Bashkimit Evropian ta njohin Kosovën dhe pastaj do të merreshin me të zhdukurit dhe çështjen e dëmeve. Nëse ky është thelbi, atëherë gjithçka është e pakuptimtë”, tha Vuçiq për Televizionin Pink të Serbisë.

Ai tha se është i gatshëm të flasë për përmirësimin e marrëdhënieve, por nuk do të ketë bisedime për pranim të ultimatumeve.

“I jam mirënjohës përkushtimit evropian për zgjidhjen e problemit dhe ne jemi të gatshëm për bisedime. Ne presim që dialogu të vazhdojë të enjten, por padyshim që do të kemi shumë punë dhe detyra të vështira”, tha Vuçiq.

“Do të jemi të ekspozuar ndaj pritjeve të mëdha të partnerëve evropianë dhe do të kthehemi prapa në vend të darkës së nesërme. Kemi një video-konferencë të dielën dhe më pas vazhdimin e dialogut”, tha ai.

Duke folur për pozicionin e presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane Angela Merkel, Vuçiq nënvizoi se këta janë udhëheqës të vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Ata e kuptojnë pozicionin tonë. Merkel dhe Macron janë politikanë me përvojë dhe ata e dinë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo. Ne nuk ishim të ekspozuar ndaj presionit nga këta të dy dhe unë u përpoqa t’i përgjigjesha ultimatumeve në një mënyrë të guximshme. Unë mendoj se Macron dhe Merkel e kuptuan këtë. Në çdo rast, ne duhet të mësojmë të flasim me ata që nuk jetojnë në realitet”, u tha Vuçiq gazetarëve në Paris.

Pas samitit, pritet që Franca dhe Gjermania, si nikoqir të këtij samiti, të dalin me një deklaratë të përbashkët.

Kosova dhe Serbia po përpiqen të arrijnë një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve, e cila, siç tha ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak gjatë një vizite në Prishtinë, duhet të jetë e qëndrueshme, e pranueshme për rajonin dhe BE-në, por që do të zgjidhë të gjitha çështjet e pazgjidhura.

Ne samitin virtual marrën pjesë presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelarja gjermane, Angela Merkel, Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punët e Jashtme Josep Borell dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak. Kosovën e përfaqëson kryeministri Avdullah Hoti kurse Serbinë, presidenti Aleksandar Vuçiq.