Detaje rrëqethëse, si humbi jetën nga rënia në bunar 11-vjeçarja nga Ferizaj - Gazeta Express
string(75) "detaje-rreqethese-si-humbi-jeten-nga-renia-ne-bunar-11-vjecarja-nga-ferizaj"

Detaje rrëqethëse, si humbi jetën nga rënia në bunar 11-vjeçarja nga Ferizaj

Gentiana Hasani

25/02/2020 14:00

Ishte duke luajtur me të afërmit në oborrin e shtëpisë. Por, pasditja e së dielës doli të jetë fatale për një 11-vjeçare nga Komuna e Ferizajt. Ajo aksidentalisht ra në pusin që gjendej pranë shtëpisë së saj. Kanë qenë të afërmit e fqinjët e saj ata të cilët kanë intervenuar duke e nxjerrë vajzën e mitur nga pusi. Por, ajo tashmë kishte marrë lëndime të rënda trupore. Express sjell detaje nga rasti

Sipas mjekëve të QKUK-së, e mitura ishte dërguar pa shenja jete në Spitalin e Ferizajt. Por, pas intervenimit të stafit mjekësor ka arritur të rikthehet.

Lexo Edhe:

Në të gjendja 11-vjeçarja u dërgua në në QKUK dhe u vendos në repartin e Intensives.

Detaje për gjendjen shëndetësore dhe trajtimin e saj në QKUK ka dhënë për Express shefi i Klinikës Intensive, Shaqir Uka.

“Pacientja 11-vjeçare e cila pësoi lëndime për shkak të rënies në një pus në regjionin e Ferizajt, është sjellë fillimisht në qendrën emergjente në Ferizaj, aty ku ka shku pa shenja jete. Në qendrën emergjente të Ferizajt ajo është ngjallë dhe është sjellë në emergjencën e QKUK”, shpjegon doktori.

Ai thotë se në Klinikë ajo kishte shkuar në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Pas ekzaminimeve të kryera në Emergjencë, fëmija është sjellë në kujdesin Intensiv Qendror në gjendje të rëndë shëndetësore. E kemi trajtua me barna, me frymëmarrje komplet të asistume, nga aparati i frymëmarrjes. Masat për rikthimin në gjendje normale të fëmijës rezultuan të pasuksesshme. Nuk ka pasë lëndime të dukshme. Ka qenë një mbushje e plotë në rrugët e frymëmarrjes me ujë nga pusi”, sqaron për rastin e rëndë mjeku i QKUK-së.

Express për këtë rast ka biseduar me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari.

 Ai pohoi se vajza e mitur aksidentalisht ra në pus dhe si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë.

Sipas tij, kanë qenë familjarët e saj ata të cilët e kanë nxjerrë këtë të mitur nga pusi.

“Mund të ju konfirmoj se fatkeqësisht bëhet fjalë për një vajzë të mitur rreth 11-vjeçare. Në bazë të

informacioneve të para që ne i kemi, e mitura ka rënë aksidentalisht në pus. Ajo është nxjerrë nga aty nga ana e familjarëve. Mirëpo, gjatë rënies kjo vajzë e lindur në vitin 2009 ka marrë lëndime të rënda trupore, të cilave fatkeqësisht nuk ka mundur që t’u mbijetojë. Rastin ne jemi duke e hetuar. Kemi kërkuar të bëhet analiza e autopsisë”, ka deklaruar Jashari për Express.

Me rastin po merret edhe Policia e Kosovës.