Tragjedia “Medea” rikthen në skenë aktoren Luiza Xhuvani

​Tragjedia greke “Medea” e autorit Euripidi, do të shfaqet premierë në ditët e fundit të muajit janar, në sallën “Moliere” të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

GazetaExpress

Dimitris Mylonas është regjisori grek, i cili do të sjellë këtë tragjedi për publikun shqiptar. Kjo vepër do të ngjisë në skenë një kast të njohur aktorësh të teatrit, por edhe emra të rinj që do të jenë pjesë e kësaj shfaqje.
Kjo tragjedi do të sjellë në rolin kryesor aktoren e njohur Luiza Xhuvani, e cila do të luajë Medean e tmerrshme. Ndërkaq, aktorët që do të interpretojnë në role të tjera janë: Roza Anagnosti, Ahmet Pasha, Viktor Zhusti, Alfred Trebicka, Adriana Tolka, Kristian Koroveshi, etj.
Tragjedia e lashtë greke “Medea” bazohet në mitin e Jasonit dhe Medeas dhe u ngjit në skenë për herë të parë në vitin 431 para Krishtit. Subjekti përqëndrohet mbi veprimet e Medeas, dikur princeshë e mbretërisë “barbare” të Kolkias dhe bashkëshorte e Jasonit. Ajo sheh se pozita e saj në botën greke është e kërcënuar, kur Jasoni e braktis për t’u martuar me një princeshë greke të Korintit. Medea merr hak mbi Jasonin, duke vrarë bashkëshorten e tij të re, po ashtu edhe dy bijtë e vet, për t’u arratisur më pas në Athinë për një jetë të re.
Kjo tragjedi është një tablo mjeshtërore e pasionit me nënshtresat dhe zgavrat e tij sekrete. Vuajtja dhe ndjeshmëria e dashurisë së vrarë vizatohen fuqishëm, deri sa kulmojnë me veprën e tmerrshme të hakmarrjes.
Fuqishëm është ravijëzuar gruaja me joshje të jashtëzakonshme, e cila është njëkohësisht e dobët. Notat e butësisë mëmësore janë patetike në shkallën më të lartë. Lufta e emocioneve, gjeneruar nga pasioni, rrëfehet në mënyrë të admirueshme dhe mes gjithë stresit nga konflikti i tyre, dhe mes gjithçkaje të sofistikuar dhe iluzive, që gërryen shpirtin, urrejtja dhe hakmarrja fitojnë betejën.
Medea është kriminele, por jo pa shkak dhe jo pa forcë e dinjitet. Në dallim nga Eskili epik dhe Sofokliu i përqënduar te ndërveprimi i karaktereve, Euripidi i hapi artit dyert e një bote të re dhe na jep një pamje më të afërt të ndjenjës pasionante, edhe në format e saj më të pastra, edhe në çmenduritë më të egra, të cilat kontrollojnë, pështjellojnë apo shkatërrojnë njerëzit./Kult

Të tjera

Lajmet e fundit