Kthehu lart

Shqipëria në kërkim të dëshmive për të kaluarën komuniste

Shqipëria në kërkim të dëshmive për të kaluarën komuniste GazetaExpress

Organizata e Kombeve të Bashkuara është duke e mbështetur një projekt shqiptar, që ka për qëllim të grumbullojë dëshmi të qindra njerëzve që kanë vuajtur nën sistemin shtypës komunist nëpër burgje dhe kampe të përqendrimit.

Edhe pse të mbijetuarit dhe familjet e viktimave janë bërë bashkë në përkujtim të periudhës së vështirë komuniste, nëpërmjet pak memorialëve që ndodhen nëpër vend, shumica e rrëfimeve, ngjarjeve sikurse edhe gjësendeve të viktimave, ende janë të mbyllura në mister.

“Të kujtosh për të shëruar e parandaluar” është një projekt i Kombeve të Bashkuara që veçse ka nisur të shpaloset në Shqipëri, transmeton sot “Koha Ditore” shkrimin e tiranatimes.

Gjon Radovani, ekspert i projektit, është deklaruar për mediat lokale duke thënë se ky projekt ka për qëllim të lehtësojë një dialog të zgjeruar që merret me të kaluarën komuniste të Shqipërisë.

“Programi ka për qëllim të nxisë një bisedë sociale mbi të kaluarën komuniste dhe diktatoriale të Shqipërisë, në shumë nivele, duke nisur me takimet ndërmjet historianëve e atyre universitare, që do të provojnë të hedhin dritë dhe të ofrojnë fakte të reja mbi historinë tonë komuniste, për të vazhduar me nivelin gjyqësor, ku dega e drejtësisë do të ofrojë një kornizë ligjore, e deri tek aspektet artistike e kulturore, që do të përfshijë arkivimin e fakteve dhe bërjen e tyre publike nëpërmjet ekspozitave muzeore, etj”, ka thënë Radovani.

Tutje, Radovani ka theksuar se sa i rëndësishëm është ky projekt për shoqërinë shqiptare.

“Siç ka thënë Ciceroni ‘të jesh injorant për atë që ka ndodhur para se të lindësh, është të mbetesh gjithmonë fëmijë’. Është e rëndësishme edhe për të tashëm edhe për të ardhmen, sepse gjeneratat e reja duhet ta dinë se çfarë ndodh kur logjikës i vjen fundi dhe ia zë vendin dhuna”, ka thënë ai.

Në këtë kontekst, autoritetet që merren me dosjet e ish-Shërbimit Inteligjent, janë duke bashkëpunuar për realizimin e projektit.

Selami Zalli, drejtor informativ i autoritetit të dosjeve komuniste, ka thënë për mediat lokale se projekti mbështetet më së shumti në dëshmitë e së kaluarës.

“Shumica është i ndërtuar në deklarata, dëshmi dhe kështu roli i autoritetit është t’i verifikojë këto dëshmi dhe ngjarjet që pretendohet se kanë ndodhur. Autoritetet si institucion nuk kanë për qëllim vetëm të informojnë për dokumentet e së kaluarës komuniste, por edhe ta edukojnë shoqërinë civile për të kaluarën. Po ashtu, qëllimi është të regjistrohen dhe zyrtarizohen të gjitha rrëfimet që qarkullojnë nga goja në gojë, por që asnjëherë nuk janë dokumentuar deri më tani”, ka thënë Zalli.

Ai ka shtuar se kampi i internimit në Tepelenë, përbën forcën kryesore të projektit, duke qenë se atje qindra familje të internuara kishin vdekur e varrosur, derisa në Gjirokastër ekspertët kanë për qëllim të grumbullojnë kujtimet e qindra të mbijetuarve të kohës së komunizmit që jetojnë ende aty.

Edhe artistët i janë bashkuar këtij projekti, duke krijuar platforma kulturore që kanë për qëllim vetëdijesimin dhe mirëkuptimin më të thellë të së kaluarës së shtetit.

“Sipas perceptimit tim, arti ka një rol shumë të rëndësishëm në të gjitha çështjet sociale. Mendoj që ky është misioni i artit dhe detyra e përgjegjësia e artistëve”, ka thënë Ema Andrea, aktore e mirënjohur shqiptare.

Janë bërë 27 vjet qysh prej rënies së komunizmit në Shqipëri dhe ende ekspertët mendojnë që shoqëria e këtij shteti ka bërë reflektim minimal mbi pasojat e sistemit, që e ka mbajtur vendin të izoluar për 45 vjet.

Derisa ata që janë nostalgjikë mbi të kaluarën lejohen të bëjnë dhe të shkojnë nëpër ngjarje që lidhen me komunizmin, Qeveria ende nuk i ka ekzaminuar si duhet dosjet e Shërbimit të Inteligjencës apo dënuar krimet e regjimit.

    Data: 06 Mars 2018 05:19
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera