Kthehu lart

Robert Ndrenika mbush 75-vjeç, ja si e kujtojnë në çdo skenë kolegët dhe miqtë e tij

Robert Ndrenika mbush 75-vjeç, ja si e kujtojnë në çdo skenë kolegët dhe miqtë e tij GazetaExpress

​Aktori Robert Ndrenika, skicuesi i karaktereve të goditura në teatër dhe kinematografi, sot mbush 75 vjeç.

Portreti dhe zëri i tij kanë bërë që në 47 vite të realizojë role të ndryshëm plot mjeshtëri dhe origjinalitet, duke përcjellë emocione të papërshkrueshme te publiku. Por, dashuria e tij për skenën është aq e madhe sa edhe përgjatë këtyre ditëve të acarta e gjen duke bërë provat e fundit për shfaqjen “Mendohu Xhiakomino” me autor Luigi Pirandelon. 

Në këtë vepër, ku problemet ekzistenciale të individit janë në qendër, Robert Ndrenika vjen në rol kryesor, si profesor Toti, për të përcjellë një realitet në të cilin mungon humanizmi, një realitet në të cilin ndodhet që tingëllon aktual edhe për shoqërinë shqiptare. Zëri i bashkëpunëtorëve, kolegëve dhe regjisorëve, me të cilët ka patur fatin të punojë ndër vite shprehen për gazetën "Shekulli".

Ata mendojnë se aktori nuk ka moshë, aktori ka fuqi nëse e ndjen veten të fortë, prandaj shteti duhet të kujtohet vazhdimisht për të.

Hajrie Rondo: 

Ndrenika në kurorën e artistëve më të shkëlqyer shqiptarë

Ndonëse, kanë kaluar 30 vite nga xhirimi i filmit “Përrallë nga e kaluara”, Tana (Hajrie Rondo) dhe Vangjeli (Robert Ndrenika) mbeten çifti artistik simbol më i gjetur dhe më i bukur, falë profesionalizmit dhe përzgjedhjes së mençur të regjisorit Dhimitër Anagnostit, në kinemanë shqiptare. Aktorja Hajrie Rondo shprehet se: “Roberti është aktor me vlera artistike dhe njerëzore të çmuara. Gjatë bashkëpunimeve është komod dhe aspak i vështirë. Është njeri me humor dhe mjaft popullor”. Bashkë ata kanë qenë partnerë në disa filma, si tek “Përrallë nga e kaluara”, “Nëntor i dytë”, “Ne dhe Lenini”. Rondo mendon se Ndrenika qëndron në kurorën e artistëve më të shkëlqyer shqiptarë, prandaj urimi i saj në këtë 75-vjetor të lindjes është: “I uroj Bertit edhe 100 vite të tjera jetë. U bëftë plak i moçëm me mjekër të bardhë edhe njëkohësisht u rinoftë për të ngjitur shkallët e arta të skenës”.

Roza Anagnosti:

Jam një ndër admirueset e këtij aktori Edhe aktorja Roza Anagnosti ruan me Ndrenikën shumë episode në kujtesën e saj, por ajo veçon bashkëpunimin që ka pasur me të te “Nata e dymbëdhjetë” dhe punën që ka bërë me regjisorin (bashkëshortin e saj) Dhimitër Anagnostin në filmat “Në shtëpinë tonë” dhe te “Përrallë nga e kaluara”. “Kemi pasur shumë miqësi me njëri-tjetrin, jo vetëm si aktor, por edhe si miq të mirë. Është një artist i mrekullueshëm, i cili i luan të gjithë zhanret, si komedinë, dramën, por edhe filmin dhe ekranin”, thotë Anagnosti. Ndrenika ka një karrierë për t’u admiruar, të cilën do të dëshironte çdokush. Prandaj, Anagnosti mendon se është nder, që vendi ynë ka një artist të tillë. “Këtë e thotë publiku shqiptar, nuk e them vetëm unë! Unë jam një nga admirueset e këtij aktori, që mendoj se është vlerë në artin shqiptar”.

Kiço Blushi:

Ndrenika nuk dorëzohet! Edhe skenaristi Kiço Blushi, pavarësisht problemeve që ka pasur me shëndetin, i uron shëndet dhe shumë suksese në skenë, duke e cilësuar si një njeri të fortë, që nuk dorëzohet lehtas. “Ndrenika me punën e tij e ka merituar dashurinë edhe respektin e publikut”, thotë Blushi.

Gëzim Kame: 

Është nga ata artist, që vjen rrallë në jetën e një kombi.

Regjisori Gëzim Kame me Robert Ndrenikën ka një njohje rreth 45-vjeçare. Për të nuk është e rëndësishme, që të flasë për nivelin që ai prezanton në skenë ai, pasi mendon se për këtë sot flet i madh edhe i vogël, prandaj ndalet në marrëdhëniet e tij të afërta, që ka me të. “Në jetën e përditshme e kam vlerësuar si një bashkëshort të mrekullueshëm dhe një prind të dhimbsur, i cili ka pasur për model thjeshtësinë e tij”. Kame mendon se aktori i njohur para kujtdo e ka pranuar me thjeshtësi të jashtëzakonshme meritën e të gjithë kolegëve të tij. “Është e vështirë që të flasësh për të! Është nga ata artist që rrallë vjen në jetën e një kombi. Nuk e di se si do të zëvendësohet kjo mungesë e aktivitetit të tij tani për tani, në skenën dhe ekranin shqiptar”. Kame ka punuar me Ndrenikën mbi 12 vepra. Por, ai e konsideron punën e tij në skenë mbi normalen, mbi të zakonshmen që ndodh në një shoqëri. “Unë i uroj jetë të gjatë, të shëndetshme dhe aktive, ashtu siç është ai në jetë, i gjallë edhe i ngrohtë me shokët e tij”, përfundon Kame.

Saimir Kumbaro

Arti nuk të bën pasanik.

Regjisori Saimir Kumbaro ka bashkëpunuar me Ndrenikën në katër filma aktor. Janë katër role, katër karaktere, në të cilët ai e konsideron njërin më të ndryshëm se tjetri. Nga aktori i situatave që prodhon komedi te “Koncert në vitin 1936” (1978) dhe deri te filmi i fundit “Ne dhe Lenini” (2008), si një personazh gatim gati grotesk. “Berti është shumë kokëfortë në sheshin e xhirimit, por unë me të kam punuar shumë ngushtë, sepse jam një regjisor që marrë shumë nga aktorët dhe pastaj i seleksionoj”, na rrëfen Kumbaro, duke i uruar jetë të gjatë Robert Ndrenikës në ekran edhe në skenë. “Aktori nuk ka moshë, aktori ka fuqi nëse e ndjen veten të fortë. Por, mirë është që shteti të mos kujtohet kur artistët ndahen nga jeta, por t’i vlerësojë ata sa janë gjallë. E gjithë kategoria shoqërore që merret me art është në një nivel ekonomik mesatar, sepse arti nuk të bën pasanik”, përfundon Kumbaro.

Muharrem Fejzo: 

Si u largua Ndrenika nga “Fije që priten” Regjisori 

Muharrem Fejzo dëshiron që për datëlindjen e 75-të të Ndrenikës t’u rikthehet edhe njëherë kujtimeve të tij. Ai kujton sesi në filmin “Fije që priten” rolin e punonjësit të Sigurimit fillimisht do ta luante Robert Ndrenika, por pushtetarët e lartë nuk mund ta pranonin, që vëllai i një të arratisuri të luante një prej njerëzve “të tyre”, ndaj urdhëruan që ta zëvendësonin menjëherë. Në kujtimet e tij, Fejzo tregon zëvendësimi i Robert Ndrenikës u bë me Astrit Çermën. “Ishte periudhë e ashpër e luftës kundër liberalizimit. Ishte një kompleks gjërash që të merrnin frymën dhe ne si krijues e kishim jashtëzakonisht të vështirë, sepse censura binte pa mëshirë mbi ne. Ne kishim një kinomekanik që i thoshim Qafa, që shfaqte filmat tek udhëheqja. Kur kthehej pas projeksionit, ne e prisnim tek shkallët e Kinostudios, nëse po vinte duke qeshur apo jo. Kur vinte i zymtë dhe bishtnonte, thoshim: Bobo e hëngri ky!”. Largimin e Ndrenikës nga filmi Fejzo e ndiente si një barrë të rëndë, edhe pse aktori e priti me një mirëkuptim të jashtëzakonshëm. Prandaj ai i ofroi rolin e Kockës tek “Mësonjëtorja”, ndërsa më pas, edhe me zbutjen e situatës politike, Robert Ndrenika u rehabilitua tërësisht, duke u bërë një nga emrat e pazëvendësueshëm të kinemasë dhe teatrit shqiptar…

Mitro Çela: 

Ndrenika, aktori që urrente rolin e deputetit Rreth vitit ’77-të mora shtëpi në rrugën “Myslym Shyri”. Karshi pallatit zgjatej një rrugicë. Në fund të saj, një shtëpi e rrethuar me mur… Rrallë shihja një derë që hapej. Dilte një djalë. Ishte Robert Ndrenika! Një ditë i zura pritë tek tuneli. I zgjata dorën.-Të kam parë në film! Të kam lexuar në gazetë.-Të pëlqen teatri?-Nuk di ku bie dera e Teatrit Kombëtar?!-Mëkat! Vjen me mua të presim bileta? Rrallë i bie fati njeriut, të shoh edhe një kryevepër, si “Pamja nga ura”; edhe të luajtur nga një artist i madh, si Pirro Mani.Nuk ia prisha. Më shumë për t’u mburrur se kisha mik Robert Ndrenikën. Nga ajo ditë nuk i jam ndarë teatrit. Berti u bë sebep që unë të kisha miqësi me ajkën e aktorëve dhe regjisorëve; Dhimitër Anagnosti, Pirro Mani, Kadri Roshi, Sandër Prosi, Sulë Pitarka, Tinka Kurti, Ndriçim Xhepa, Roland Trebicka…Më 31 mars 1991 u bëra deputet i PD-së. Punoja ndërkohë në gazetën “RD”. Bie dera. 

U fut Berti.-U bëre deputet, mo Miti? Urime! Po bëre një vërë në ujë, do të qajmë si tek filmi: ‘Të vranë, o Miti, të vranë?!’ Politika de! Të njoh. Je djalë i urtë! Politika kërkon çakej…Me të lexuar e kam...-

Prill 1992. Isha graduar. Kryeredaktor i “RD”-së. Isha caktuar për deputet në Patos. Pa trokitur, u fut në zyrë Berti. U ul. Ngrysi vetullat. Lëshojë duart. Pa fjalë.-Të paska ngrënë gomari bukën?-Më thirri në zyrë, Sali Berisha. 

Regjisori juaj i PD-së.-Më tha: Populli i Dumresë të do për deputet?... I plasi barku për mua. Thash… Mendohu? Më tha. Përgjigjen e dua pas tre ditëve…Rrugës për te zyra jote m’u kujtua koha e qoftëlargut… Kur do bëhej ndonjë film, më thërriste regjisori. “Bert! Kam një skenar të bukur. 

Të dua edhe ty në film. Por ti e di vetë: Ke rol negativ?!”. Më ishte arratisur vëllai në Gjermani. Isha me “kleçkë” në biografi. Edhe propozimi i Berishës, me kujtoi regjisorët e filmave. Ti si thua?- Unë them pranoje. Por, “pyet shtatë a tetë dhe bën si do vetë?”.-Na qenke bërë edhe diplomat, mo Miti?!Dhe të dy u zgjodhëm deputetë. Rrinim së bashku nga fundi i sallës. Kaluan 6 muaj. Berti si në gjemba. Më fton për kafe.-Më more në qafë. Në skenë luaj çdo rol. Prefekt. Yzmeqar. Aga. Partizan. Ballist. Rolin e deputetit nuk e honeps. Bëj të flas. Më mbetet fjala në grykë...-Shiko aktorët që kemi në parlament? Ai me baluke, është nga Korça. Ka qenë spiun. Shiko këtë burrin karshi? Ka qenë diplomat dhe gjykatës në kohën e Enverit. Sot ka vënë në grykë të topit këdo që i del përpara? Shiko këtë ministrin? Thonë se nuk ka ku fut paratë, që i vjedh miletit?…-Po më zihet fryma! Dua të iki një orë e më parë… Por më kanë zënë kokën me derë, njerëzit e thjeshtë që më dhanë votën?!...Për një gjë jam i sigurtë: Nuk do gjendet regjisor, të më mbushi kaptinën, të bëhem përsëri deputet?!... Dhe e mbajti fjalën!

    Data: 10 Janar 2017 12:18
    Autori: GazetaExpress
    • U censurua në Turqi, filmi i Nik Xhelilajt fiton çmim në Francë

      U censurua në Turqi, filmi i Nik Xhelilajt fiton çmim në Francë 0

    Të tjera