Kthehu lart

Zgjedhjet e ardhshme kanë nevojë për përmirësime

Zgjedhjet e ardhshme kanë nevojë për përmirësime
GazetaExpress E enjte, 21 Shkurt 2013 14:17

Drejtorët e shkollave duhet të kenë vetëm rol logjistik dhe nuk duhet të jenë më menaxherë të Qendrave të votimit. Ata thjeshtë duhet ta kenë vetëm një rol teknik në ditën e zgjedhjeve, që të aktivizojnë gjeneratorin nëse ndalon rryma dhe të hapin dhe mbyllin klasat, kur përcaktohet mbajtja e votimeve.

Këto dhe shumë të tjera janë rekomandimet që janë bërë të enjten nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në raportin “Mësimet e nxjerra për zgjedhjet e ardhshme - Analizë e zgjedhjeve për kryetar komune në Ferizaj dhe Kaçanik?”

Në tryezën ku u publikuan të dhënat dhe rekomandimet të pranishëm ishin Albulena Haxhiu nga Vetëvendosja, Burim Ramadani nga AAK-ja dhe Norbert Ruetsche, Sekretari i parë në Ambasadën Zvicerane.

Punimi ofron një analizë të procesit zgjedhor ashtu siç është vëzhguar gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar komune në Ferizaj dhe Kaçanik.

Kërkimi ka nxjerrë në pah ndryshimet pozitive në këto zgjedhje për dallim nga zgjedhjet e fundit nacionale si dhe trajton sfidat që ende mbeten për t’u tejkaluar.

Kërkimi ka theksuar problemet që kanë të bëjnë me turmat nëpër korridore të vendvotimeve, problemet me votim në emër të të tjerëve, rolin e KQZ-së.

Pjesa më e madhe e rekomandimeve u përkrahën nga anëtarët e panelit, dhe njëherit u shpreh nevoja që rekomandimet t’i dërgohen deputetëve dhe anëtarëve të komisionit për reformë zgjedhore që të merren parasysh gjatë procesit të amandamentimit të ligjit zgjedhor.

Rekomandimet e tjera thonë se duhet të depolitizohen tavolinat ndihmëse, që roli i komisionerit gjatë ditës së zgjedhjeve është shumë i rëndësishëm për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe përgjegjësia e tyre duhet të rregullohet me ligj dhe jo të varet nga vullneti individual, ashtu siç ka qenë deri më tani.

KQZ-ja nuk duhet të ketë diskrecion për numrin e komisionerëve në një vendvotim të caktuar. Paraprakisht, KQZ shpesh ka marrë vendime për këtë çështje, nganjëherë duke zvogëluar numrin e komisionerëve për vendvotim në minimum. Numri duhet të rregullohet me ligj dhe asnjë vendvotim mos të cenohet nëse nuk ka pasur mjaft interes nga të gjitha subjektet.

KQZ-ja duhet të miratojë një rregullore e cila siguron që 30% të komisionarëve të jenë femra. Deri më tani, përfaqësimi i gruas ka qenë shumë i ulët.

Komisionarët të mos jenë nga komunat prej nga vijnë, kabinat e votimit duhet të kthehen në atë mënyrë që u mundëson vëzhguesve të shohin shpinën e votuesit.

Vëzhguesit duhet të lejohen që të ulen prapa komisionerëve në vendvotime, pastaj të reduktohet numri i vëzhguesve të partive politike. Ndërsa sa u përket bejxhave, ata këshillohet të jenë tërë kohën të dukshëm

Raporti këshillon që duhet të zvogëlohen kompetencat ligjvënëse të KQZ-së ndërsa t’i shtohen sekretariatit të KQZ-së, i cili duhet të marrë më shumë kompetenca për t’u transformuar në një organ më profesional që është funksional dhe nuk varet nga Komisioni me përbërje politike.

Përveç një doracaku, D4D këshillon që duhet përmirësuar ndjeshëm niveli i trajnimit për komisionarët.

Sigurimi duhet të obligohet të parandalojë militantët që shprehin propagandë politike nga hyrja në qendrat e votimit. E mbi të gjitha KQZ duhet të organizojë fushatë kundër votimit familjar dhe të udhëzojë komisionerët se si të merren me këto raste, të udhëzojnë votueset për të drejtën e tyre dhe të insistojnë me këmbëngulje për të reduktuar rastet e votimit familjar.

Pastaj kërkohet mbështetje për hapësira për qasje të personave me aftësi të kufizuara dhe të insistojë që të hapen më tepër vendvotime në katet përdhes.

Gjithmonë, duke ju referuar këtij raporti, thuhet se duhet të qartësohet se me cilat dokumente mund të votohet, ngase sipas D4D, ka pasur raste ku tentohet të votohet edhe me kartela të bankës, kopje të letërnjoftimeve, pasaporta të huaja etj.

E mbi gjithçka tjetër duhet përmirësuar listën e votuesve ndërsa diaspora duhet të vendoset në një listë të veçantë.

Si dhe të bëhet e detyrueshme që të raportohen të gjitha rezultatet në format të njëjtë nga viti në vit dhe të zbërthyera për vendvotim. Edhe rezultatet e anuluara duhet të publikohen për transparencë.

Rekomandime tjera përfshijnë nevojën për një Ligj për Partitë Politike dhe një ligj më të detajuar zgjedhor.

Data: 21 Shkurt 2013 14:17
Autori: GazetaExpress

Të tjera