Kthehu lart

Zbulohet një kishë në Qytetin e Ulpianës

Zbulohet një kishë në Qytetin e Ulpianës
GazetaExpress E diel, 18 Gusht 2013 20:47

Të hënën, në sheshin e Prishtinës, do të filloj manifestimi “Ulpiana - Krenaria jonë”, që ka për qëllim që qytetarët kosovarë dhe të vendeve të ndryshme të botës t’i njohin rrënjët dhe ta dinë se ku ishte Prishtina e vjetër.

Qyteti antik Ulpiana, i cili ndodhet pranë Graqanicës, është vendi arkeologjik që konsiderohet si më i rëndësishmi në Kosovë.

Organizatori i këtij manifestimi Nol Kristaj, ka thënë se në Ulpianën e vjetër, ka monumente të shumta si varreza misterioze, dhe sipas tij, dje është zbuluar edhe një kishë, ku janë bërë më parë pagëzimet.

Edhe pse Ulpiana e vjetër, vend kaq shumë me vlerë, Kristaj ka thënë se nuk vizitohet shumë nga turistët. Ai ka thënë se nuk është bërë mjaftueshëm për ekspozimin e këtij vendi. Kristaj, ka pohuar se kjo është edhe një arsye më shumë pse kanë vendosur të bëjnë manifestimin sepse sipas tij qytetarët duhet të njoftohen me Prishtinën e vjetër dhe të rritet numri i vizitorëve.

“Nuk është bërë shumë sa mundet m'u bë, ndoshta shpresoj se nuk ekziston ajo frika që është në Graqanicë, Ulpiana e vjetër, kështu që janë bërë shumë tribuna, ekspozita. Ne deshëm ta ndryshojmë këtë manifestim dhe e kemi bërë improvizimin në maket të Ulpianës. Shpresoj me këtë improvizim, ndoshta edhe qytetarët mund të ndryshojnë mendimin dhe ta vizitojnë atë vend që është edhe Prishtina e vjetër”, ka theksuar Kristaj.

Kristaj, ka treguar se dje në Ulpianë, është zbuluar një kishë që është edhe zbulimi i parë për këtë vit që është bërë. Ai shpreson se do të bëhen edhe zbulime të reja por sipas tij kjo varet se sa do të ndaj mjete edhe Ministria e Kulturës.

“Tash është zbuluar një kishë. Qysh dje e kanë tregu që është zbuluar sipas atyre është 1 deri 2 për qind e zbulime. Tani varet sa kanë mjete prej Ministrisë së Kulturës. Shpresojmë se do të ketë edhe zbulime te tjera, por zbulimi është bërë këtë vit, vetëm një kishë ku janë bërë pagëzimet”, ka thënë Kristaj.

Gjithashtu, Kristaj ka thënë se janë ndarë shumë të zhgënjyer me Qeverinë aktuale, pasi, sipas tij, nuk kanë ndarë as mjete e as nuk e kanë përkrahur këtë organizim, i cili sipas tij është një slogan për motivimin e qytetarëve që të njihen me monumentet arkeologjike dhe ta dinë se ku është ndodhur Prishtina e vjetër.

“Nga Qeveria asnjë send. As nuk na kanë ndihmuar, na kanë zhgënjyer me një fjalë po nuk mund ta përdori, nuk mund ta them atë fjalë, mbështetje kemi gjetur vetëm nga Ambasada amerikane dhe nga Komuna e Prishtinës”, ka shtuar Kristaj.

Kristaj, ka treguar se manifestimi është nën patronatin e Komunës së Prishtinës dhe kryetarit të saj Isa Mustafa, dhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë. Ai ka thënë se manifestimi do të zgjas pesë ditë, ku do të ketë ekspozita, orë letrare kushtuar Ulpianës, tribunë kushtuar martirëve të Ulpianës, Film Dokumentarë “Ulpiana”, orë artistikë për recitim, program kulturoro – artistik, ku edhe do të përmbyllet manifestimi.

Kristaj, ka thënë se ky manifestim i cili po organizohet për herë të parë nga shoqata “Anton Pashku” dhe “Pjetër Bogdani”, do të bëhet manifestim tradicional, dhe sipas tij viteve të tjera do të jetë edhe nëpër qytete të tjera të Kosovës. Ai shpreson që qytetarët të marrin pjesë masivisht në manifestim dhe ta shohin se si duket Ulpiana e vjetër, dhe ditëve në vazhdim ta vizitojnë atë./kosovapress/

Data: 18 Gusht 2013 20:47
Autori: GazetaExpress

Të tjera