Kthehu lart

“Yue Madeleine Yue” në turqisht

“Yue Madeleine Yue” në turqisht
GazetaExpress E premte, 14 Shtator 2012 14:29

Drama “You Madeleine You” e autorit kosovar Jeton Neziraj është përkthyer dhe botuar këto ditë në turqisht nga shtëpia botuese turke “Mitos Boyut Yayınları”.

Drama në gjuhën turke është përkthyer nga Senem Cevher. Për botimin turqisht, botuesi ka përdorur emrin e parë të kësaj drame “Qyteti po rritet” (Şehir Büyüyor), por duke shënuar edhe nëntitullin “Yue Madeleine Yue”.

Kjo është drama e dytë e Nezirajt që botohet në turqisht. Më herët, sivjet, është botuar edhe drama për fëmijë “Ura”.

Përpos në turqisht, kjo dramë është përkthyer edhe në anglisht, gjermanisht, e kroatisht.

Në qendër të kësaj tragjikomedie të absurdit është një familje rome e kthyer me forcë nga Gjermania në Kosovë. Të ndodhur në një realitet të ri, atyre tani u duhet të ballafaqohen me sfidat e shtetit të sapolindur. Vajza rome, Medlin, një ditë bie në një gropë të hapur nga një kompani ndërtimi. Dhe derisa vajza e mbetur në koma, lufton me vdekjen, babai i saj, në përpjekje për të kërkuar drejtësi, ballafaqohet me zyrtarë burokratë, biznesmenë, policë e punëtorë ambasadash. Kjo është një dramë politike për pasluftën kaotike në Kosovë, por, para së gjithash, është një dramë për romët e padëshiruar në Evropë. Larg atyre stereotipeve për romët, larg atij ekzotizmit që përcjellë zakonisht temat rome, “Yue Medlin Yue” është një dramë inteligjente që shqyrton në mënyrë të shkëlqyeshme procesin emocional nëpër të cilin sot kalojnë me mijëra rom të Evropës, të cilët u nënshtrohen proceseve të dhunshme të ri-atdhesimit.

“Yue...” ka pasur premierën botërore në teatrin e famshëm austriak “Volkstheater”, ku është dhënë në kuadër të festivalit “Die Besten aus dem Osten: Folge 10”, me datë 24 dhe 25 shkurt, ndërsa që, më pas është shfaqur edhe në Kosovë, me datë 21 maj, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në Beograd, me 23 maj në Qendrën për Dekontaminim Kulturor dhe tash së voni në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit “Zoom” në Rijekë të Kroacisë.

Mediat austriake i patën dhënë jehonë të jashtëzakonshme shfaqjes kosovare. Gazeta kryesore austriake Der Standard, ndër të tjera, pat shkruar: “Blerta Neziraj ka inskenuar ketë rrëfim tragjik me gjashtë aktorë dhe dy muzikantë, si një revy temporale numrash. Shfaqja është përplot humor, në mes një hareje fëmijërore dhe të një satire të furishme, nëpërmjet të cilave mëshira dhe poezia nuk qëndrojnë kurrë në të njëjtën rrugë” (Der Standard, Vienna). Edhe gazeta Wiener Zeitung ka publikuar një kritikë superlative për shfaqjen. “Gjashtë aktorë dhe dy muzikantë, me pak rekuizita sollën një ankth të çastshëm satiro-komik, të dhimbshëm e përlotshëm në një skenë të zhveshur, mbi dysheme.” (Wiener Zeitung, Vienna)

Data: 14 Shtator 2012 14:29
Autori: GazetaExpress

Të tjera