Kthehu lart

Vrasje me paramendim

GazetaExpress E premte, 29 Qershor 2012 11:51

Elitat politike në Prishtinë provojnë ta vrasin fjalën e lirë, e në Tiranë shkencën, inteligjencën. Bashkë me shpresat se një ditë do të bëhet mirë.

Po të ishin pjesë e ndonjë kampionati futbolli, institucionet e Kosovës nuk do të mund të bënin autogol më spektakolar sesa me Kodin e ri Penal. Të motivuar edhe nga inate e averzione personale, të zgjedhurit e popullit dy herë me radhë zgjodhën që të mos përfillin rekomandimet për heqjen e neneve. Kështu, Kosova u vu sërish në qendër të vëmendjes - natyrisht për të keq.

Historinë e dy neneve tashmë e dinë të gjithë, madje edhe ata që as do të duhej brengosur për këtë çështje. Sepse, të tillë e bënë institucionet kosovare të cilat, pasi udhëheqës të tyre u shfaqën të turpëruar, u vunë në lëvizje për të gjetur hapësira ligjore që të riparojnë dëmin që ia shkaktuan vendit. Gjithçka e bënë me vetëdije të plotë, me paramendim - punë e madhe se me të tilla veprime vrasin edhe ato pak shpresa që iu kanë ngelur njerëzve se “një ditë” Kosova do të bëhet një vend normal.

Beteja për liri të shprehjes nuk i takon as një gazetari të vetëm, as një medie të vetme, e as një grupi gazetarësh. Është shumë më shumë se kaq. Pavarësisht si votohet në Qeveri a Kuvend. Pavarësisht se dikush, me qejf, do të dëshironte t’i shihte të gjithë gazetarët prapa grilave.

Para dy muajsh, me vullnetin e tyre të lirë, shumica e deputetëve u bënë bashkë kundër gazetarëve e mediave, duke i konsideruar armiq, e jo partnerë. Tash, ka nga ata të vetëdijesuarit, siç është rasti i një çuni opozitar që, duke dashur ta lajnë vetën, provojnë të japin leksione se kundër kujt u dashka protestuar gazetarët. Sikur harrojnë se kohë më parë u gjendën në të njëjtin front me kolegë të tyre rivalë, që plot kënaqësi ngritën duart për t’ua mbyllur gojën gazetarëve. Me paramendim. Dëmi tashmë është shkaktuar dhe duket se është gjetur rasti i gabuar për të përfituar poena politikë në kurriz të gazetarëve.

Të vjen të qeshësh e të qash njëkohësisht, kur dëgjon zyrtarë institucionalë që bëjnë krahasime të situatës së mediave dhe gazetarëve në Kosovë, me vendet e BE’së. Sikur harrojnë sistemin e dobët dhe të mbytur nga politika të drejtësisë në Kosovë. Sikur harrojnë ambientin aspak të favorshëm në të cilin zhvillohen mediat tek ne. Madje, edhe kur përmendin nene e kode të shteteve të caktuara, harrojnë se ligjet e BE’së janë mbi ato nacionale.

Këta e patën rastin të veprojnë sipas parimeve dhe frymës europiane, por dështuan. I vranë ato. Me paramendim.

* * *

Kur flasin për Kodin Penal, zyrtarë institucionalë kosovarë kanë në mendje ndonjërin nga gazetarët, që në ndonjë rast i paska sulmuar në ndonjë shkrim a kronikë televizive. Dhe, miratimin e ligjit me nenet kontestuese e shohin si hakmarrje.

E me hakmarrje duket se ka punë edhe Tirana – kësaj here jo ndaj gazetarëve, por ndaj një personaliteti siç është Rexhep Qosja.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë nuk e ka ftuar Qosjen në akademinë solemne që do të mbahet në nëntor, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Shkas: Qosja ka kritikuar në shkrimet e tij Sali Berishën! Një skandal dhe turp i pashoq, nga institucioni më i lartë i një shteti që po feston një shekull mëvetësi.

Si u bëka që një mendje e ndritur si Qosja të mos ftohet në një të tillë ngjarje, vetëm pse paska shkruar kundër Berishës? A ka të drejtë ai dhe të tjerë si ai ta kritikojë një kryeministër, të Shqipërisë a të Kosovës? A kanë të drejtë gazetarët t’i kritikojnë ata? Apo, mendësia e udhëheqësve në Prishtinë e Tiranë është në nivel aq të ulët, sa të përdorin metoda të tilla të ulëta ndaj atyre që guxojnë t’ua numërojnë të zezat?

Po që se deputetët e qeveritarët kosovarë do të bëheshin bashkë në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, ashtu siç u bënë kundër gazetarëve, punët do t’i kishim shumë më mirë. Qytetarët do të fitonin qeverisje më të përgjegjshme, e politikanët e zgjedhur përgjegjësi ndaj qytetarëve. Askush nuk do të kishte nevojë të ndihet i turpëruar për veprimet e askujt. Për veprimet e ndërmarra me paramendim.

E po që se Akademia e Shkencave e Shqipërisë nuk do të punonte sipas qejfit të Sali Berishës, s’do të lejonte që politika të vendos se kë duhet ftuar e kë jo në një solemnitet.

Me të tilla elita politike, Shqipërisë s’ka ç’i duhen 100, e as Kosovës katër vjet shtet.

Sepse, këta njerëz ta vrasin shkencën, ta vrasin inteligjencën. Bashkë me shpresat se një ditë do të bëhet mirë.

Data: 29 Qershor 2012 11:51
Autori: GazetaExpress

Të tjera