Kthehu lart

Vihet gurthemeli për Fakultetin e Bujqësisë

Vihet gurthemeli për Fakultetin e Bujqësisë
GazetaExpress E premte, 26 Korrik 2013 20:23

Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë i Universitetit të Prishtinës, gurëthemeli i të cilit është vënë sot do të ketë objektin më të mirë në të gjithë rajonin. Ku mendohet të jetë hapi i parë drejt krijimit të kushteve adekuate për mësim, në mënyrë që të përmirësohet ambienti fizik.

Pikërisht, ambienti fizik për rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, është quajtur një nga dy sfidat kryesore e cila është ndër prioritet e menaxhmentit aktual të UP-së.

“Vënia e gurit të themelit për objektin e ri të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë që po e bëjmë sot është një hap i ri dhe i parë në përmirësimin e ambientit fizik, pra në krijimin e kushteve për funksionimin normal të fakultetit më me traditë por edhe me rezultate të të shënuara në dhjetë vjetët e fundit”, ka thënë Gashi.

Dekani i Fakultetit të Bujqësisë, Bedri Dragusha ka thënë se objekti i ri do të plotësoj kushtet për mbarëvajtjen e procesit mësimor teorik dhe praktik.

“Bëhet fjalë për një objekt me rreth 10 mijë metra katrorë, objekt ky dhe hapësira këto që do të jenë të mjaftueshme për mbarëvajtjen e procesit mësimor teorik dhe praktik në kuadër të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, pra me këtë objekt fakulteti do të ketë hapësira të mjaftueshme për salla mësimi, do të ketë hapësirë të mjaftueshme për laboratore dhe për kabinete”, ka thënë Dragusha.

Kryetari i Komunës së Prishtinës Isa Mustafa, ka thënë se ndërtimi i këtij objekti ka rëndësi të shumëfishta, kjo për faktin se do të ndikoi në zhvillimin ekonomik, pasi bujqësia është sektor me perspektivë në vendin tonë.

“Është i rëndësishëm edhe për orientimin tonë ekonomik sepse po bëhet në një fushë në të cilën ne kemi nevojë të investojmë, të krijojmë parakushte dhe të fillojmë me prodhimtarinë tonë e cila do të jetë shumë më e mirë se sa që është ajo që sot po importojmë dhe po e shfrytëzojmë si dije dhe si punë të hujë në Kosovë”, ka thënë Mustafa.

Edhe Ministri i Arsimit Ramë Buja, i cili projektin e ka quajtur rezultat i angazhimit të madh të institucioneve, ka thënë se bujqësia për Kosovën ka vlerë të madhe dhe po kompletohet me kuadro profesionale që do të dalin nga universitetet moderne.

Ndërtimi i objektit do të realizohet në tre vjetet e ardhshme derisa do të kushtojë 3 milionë euro.

Data: 26 Korrik 2013 20:23
Autori: GazetaExpress

Të tjera