Kthehu lart

Vatra, 100 vjet pas krijimit në Boston

Vatra, 100 vjet pas krijimit në Boston
GazetaExpress E martë, 13 Mars 2012 21:00

Një grup veprimtarësh nga Bostoni po përpiqen të vendosin një pllakë përkujtimore në vendin ku u themelua Vatra, organizata panshqiptare e Amerikës, e cila këtë vit mbush 100 vjet. Në këtë vit jubilar, veprimtarët e Vatrës kujtojnë rrugën e saj të gjatë dhe reflektojnë për rolin që ata mendojnë se kjo organizatë mund të luajë në të ardhmen.

Në vitin 1912, në rrugën Tremont të Bostonit, në ndërtesën me numër 227, ka qenë një kishë, në sallën e së cilës disa shoqata emigrantësh shqiptarë u bashkuan në një federatë, duke themeluar Vatrën, organizatën më të madhe të shqiptarëve të Amerikës. Van Kristo, aktivist i komunitetit, tregon se zonës i janë shtuar ndërtesa të reja dhe shumë pak ka mbetur nga pamja e dikurshme e rrugës. Kristo, i cili ka patur një biznes reklamash dhe tani shkruan për blogun me emrin Frosina, e komenton kështu rëndësinë e themelimit të Vatrës.

“Kristo Floqi, Kolë Tromara, Kristo Kirka, takoheshin atje dhe me anë të përpjekjeve, dëshirës së mirë dhe vendosmërisë së këtyre shqiptarëve mjaft besnikë, u bë e mundur të hidheshin bazat e Vatrës dhe Diellit si dhe në një masë të madhe bazat e krijimit të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikës, që u drejtua nga Fan Noli. Pra, ky vend ka rrënjë të thella historike dhe duhet të përkujtohet, që edhe amerikanët ta dinë. Por kjo ka edhe më tepër rëndësi për të rritur krenarinë e shqiptarëve që jetojnë në Boston ose që vijnë për të vizituar Bostonin, sepse ky do të jetë një vend që ata do të duan ta vizitojnë.”

Sot, Bostoni nuk është më qendra e Vatrës. Disa dekada më parë, zyrat e organizatës u zhvendosën në Nju Jork, me arsyen se atje jeton një numër i madh i shqiptarëve të Amerikës. Por aktivistët e Bostonit duan ta përkujtojnë historinë e lindjes së Vatrës me një pllakë përkujtimore që duan të vendosin aty ku u krijua Federata Panshqiptare:

Publicisti nga Bostoni, Agron Alibali, është njëri nga nismëtarët për vendosjen e pllakës.

“Kjo pllakë, thotë ai, do të jetë e para dhe e vetmja në SHBA për të nderuar komunitetin shqiptaro-amerikan dhe kontributin që ka dhënë ky komunitet në forcimin e lidhjeve dhe të miqësisë midis SHBA dhe Shqipërisë.”

Sotir Pani nga Dardha e Korçës, është bir i njërit prej atyre që punuan për Vatrën në Boston. I ati i tij quhej Vasil Pani, një personalitet i shquar i federatës panshqiptare, i cili ishte në Boston kur këtu u themelua Vatra, në vitin 1912.

“Meqë ishte një i ri aktiv dhe e kishte provuar patriotizmin edhe me armë në dorë, tregon Pani, ai u bë sekretar i Shoqërisë Vatra, pastaj arkëtar dhe më 1929 u zgjodh kryetar i saj. Punoi në Vatra me gjithë shpirt, forcoi degët, lidhjet më të mëdha i kishte me Konicën”.

Sipas Van Christo, Fan Noli, Faik Konica dhe patriotët e tjerë meritojnë respektin e vazhdueshëm të të gjithë shqiptarëve në SHBA si dhe kudo tjetër në botë, për atë që bënë në Amerikë sidomos në Boston.

Alibali mendon se kjo duhet të kujtohet e nderohet:

“Jam i sigurt se edhe shumë veta që do të vijnë të vizitojnë Bostonin, do të gjejnë në këtë vend një pikë të domosdoshme për ta vizituar dhe për të nderuar këtë trashëgimi historike të rrallë dhe të çmuar”.

Shqiptarët e atyre kohëve të para, thotë Van Christo, bënë aq shumë për të ngritur një komunitet, gazeta dhe një kishë dhe për ta çuar përpara shqiptarizmin.

“Kjo na mungon shumë sot, jo vetëm në Amerikë por edhe në Shqipëri. Mendoj se kjo është me shumë rëndësi dhe thellë brenda meje unë besoj se ajo ditë do të vijë, e kjo do të jetë një ditë e lavdishme për shqiptarët kudo në botë. Ata munden që në kuptimin e vërtetë të fjalës të bëhen zëri i ri i Shqipërisë në Amerikë, në mënyrë që të tjerët të kenë mundësi të dinë se cilët ishin shqiptarët, cilët janë dhe përse meritojnë një vend shumë të respektuar, sidomos në Ballkan”.

Sipas Van Christo, Vatra ka qenë dhe duhet të jetë gjithmonë jopolitike.

“Si rrjedhojë e asaj që thuhet në vetë statutin e saj, Vatra është një organizatë ombrellë për shqiptarët e çdo besimi, të krishterë ortodoksë, katolikë ose myslimanë, apo të çdo bindjeje politike për sa kohë që ata nuk i sjellin këto bindje brenda në organizatë dhe nuk përpiqen t’i përhapin ato. Vatra tradicionalisht ka qenë dhe duhet të jetë gjithmonë jopolitike”.

Sigurisht, thotë Pani, Vatra nuk mund të luajë atë rol që luajti në atë kohë, por përsëri ka vend për ndihmën e saj, për shembull ajo mund të ndihmojë emigracionin shqiptar në Amerikë.

“Mendoj që kjo Vatër 100-vjeçare mund të shkojë edhe 100 të tjera në qoftë se krijon degë të forta dhe lë pasardhës me ndjenja patriotike, duke vizituar edhe Shqipërinë por edhe me organizimin këtu të shkollave për të mësuar gjuhën shqipe. Vatra mund të ketë shumë aktivitete. Ajo mund të krijojë një muze të shqiptarëve në Amerikë, një muze në Harvard me Albanian e Konicës që njerëzit të afrohen, sepse tani janë krijuar shumë organizata dhe duhet që ne të kemi organizatë nën Vatrën dhe të gjitha të tjerat mund t’i quajmë bija të Vatrës.” /voa/

Data: 13 Mars 2012 21:00
Autori: GazetaExpress

Të tjera