Kthehu lart

Turizmi në Shqipëri, “vizitorë” apo “turistë”?!

Turizmi në Shqipëri, “vizitorë” apo “turistë”?!
GazetaExpress E martë, 04 Qershor 2013 13:31

Pa të dhëna statistikore të sakta kjo industri është vështirë të zhvillohet, duke pasur parasysh se statistika është themeli mbi të cilat përcaktohen planet zhvilluese për një industri turizmi të qëndrueshme.

Shqipëria, për nga pozita gjeografike i takon të thuhet se pozicionohet në zemër të Mesdheut (deti Adriatik dhe ai Jon), por fatkeqësisht ende nuk ka krijuar një identitet të sajin në turizmin rajonal ballkanik pa folur për një identitet në tregun ndërkombëtar. Vendi ynë është një vend që për nga burimet natyrore, ujore, vlerat historike, kulturore, arkeologjike, mikpritjes së çiltër të të huajve e shumë aspekte të tjera, ka më shumë vlera nga disa vende të rajonit. Kjo nuk mjafton, për vetë realitetin ku ndodhet sot turizmi në Shqipëri, parë kjo nën okelion e atyre që e kanë profesion dhe kanë vendosur të punojnë gjatë në këtë industri. Në ditët e sotme, sfidat më të mëdha mbeten ende të paprekshme. “Turizmi prioritet” nga sfidat e shumta elektorale, ku dhe ai bën pjesë, është kthyer në një shprehje vulgare për slogane elektorale. Në bindjen time, ata që punojnë në këtë industri, e ndiejnë më shumë keqpërdorimin e termit “turizëm”. Për profesionistët shqiptarë që vegjetojnë dhe mundohen të shmangin pengesat e shumta, do të ishte më mirë që termi “prioritet turizmit” të zëvendësohej nga puna konkrete, komunikimi i frytshëm me biznesin, legjislacioni i kompletuar, për ta çuar përpara këtë komponent të rëndësishëm të ekonomisë sonë.

Ka shumë spekulime sa i përket numrit të turistëve që hyjnë në Shqipëri, konceptet profesionale keqpërdoren. Mjafton të ndajmë dy konceptet bazë, të cilat jo vetëm dezinformojnë opinionin publik, por na kanë lënë ende në gjumin e thellë se në Shqipëri ka turizëm. Termi “turizëm” për çdo shqiptar sot është një utopi. Në të gjitha vendet e botës, ku kjo industri funksionon më së miri, bëhet e prekshme nga qytetarët, duke u përkthyer në punësim dhe në mirëqenie. Sipas Organizatës Botërore të Turizmit (UNTWO), turizmi sot është një industri e pakrahasueshme me të tjerat për nga impakti që reflekton në uljen e papunësisë në planet. Një (1) në nëntë (9) punonjës në planet punon në këtë industri, në punësim direkt dhe akoma më shumë në punësim indirekt. Punësimi indirekt është diçka që mund të kuptohet nga çdo kush, mjafton të dijë zinxhirin e kërkesave për shërbime, të mira dhe produkte mbështetëse që kërkon kjo industri.

Standardi statistikor ndërkombëtar për matjen e numrit të turistëve mbetet numri i “Overnights” ose numri i fjetjeve në një destinacion, për ta thjeshtëzuar e shqipëruar po e quajmë “bujtës”. Ky është argument i standardizuar, i cili është evident në çdo bord turizmi i cilitdo shteti europian a më gjerë.

Është e patolerueshme që nga politika, apo institucionet publike të ngatërrohet termi “vizitor” me termin “turist”. Për shkak se kjo industri është ende e paprekshme nga shumica e shqiptarëve, qoftë dhe ata që jetojnë në bregdet, spekulimi bëhet akoma më i rëndë. E mira është të sqarojmë termat e keqpërdorura jo për të ndëshkuar dikë, por për t’i bërë të mendojnë se duhet ndaluar spekulimi dhe të nisë një mënyrë tjetër profesionale e përdorimit të termave. Termi “vizitor” është shumë i saktë, bëhet fjalë për ata persona, qofshin shqiptarë apo të huaj, të cilët e vizitojnë Shqipërinë pa fjetur në njësi akomoduese qoftë dhe për një natë. Arsyet e kalimit të tyre në Shqipëri janë të shumta, një mundësi është se ata kalojnë tranzit brenda ditës nga një kufi në tjetrin, “kryesisht shtetasit kosovarë e shqiptarët e Maqedonisë”, tjetër mundësi është turistët e huaj, të cilët vizitojnë Shqipërinë më shumë nga periudha maj-tetor brenda ditës, kryesisht në skajin jugperëndimor Saranda (vizitorë nga Greqia që fjetjen e kanë në Greqi) dhe në skajin veriperëndimor (vizitorë nga Mali i Zi që fjetjen e kanë në Malin e Zi), apo kosovarët që shkëputen nga Kosova brenda ditës paguajnë 5 euro biletë vajtje-ardhje (kryesisht nga zona e Gjakovës dhe Prizrenit). Turistët e mirëfilltë janë ata të cilët së paku kalojnë një natë në një hotel në Shqipëri. A kemi ne një statistikë të saktë sesa të huaj apo dhe shqiptarë akomodohen qoftë dhe për një natë në njësitë akomoduese shqiptare? Nëse do t’i quajmë “bujtës”, sa bujtës numëron Shqipëria në një vit kalendarik??? Nuk ka të dhëna statistikore që e pasqyrojnë, për faktin se “MTKRS-ja, institucioni përgjegjës për turizmin, nuk bën transparencë për disa arsye. Arsyeja e parë është se ata ende nuk e kanë kuptuar terminologjinë “turist” dhe “vizitor” nëse e kanë nga padituria, apo e kanë nga mosdëshira për ta treguar të vërtetën, përgjegjësia e tyre në të dyja rastet. Arsyeja e dytë dhe më e forta, e cila është reale, është lënia e kësaj industrie për një kohë shumë të gjatë në informalitet me koshiencë të rikonfirmuar zyrtarisht dhe nga krerët më të lartë të institucioneve publike. Rrjedhimisht nuk kanë arritur të krijojnë bazat e informacionit në lidhje me njësitë akomoduese që realisht ka Shqipëria, ku përfshihen, hotelet, resortet, apartamentet, vilat, dhomat me qira etj., pa folur aspak për kategorizimin e tyre që duhet të ishte bërë me kohë. Megjithatë sot gjykojmë realitetin sikurse është, mbase kjo “liri ekonomike në industrinë e turizmit” mund të kishte dhënë rezultate të mira, fakti është se nuk ka funksionuar dhe na u kthye në një informalitet të dëmshëm. Në këto kushte, politika duhet të ndryshojë kurs, forma më e mirë do të ishte inventarizimi i saktë zë për zë dhe formalizimi i saj në mënyrë urgjente. Pa të dhëna statistikore të sakta kjo industri është vështirë të zhvillohet, duke pasur parasysh se statistika është themeli mbi të cilat përcaktohen planet zhvilluese për një industri turizmi të qëndrueshme.

Me argumentet e mësipërme del qartazi që numrat që ne dëgjojmë (pa dashur të paragjykojmë vërtetësinë e tyre), vijnë si rezultat i pozitës gjeografike në një rajon të zhvilluar turizmi qoftë nga fqinjët veriorë, por dhe ata jugorë, gjithashtu pozicioni gjeografik i Shqipërisë që ndodhet në kryqëzim të rrugëve lidhëse. Dikush mund të na përmendë infrastrukturën e përmirësuar, padyshim ka përmirësime, por ky përmirësim nuk mjafton të përkthehet në mirëqenie dhe punësim dhe do të donim të shtonim se po të kishim një turizëm të zhvilluar më së miri sot, infrastruktura do të ishte së paku 3-4 herë më e mirë nga ajo që kemi sot. Turizmi rrit investimet publike, përmirëson infrastrukturën, rrit punësimin, turizmi është mirëqenie, kjo tashmë është e padiskutueshme. A mundet politika të na mirëkuptojë dhe të mos trembet kur kërkon të bindë shqiptarët dhe u premton për uljen e papunësisë në katër vitet e ardhshme?! Do t’i referohesha vetëm raportit të “UNWTO” 1 me 9 dhe, duke pranuar faktin se turizmi në Shqipëri ende nuk ka krijuar themelet e shëndosha të zhvillimit. Kjo industri mund të punësojë “direkt” në 4 vite më shumë se 120.000 shqiptarë. Nëse pyesni për punësimin “indirekt”?! Shumë e lehtë, çdo turist konsumon produkte ushqimore, nëse do t’i prodhojmë në vend, atëherë fermerët nuk duhet të prodhojnë për të ushqyer vetëm shqiptarët, por tashmë edhe bujtësit që sjellin valutë.

(Shqip)

Data: 04 Qershor 2013 13:31
Autori: GazetaExpress

Të tjera