Kthehu lart

Tre flamuj dhe një kandidaturë

GazetaExpress E shtune, 10 Mars 2012 12:00

Presidentja aktuale që në start u cilësua si një kukull prej letre që ishte ndërtuar në zyrat e ambasadës amerikane. Në analogji me këtë, përse shqiptarët të mos e ndërtojnë një president nga kulla e Jasharajve?

Përkujtimi i Epopesë së UÇK-se edhe kësaj radhe dëshmoi se degradimi i vlerave tek ne nuk ka të ndalur. Këngëtaret tona të estradës, me bateritë e mbushura patriotizëm, nuk morën mundin që të këndojnë gjallë (live) për dëshmorët. Ato në plejback dëshmuan se kjo shoqëri njeh vetëm improvizimin si vlerë. Në anën tjetër, nën këtë qiellin tonë gri kund nuk u gjend hapësirë për flamurin e Republikës së Kosovës, ndërsa vazhdojmë të ankohemi përse lejuam që nëpërmjet një fusnote politike, të imponuar nga Serbia dhe Bashkimi Evropian, të eliminohet përdorimi i flamurit të shtetit më të ri në takimet rajonale dhe më gjerë. E si ka mundësi që të tjerët të kenë respekt më shumë se ne për shtetin tonë të bërë me sakrifica të mëdha!? Për më keq, këto ditë që shënojnë një ngjarje të madhe për ne, partia më e madhe opozitare, përkatësisht LDK, gjeti rastin që të promovojë idenë e saj për ndërrim të flamurit shtetëror dhe për zëvendësimin e tij me flamurin e partisë. Kështu me tre flamuj nën qiellin e Kosovës, zor të gjejmë rrugën e cila do të definonte qartë perspektivën tonë, përkundrazi.

Shikuar nga ky aspekt, krejt ajo që u tha dhe u trumbetua se fusnota politike për Kosovën nuk ka më shumë se kuptimin e një simbolike, nuk është më shumë se një demagogji, sepse realisht jeta jonë politike dhe shoqërore vazhdon të zhvillohet nëpërmjet uniformave, emblemave, flamujve dhe simboleve. Kështu, bazuar në logjikën improvizuese dhe estradeske të sjelljes sonë politike dhe shoqërore, me këtë rast nuk ke si të mos kujtosh thënien e njohur të Volterit: “I dua pak heronjtë. Ata bëjnë shumë zhurmë. Sa më shumë që forma e tyre ka shkëlqim, aq më të urrejtshëm bëhen ata”. E vërtet janë bërë të bezdisshëm këta heronjtë tanë të gjallë, të cilët ende vazhdojnë të përfitojnë nga bashkëluftëtarët e tyre të vdekur. Më në fund këtë e tha publikisht edhe Rifat Jashari, përfaqësuesi emblematik i familjes që sakrifikoi më së shumti për lirinë e Kosovës. Madje ai këtë e bëri nëpërmjet një akuze, e cila nuk ka mundur të mos rëndojë në veshin e çdo njeriu të këtij vendi. Ai tha tekstualisht se më me dëshirë do të ishte me të vdekurit se me ne të gjallët, të cilët pamëshirshëm po abuzojmë me gjakun e të rënëve, me gjymtyrët e invalidëve të luftës dhe me ata që sakrifikuan çdo gjë për këtë vend dhe mbetën në margjina të jetës si raste sociale dhe si të papërfillshëm fare.

Megjithatë lajm kryesor në mediet tona doli të ishte ai që kishte të bënte me mos shkuarjen e kryeministrit Thaçi në kullën e jasharajve. Dhe nuk mund të ishte ndryshe kur jeta jonë vazhdon të zhvillohet brenda skemave simbolizuese. Të jesh në Prekaz e të mos jesh në kullën e jasharajve është diçka që nuk funksionon si tërësi. Për më tepër këtij lajmi, në formë prologu, i parapriu deklarimi i përfaqësuesit të familjes Jashari, Murat Jashari, i cili deklaroi publikisht se në kullën e tyre ka kohë nuk shkojnë kryeministri Thaçi dhe kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku. Ky lajm mori në peshë edhe për faktin se në kullën e jasharajve u prit lideri i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, i cili në mënyrë të egër provon të uzurpojë kuptimin opozitar të skenës sonë politike. Në këtë mënyrë i binte sikur jasharajt të ishin pozicionuar në anën e opozitës dhe kundër pozitës aktuale. Madje, në kuadër të zhvillimit të logjikës spekuluese, u tha se Murat Jashari do të mund të jetë kandidat i VV për president të Republikës së Kosovës. Dhe bazuar në shumë faktorë, kjo edhe duket të jetë një gjë e natyrshme. VV mbështetet në konceptet etnonacionaliste dhe në një frymë moralizuese që karakterizon lëvizjet populliste, gjëra këto që nuk janë përjashtuese edhe për përfaqësuesin e familjes me kredibilitetin më të madh patriotik dhe moral në hapësirat tona, përkundrazi.

Në fakt, edhe përtej kësaj, kur edhe më herët është folur se Murat Jashari mund të jetë kandidat i mundshëm për president të Kosovës, mendoj se kandidatura e tij do të ishte shumë serioze dhe me mundësi shumë të mëdha që posti i njeriut të parë të Kosovës t’i jepet një anëtari të kësaj familje, e cila në këto vite të pasluftës ka ruajtur veten nga ndikimet partiake, duke u identifikuar kështu me një strehë unifikuese. Mbase është krejt e natyrshme që ky tip, i cili dështoi për arsye të njohura për ta marrë postin e ombduspersonit, të futet seriozisht në këtë garë dhe madje ta fitojë atë, ndërsa ka shumë favore për këtë. Në kohën kur klasa jonë politike është komprometuar kaq shumë dhe kur mbijetesën e ka lidhur nëpërmjet klientelizmit, gjasat për të fituar në këtë garë nuk mund të jenë të vogla për Murat Jasharin, i cili në paraqitjet e tij publike ka dëshmuar një qëndrim serioz dhe shumë premtues për një politikan karriere, pavarësisht mungesës së përvojës në subjektet politike. Më në fund as presidentja aktuale nuk kishte një përvojë të tillë. Mbase ishte një emër gati krejt anonim dhe si i tillë u prit me shumë paragjykime dhe dyshime. Presidentja aktuale që në start u cilësua si një kukull prej letre që ishte ndërtuar në zyrat e ambasadës amerikane. Në analogji me këtë, përse shqiptarët të mos e ndërtojnë një president nga kulla e jasharajve? Përse shqiptarët e Kosovës të mos e delegojnë edhe vullnetin e tyre politik në këtë kullë, të cilën e kanë shpallur si Mekë të tyre?

Sigurisht që kjo zgjedhje për shumë kë nuk do të ishte e dëshirueshme, por e mundshme sigurisht që po. E në politikë funksionojnë gjërat e mundshme dhe jo ato të dëshirueshme. Madje as shoqëria civile që do të duhej të angazhohej për një shoqëri të hapur, ku do të funksiononte konkurrenca e vlerave, nuk ka arsye të kërkojë një zgjedhje më të mirë, ndërsa këto vitet e fundit ka qëndruar karshi Lëvizjes Vetëvendosje. Kështu në një mënyrë, Murat Jashari, do të ishte një tip i një lloj koncenzuesi, gjë e cila përkon me postin e njeriut të parë të vendit. Më në fund, një kandidaturë e tillë karshi kandidaturës së mundshme të Behxhet Pacollit, do të përbënte një sprovë shumë të nevojshme për moralin e njerëzve të këtij vendi. E ne kemi nevojë për sprova të tillë.

Data: 10 Mars 2012 12:00
Autori: GazetaExpress

Të tjera