Kthehu lart

Të vërtetat e tyre

Të vërtetat e tyre
GazetaExpress E mërkurë, 30 Nentor 2011 08:16

Rexhep Qosja dhe Isa Mustafa kanë vazhduar debatin për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ata po e etiketojnë njëri-tjetrin si komunist, megjithëse të dy i kishin shërbyer ish-sistemit. Mustafa ka mbajtur poste të rëndësishme në Ish-Jugosllavi, ndërkaq Qosja thurte elozhe për udhëheqësin e vdekur, Shokun Tito.

Rexhep Qosja dhe Isa Mustafa kanë vazhduar edhe më tutje debatin e nisur javë më parë për çështjen e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Qosja ka përsëritur edhe të martën në një reagim të botuar në “Epokën e Re” akuzat e tij se LDK është pasuese e Lidhjes së Komunistëve të Kosovës. Ai e ka etiketuar si komunist liderin e kësaj partie, Isa Mustafën, duke përmendur postet që ky ka mbajtur gjatë viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90.

Nga ana e tij, edhe LDK përmes një komunikate për media, ka akuzuar Qosjen si komunist dhe i ardhur në Akademi me vendim politik të pushtetit jugosllav.

Krejt këto akuza vijnë në kohën kur për çdokënd janë të njohura veprimtaritë e këtyre dy personaliteteve gjatë kohës së komunizmit.

Rexhep Qosja, siç dëshmojnë gazetat e asaj periudhe, ishte shfaqur fort i pikëlluar pas vdekjes së udhëheqësit jugosllav, Josip Broz Tito.

Ai kishte thurur elozhe për Titon.

“Tito e ka udhëhequr dhe e ka sjellur deri në triumf përfundimtar, Luftën Nacionalçlirimtare të popujve të Jugosllavisë - ja një meritë e mjaftë historike për të gjitha kohërat; Tito e ka udhëhequr, dhe e ka sjellë deri në triumf përfundimtar luftën që ka përmbysur monarkinë, duke i hapur rrugën ngadhënjimit të socializmit – ja një meritë tjetër e mjaftë për historinë; Tito i ka dhënë JO Stalinit në një kohë kur forca e Stalinit sikur nuk njihte kufij- ja një meritë tjetër e mjaftë për historinë; Tito na ka udhëhequr shtigjeve të vetëqeverisjes socialiste, të barazisë, vëllazërimit e bashkimit, bashkëjetesës së kombeve dhe kombësive- ja një meritë tjetër e jashtëzakonshme historike; Tito i ka prirë idesë së madhe që i reziston presionit të fuqive të mëdhaja, e që sot njihet si ide e mosinkuadrimit – ja edhe një meritë tjetër, aq e madhe, aq vendimtare në historinë e përbotshme”, kishte deklaruar në atë kohë Rexhep Qosja.

Nga ana tjetër, Kryetari aktual i LDK’së kishte mbajtur poste të rëndësishme në sistemin komunist.

Siç dëshmohet në numrin 13 majit 1981 të gazetës “Rilindja”, Isa Mustafa kishte qenë pjesë e një komisioni ndëshkues ndaj studentëve që kishin marrë pjesë në demonstratat e atij viti.

“Nuk bën që rezultatet e arritura deri më tash të mohohen”, kishte deklaruar Mustafa ditë më pas, teksta fliste për sukseset në luftën e diferencimeve politike.

Më pas, në vitin 1986, ai kishte mbajtur postin e Kryetarit të KE së Prishtinës.

Po ashtu, më 9 dhjetor 1989, Isa Mustafa kishte dhënë betimin para Rrahman Morinës si Sekretar Krahinor i Zhvillimit, Shkencës dhe Informatikës dhe i bashkëpunimit shkencor e teknik ndërkombëtar.

Kjo qeveri, nën udhëheqjen e Jusuf Zejnullahu, ishte konsideruar më pas si qeveri kuislinge.

Akuzat e Qosjes

Në fillim të përgjigjeve të tij, të botuar në Epoka e Re, akademik Rexhep Qosja shkruan se LDK është një parti që ai e kishte parë të shtrirë në shtrat që nga krijimi i saj.

“I mësuar ta shoh gjatë, prej krijimit të saj në fund të dhjetorit të vitit 1989 e deri pas luftës, të shtrirë në shtrat, duke predikuar demokracinë nën dhunën e Sllobodan Milloshevicit, nuk e kisha pritur heroizmin që po tregon në përpjekjet, para dhe pas perdeve, për likuidimin tim intelektual”, shkruan Rexhep Qosja në përgjigjet e tij në këtë gazetë.

Tutje, Qosja shkruan për deklaratat e Isa Mustafës dhe kritikat e këtij të fundit në drejtim të partisë që e udhëheq Isa Mustafa. Ai madje LDK-në e quan trashëgimtare të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë.

“Kjo politikë, etikë dhe strategji politike, artistike, kulturore dhe ekonomike e Isa Mustafës mua me shqetësoi. Më shqetësoi sepse pashë se - të shpresojmë vetëm në sjelljen politike ndaj meje dhe vetëm kësaj here – bashkëdyzime staliniste dhe fashiste janë të përmbajtura në mentalitetin e trashëgimtares së Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, të quajtur Lidhja Demokratike e Kosovës dhe të kryetarit të sotëm të saj, zyrtarit të dikurshëm në administratën e kohës së Milloshevicit në Prishtinë, Isa Mustafës”, shkruan ndër të tjera Qosja.

Më pas Qosja është marrë me botimin e veprave të tij, të cilat, sipas tij, i kanë penguar shumë disa media të shkruara por edhe vet nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilin ai e quan komsomolist.

Akademia nuk flet

Drejtues të ASHAK-ut nuk kanë dashur t’i komentojnë akuzat e përsëritura të Qosjes. Ata thanë se qëndrojnë prapa reagimit të bërë para disa ditësh nga kryesia e ASHAK-ut.

Ndërkohë, dy prej partive opozitare, LDK dhe AAK, kanë tërhequr nënshkrimet e deputetëve të tyre nga nisma e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Ramë Vataj, për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, iniciativë kjo që nxiti reagimet e Qosjes.

Arsye për tërheqjen e tyre, sipas deputetëve të dy subjekteve opozitare, është ‘politizimi që i është bërë kësaj çështje’.

Deputeti Vataj kishte mbledhur 49 nënshkrime të deputetëve për të nisur plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për ASHAK-un, ishte formuar edhe grupi punues, mirëpo LDK-ja i kishte tërhequr 11 nënshkrimet e saj menjëherë pasi që kjo çështje kishte dalë në opinion dhe pasi që akademik Qosja, në një intervistë për Kosovapress, kishte thënë se “ASHAK-u është shtëpi private e LDK-së”.

E tërheqjes së LDK-së, të martën i është bashkuar edhe AAK-ja, deputeti i së cilës, Burim Ramadani, ka paralajmëruar edhe në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit se do t’i tërheq nënshkrimet nga kjo nismë.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, konsideron se është politizuar kjo çështje pas deklaratave të akademik Rexhep Qosjes, të cilin e quan zëdhënës të PDK-së.

“Zoti Qosja është bërë zëdhënës i PDK-së. Unë e kam thënë edhe më herët, me herët ka punuar pa para si duket, nuk e di, nëse s’ka marrë diçka në të zezën, tash po punon me para, po e financojnë, ia kanë dhënë paratë dhe tash po i kryen obligimet që ia kanë parashtruar dhe këtë mund ta vlerësoni se a po e bën në mënyrë besnike”, tha Beqiri.

Ndërkaq, Burim Ramadani nga AAK-ja mendon se Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës sot nuk është e politizuar, por PDK-ja, po përpiqet që ta politizojë institucionin më të lartë të dijes në Republikën e Kosovës.

Data: 30 Nentor 2011 08:16
Autori: GazetaExpress

Të tjera