Kthehu lart

Stop privatizimit në KEK e PTK

Stop privatizimit në KEK e PTK
GazetaExpress E premte, 14 Shtator 2012 14:35

Me pankartat në duar “Kuvend Ndal Privatizimin”, “Nuk duam të jemi qiraxhinjë në vendin tonë“ dhe “Nuk e japim PTK-së, është e vetmja pasuri e mbetur e popullit kosovar”, punëtorët e Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK) dhe Korporatës Energjetike të Kosovës (PTK), kanë protestuar për gjysmë ore, për të kundërshtuar privatizimin e këtyre ndërmarrjeve.

Milazim Alshiqi, kryetar i Sindikatës së pavarur të PTK-së tha se me anë të kësaj proteste, ata po kërkojnë që të ndalet kjo formë e privatizimit në Kosovë. Alshiqi kërkoi nga Kuvendi i Kosovës që të shqyrtojë privatizimin e ndërmarrjeve publike dhe për momentin t’i thuhet stop privatizimit të PTK-së, pasi që nuk është plotësuar asnjë kusht për siguri të punëtorëve.

“Edhe njëherë i bëj apel Qeverisë, deputetëve të Republikës së Kosovës ta thirrin mendjen e shëndoshë dhe t’i thonë stop procesit të privatizimit, pa i definuar ligjin e posaçëm për privatizimin e kompanive publike. Ju e dini mirë, qe ne nuk kemi kod telefonik. Nuk është askush tuj qa hallin për punëtorë dhe për sigurinë nacionale, që ka të bëjë kompania si PTK, KEK dhe ndërmarrjet që janë strategjike. Kjo është vetëm protestë paralajmëruese, nuk dua ta kërcënoje askënd, por dua të jem i sinqertë që ne na u kanë shterë format me letra dhe me dialog. I kemi proceduar të gjitha nëse nuk na mirëkuptojnë, po iu garantoj që kjo situatë ka me qenë krejtësisht ndryshe”, tha ai.

Edhe Fehmi Pajziti, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Elektrokosovës tha se protesta gjysmëorëshe ka për qëllim zgjimin e qeveritarëve, për të parë se si po bëhet privatizimi në Kosovë, i cili sipas tij, është tërësisht i dështuar.

“Protestë gjysmëorëshe që të zgjohen qeveritarët tanë, kuvendarët tanë të zgjohen dhe të kqyrin çka është duke u bërë me privatizimin e ndërmarrjeve dhe me privatizimin në përgjithësi në Kosovë, posaçërisht me theks të veçantë, privatizimin e ndërmarrjeve publike. Është një ligj i privatizimin për ndërmarrje publike, por s’është i aprovuar është i mangët. Prandaj kërkojmë që së pari të bëhet ligj i veçantë për ndërmarrje publike, e pastaj të privatizohen ndërmarrjet publike. Të saktësohet çdo send, sepse privatizimi që është bërë deri tani është privatizim total i dështuar dhe një ekonomi e shkatërruar. Është edhe frika tek punëtorët se çka do të ndodh me ta nesër”, tha ai.

Ndërsa Sahit Sahiti, punëtor i PTK-së tha se privatizimi i kësaj kompanie në këto kushte dhe rrethana se si po bëhet, nuk është normale dhe se një gjë e tillë duhet të ndalet.

“Sot po protestojmë siç kemi protestuar në vitin 1990 kur na ka qit Millosheviqi me dhunë. Sot po donë me na privatizu në forma tjera, me na qit prej punës. Nuk është koha e duhur dhe nuk është momenti i duhur, për privatizimin e PTK-së, se kemi pa se çfarë ka ndodh me privatizime tjera në Kosovë”, tha ai.

Sindikalistët po ashtu paralajmëruan se në rast se nuk përfillen kërkesat e tyre, ata do të vazhdojnë të protestojnë, por jo më vetëm në këtë formë, por në forma të ndryshme./kosovapress/

Data: 14 Shtator 2012 14:35
Autori: GazetaExpress

Të tjera