Kthehu lart

Sqarimet e ministrit

Sqarimet e ministrit
GazetaExpress E enjte, 01 Mars 2012 16:27

Gjatë dëgjimit publik, ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, Projektligjin për Teatrot e cilësoi si një hap drejt avancimit të teatrit në Kosovë, krijimit të lirisë artistike dhe depolitizmit të kulturës, por edhe për krijimin e një hapësire për zhvillimin e dramës nacionale.

Dëgjimi publik u organizua nga Komisioni për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës. Në debat ishin të pranishëm shumë regjisorë, dramaturgë, aktorë dhe njerëz të artit e letërsisë.

Fillimisht, ministri Krasniqi nënvizoi që asnjë ligj s’mund të jetë ideal, megjithëse sqaroi se, për dallim nga ligji aktual dhe projektligjet tjera, ky projektligj i jep frymë jetës teatrore në Kosovë. Sipas tij, Projektligji për Teatro është konsultuar edhe me komunitetin artistik, pasi që para se të miratohej në qeveri ai u ishte dorëzuar mbi njëqind artistëve dhe për të ishin marrë komente të ndryshme.

Pohimin se me këtë ligj depolitizohet teatri, Ministri Krasniqi e mbështetë në atë se për dallim nga i kaluari, ministri më nuk e ka të drejtën e zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm e as të udhëheqësit artistik, por kjo gjë tani i takon Këshillit Drejtues.

Ministri madje potencoi se tani qartësohen shumë më mirë edhe kompetencat e çdokujt që ka një rol në teatër, andaj secili do të japë përgjegjësi për punën që bënë - në këtë rast, udhëheqësi artistik ka kompetenca të plota që, në bashkëpunim më Këshillin Drejtues, ta hartojë repertorin; drejtori i përgjithshëm, financat dhe çështjet tjera që nuk ndërhyjnë në punën e udhëheqësit artistik; ndërkaq Këshilli Drejtues është një organ këshillëdhënës që lidhet kryesisht me punën artistike.

Sipas ministrit Krasniqi, krijimi i hapësirës më të madhe për dramën kombëtare ka qenë nevojë dhe kërkesë e komunitetit, me qëllim të rritjes së prezantimit të krijimtarisë së mirëfilltë të artistëve vendorë në Teatrin Kombëtar, por edhe që ajo të ketë një prezantim më të mirë jashtë vendit.

Po ashtu, ministri përkujtoi se ky ligj parasheh edhe themelimin e teatrove tjerë, që lidhen me fusha të tjera të krijimtarisë artistike.

Tutje, sipas tij, me këtë ligj rregullohet edhe mënyra e financimit dhe e menaxhimit të teatrove të qyteteve, që ishte kërkesë e kahershme e artistëve nga rajonet e ndryshme të Kosovës. Në funksion të depolitizimit të teatrit dhe të mbështetjes së teatrove të qytetit, ministri propozoi që, përveç ndryshimeve që vijnë si rezultat i kërkesave të artistëve, “në ligj të futet edhe neni që parasheh një kod të veçantë buxhetor për teatrot, në mënyrë që teatrove t’iu jepet mundësia që mjetet e tyre financiare t’i menaxhojnë vetë”.

Nga ana tjetër, regjisori Bekim Lumi dhe dramaturgu Arian Krasniqi, që ditë më parë iniciuan një peticion që kërkon pezullimin e këtij projektligji, vlerësojnë se ligji e ngulfat teatrin. Madje Lumi dhe Krasniqi nënvizojnë se njerëzit e artit as që janë konsultuar fare. Rrjedhimisht, ata, përmes peticionit të nënshkruar nga 43 punonjës arti, kanë kërkuar tërheqjen e Projektligjit, sepse përmes tij po degradohet edhe vetë roli i udhëheqësit dhe ai i drejtorit artistik.

Megjithatë, duket se kërkesat dhe vërejtjet e Lumit dhe të Krasniqit nuk u mbështetën nga një numër i regjisorëve, dramaturgëve, aktorëve dhe kritikëve të artit, të cilët ishin pjesëmarrës në dëgjim.

Sipas dramaturgut Fadil Hysaj, profesorit të Fakultetit të Arteve, Nebih Islami, dramaturgut, Haqif Mulliqi, regjisorit Ekrem Kryeziu, kritikëve të artit, Adil Olluri, Agim Apolloni dhe Reshat Sahitaj, si dhe disa artistëve të tjerë që i dhanë mendimet e tyre, del se ky projektligj është më i miri deri tani, sepse ai në esencë krijon hapësirë për zhvillimin e teatrit. Vlerësim tjetër pozitiv i tyre është edhe krijimi i mundësisë për një prezantim më të madh të dramës vendore.

Aktori Enver Petrovci, i cili në parim e përkrahu Projektligjin për Teatro, megjithatë dha disa propozime korrekte se si do të mund të rregullohej edhe më mirë teatri kosovar. Sipas tij, mbi të gjitha duhet të saktësohet se kush çfarë detyrash ka dhe që, në vazhdimësi, të dihet se kush është fajtor për gjendjen e keqe në teatër, ose kush është meritor për zhvillimet e mëtutjeshme. Propozimet e Petrovcit dhe të dramaturgëve e regjisorëve të tjerë, ministri i mbështeti, duke kërkuar nga Komisioni Parlamentar që të marrë parasysh propozimet konkrete të komunitetit artistik.

Data: 01 Mars 2012 16:27
Autori: GazetaExpress

Të tjera