Kthehu lart

Sondazh: Kush do të fitojë, Isa Mustafa apo Shpend Ahmeti?

Sondazh: Kush do të fitojë, Isa Mustafa apo Shpend Ahmeti?
GazetaExpress E premte, 16 Gusht 2013 18:12

Gara e sivjetshme për Kryetar të Prishtinës duket se do të jetë interesante.

Beteja nuk do të zhvillohet mes dy rivalëve tradicionalë, LDK’së dhe PDK’së, por mes LDK’së dhe Vetëvendosjes.

Sipas sondazheve të para, PDK nuk do të ketë ndonjë rol të rëndësishëm në garën e sivjetshme për Kryetar të Prishtinës. Në balotazh, sipas Index Kosova, pritet të përballet kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës me atë të Lëvizjes Vetëvendosje.

LDK e as Vetëvendosje nuk kanë zyrtarizuar kandidatët e tyre për Prishtinën, por burime të Express thonë se - sipas gjitha gjasave - Mustafa do të rikandidojë për postin e të parit të kryeqytetit, derisa partia e Albin Kurtit do të nxjerrë përballë tij Shpend Ahmetin.

Nga sot Gazeta Express nis një sondazh një javor me pyetjen se “Cilin do ta votonit për Kryetar të Prishtinës?”.

Kush është Isa Mustafa?

Isa Mustafa u kthye heshturazi në skenën politike të Kosovës pas vitit 2006. Ai hyri në kabinetin e Presidentit Fatmir Sejdiu disa muaj pas vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova. Profesori i ekonomisë që kishte drejtuar Ministrinë e Financave të Qeverisë së Kosovës në Ekzil i kishte prishur raportet me Rugovën dhe rrjedhimisht edhe më LDK’në. Por gjithçka ndryshoi kur në krye të shtetit dhe partisë erdhi Fatmir Sejdiu. Ai e emëroi Mustafën këshilltar të tij, e në vitin 2007 e nxori si kandidat të LDK’së për Kryetar të Prishtinës, garë që Mustafa e fitoi lehtësisht. Tri vjet më vonë, Mustafa e rrëzoi edhe Sejdiun në garën për Kryetar të LDK’së. Kjo ishte konsideruar tradhti nga ana e Sejdiut. Ndryshe, Isa Mustafa është nga të rrallët politikan aktiv të Kosovës që kanë mbajtur pozita të rëndësishme edhe në Jugosllavinë. Ai kishte qenë kryetari i qeverisjes komunale në Prishtinë nga viti 1984 deri më 1988, ministër ekonomie dhe një nga bashkëpunëtorët e Rrahman Morinës, njeriut që konsiderohet tradhtar në Kosovë. Sido që të jetë, nëse ngadhënjen në zgjedhjet e 3 nëntorit, Mustafa do të zgjidhet për herë të tretë Kryetar i Prishtinë.

Kush është Shpend Ahmeti?

Shpend Ahmeti ka bërë një karrierë të shpejt dhe të suksesshme në shoqërinë civile kosovare. Bagazhi i djalit të ri që ka specializuar në Harvard i kishte hapur rrugë atij menjëherë pasi ishte kthyer në Prishtinë në vitin 2007. Ahmeti ishte angazhuar si analist politik në debatet zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2007. Ai ishte përmendur si kandidat i mundshëm për Minisitër Financash, por këtë pozitë Hashim Thaçi ia kishte dhënë Ahmet Shalës. Në atë kohë, Ahmeti shihej si i afërt me PDK’në. Sido që të jetë, ai vazhdoi karrierën në shoqërinë civile në Institutin për Studime të Avancuara (GAP). Pas tri vitesh, bashkë me Ilir Dedën, Shpend Ahmeti braktis GAP’in dhe formon subjektin politik, Fryma e Re, dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2010. Megjithëse priten mirë në opinion, Fryma e Re arriti të marrë diçka më shumë se 2 për qind të elektoratit. Por, këtu nuk përfundon aventura politike e Ahmetit. Ai vendos ta shkrijë partinë në Lëvizjen Vetëvendosje, edhe pse disa muaj më parë kishte insistuar te drejtuesit e medieve kosovare që të mos tërheqin paralele mes tij dhe Albin Kurtit. Bashkimi i FER’it me Vetëvendosjen nuk u prit mirë nga pjesa dërrmuese e drejtueseve dhe ata iu kthyen punëve që kishte bërë përpara zgjedhjeve. Shpend Ahmeti u zgjodh Nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe sot është një prej fytyrave qendrore të kësaj partie. Ndryshe, Ahmeti ka punuar edhe në Bankën Botërore dhe në Bankën Europiane për Rindërtim.

Data: 16 Gusht 2013 18:12
Autori: GazetaExpress

Të tjera