Kthehu lart

‘Skyfall’ prezantohet në Stamboll

‘Skyfall’ prezantohet në Stamboll
GazetaExpress E premte, 04 Maj 2012 08:08

Aktoret Naomi Harris dhe Bernice Marlohe, dy Bond-girl në filmin e ardhshëm të agjentit 007, kanë tërhequr vëmendjen e fotografëve në Stamboll.

Në qytetin turk, bashkë me protagonistin kryesor Daniel Craig, aktoret kanë bërë prezantimin e filmit të radhës të agjentit të Madhërisë së Saj, me titull “Skyfall”.

Filmi i tretë me Daniel Craig, me regji të Sam Mendes, do të dalë në kinematë e gjithë botës më 26 tetorin e ardhshëm. Regjisori ka dashur të sjellë një Bond paksa ndryshe nga ai i penës së Ian Flaming.

“Nuk do ta kisha marrë kurrë regjinë e filmit nëse nuk do të kisha pasur mundësi të vija diçka timen në të. Kur të bëhet montazhi, do të duket se cili është ndryshimi”, ka thënë Mendes në konferencën për shtyp.

Mendes dhe Craig po punojnë ngushtë për realizimin e filmit të 23-të të James Bond, i cili nuk do të ketë lidhje me kapitujt e mëparshëm dhe do të ketë një buxhet prej 230 milionë dollarësh.

“Në fillim nuk duhet të ishte kështu, por më pas lexuam e rilexuam Ian Flaming dhe shkëmbyem email-e me mendimet tona dhe të gjithë u përfshinë në projekt”, ka thënë Craig.

Kastit të filmit iu desh më shumë kohë për të mësuar skenarin pasi xhirimet e filmit u ndërprenë njëherë në Indi dhe pasi kompania MGM nuk kishte buxhet të mjaftueshëm dhe ishte në prag të shpalljes së falimentimit.

Data: 04 Maj 2012 08:08
Autori: GazetaExpress

Të tjera