Kthehu lart

S’ka fitues në Mitrovicë

S’ka fitues në Mitrovicë
GazetaExpress E diel, 18 Gusht 2013 19:35

Dueli kryesor i së dielës ndërmjet Trepçës dhe Llamkos Kosovës nuk ka sjell fitues. Skuadrat i kanë ndarë pikët, në ndeshjen e zhvilluar në Mitrovicë. Hajvalia bindi në duel me Drenicën, kurse Hysi i siguroi tri pikët e para në fund të ndeshjes ndaj Fushë Kosovës. Drita dhe Besa i ndanë pikët në Gjilan.

Njëra prej ndeshjeve kryesore të xhiros së parë të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll ndërmjet Trepçës dhe Llamkos Kosovës, nuk ka sjell fitues.

Skuadrat kanë barazuar pa gola, në ndeshjen e zhvilluar sot në Mitrovicë. ‘Xehetarët’ e patën një rast ideal në minutën e 28-të, kur gjyqtari Hajriz Hajdari dha penallti për ta. Por, Shabani gjuajti mbi portë nga 11 metërshi dhe rrjeta mbeti e paprekur.

Me këtë rast, portieri vushtrrias Ridvan Beqiri u ndëshkua me karton të kuq, pasi ndërhyri si lojtari i fundit.

Në anën tjetër, udhëtuesit e patën një rast të mirë me anë të Semir Zenelit, i cili e qëlloi shtyllën. Në vazhdim, edhe mitrovicasit mbetën me një lojtar më pak, kur u skuq Shpëtim Fetahu.

Hysi – Fushë Kosova 2:1

Hysi ka hasur në vështirësi për ta mposhtur Fushë Kosovën, por në fund i siguroi tri pikët e para të sezonit, në ndeshjen e zhvilluar sot në Merdarë.

I rikthyeri në Superligë kaloi i pari në epërsi përmes Burim Shalës në minutën e 18-të. Ndërkaq, Mentor Zhdrella e shënoi një gol mjaft të bukur nga distanca, nga gjuajtja e lirë, në minutën e 32-të.

Mirëpo, kapiteni i bardh e zinjve nuk ia doli ta kalonte në epërsi ekipin e tij, kur e pati një rast ideal në minutën e 41-të. Në fakt, gjyqtari dha penallti për vendësit, por gjuajtjen e tij e priti portieri mysafir Osmani.

Mikpritësit iu gëzuan fitores vetëm falë golit të shënuar nga Haliti në fund të takimit. Ndërkaq, Fushë Kosova luajti mirë dhe ka mundur lirisht të kthehej në shtëpi me një pikë.

Drita – Besa 0:0

Drita dhe Besa i kanë ndarë pikët, në ndeshjen e zhvilluar sot në Gjilan. Asnjëra skuadër nuk ka arritur të tregojë lojë të pëlqyer dhe nuk kanë merituar më shumë se nga një pikë. Të dyja ekipet i patën rastet e tyre, por nuk ia dolën të shënonin.

Madje, gjilanasit e dobësuar këtë verë luajtën me një lojtar më pak , kur Durim Bagjuku u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 70-të.

Hajvalia – Drenica 4:1

Hajvalia e ka nisur sezonin e ri me fitore ndaj Drenicës. Skuadra nga Prishtina mbylli gjithçka në pjesën e parë, kur shënoi dy gola.

Suad Tahipi e nisi serinë e golave në minutën e 31-të, kur shënoi me kokë, kurse Festim Krasniqi e shtoi epërsinë e vendësve me një eurogol në minutën e 44-t.

Skuadra mysafire e ngushtoi rezultatin në minutën e 55-të përmes Granit Arifajt, por vulë këtij takimi i dha i porsa inkuadruari në lojë, Nikollë Dushi në minutën e 61-të.

Ndërkaq, në minutën e dytë shtesë, Sami Geci shënoi autogol, për ta thelluar humbjen e skuadrës së tij.

Tabela

1. Trepça ‘89 3 pikë

2. Hajvalia3

3. Prishtina3

4. Hysi3

5. Llamkos Kosova1

6. Besa1

7. Trepça1

8. Drita1

9. Ferizaj0

10. Fushë Kosova0

11. Drenica0

12. Ferronikeli0

Data: 18 Gusht 2013 19:35
Autori: GazetaExpress

Të tjera