Kthehu lart

Sivjet Kongresi

Sivjet Kongresi
GazetaExpress E enjte, 15 Nentor 2012 07:29

Partia Demokratike planifikon ta mbajë Kongresin Zgjedhor në dhjetor të këtij viti. Burime të Express thonë se ky edhe është synimi i kreut të kësaj partie. Por, Basri Musmurati thotë se Kongresi mbahet këtë vit vetëm nëse zgjedhjet nëpër degë përfundojnë deri më 15 dhjetor.

Nëse kryhet procesi zgjedhor nëpër të gjitha degët e PDK’së pesëmbëdhjetë ditë para Vitit të Ri, atëherë Kongresi i Partisë mund të mbahet këtë vit.

Zyrtari përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve të brendshme në PDK, Basri Musmurati ka deklaruar se ende nuk është caktuar asnjë datë për organizimin e kuvendeve zgjedhore të degëve, pasi procesi është duke vazhduar nëpër seksione dhe nëndegë.

“Ka mundësi të mbahet Kongresi Zgjedhor këtë vit nëse kryhet krejt procesi nëpër degë deri më 15 dhjetor. Nëse na shtyhet pak, pasi nuk u dihet degëve se deri ku mbërrijnë, atëherë sigurisht se Kongresi do të shtyhet për më vonë”, ka thënë Musmurati për Express, të mërkurën.

PDK ka nisur zgjedhjet e brendshme para dy javësh, ndërkohë ka planifikuar që t’i përfundojë brenda 90 ditësh, ashtu siç është e paraparë me statut. Koha maksimale për të mbajtur Kongresin është 30 janari i vitit 2013.

Por, zyrtarë të lartë të kësaj partie, sipas burimeve të gazetës, po synojnë që zgjedhjet partiake, përfshirë edhe Kongresin, t’i mbajnë deri në fund të vitit.

Sido që të jetë, Musmurati thotë se janë së paku njëmijë lokacione ku do të zhvillohen zgjedhjet dhe tek kur të kryhet gjysma e tyre, mund të dihen datat e zgjedhjeve nëpër degët e Partisë.

“Procesi zgjedhor ende nuk është kryer në asnjë qytet, pasi veç ka filluar. Së pari mbahen zgjedhjet nëpër seksione, pastaj nëpër nëndegë, një pjesë kanë filluar dhe janë krye. Kemi më shumë se 600 nëndegë, 400 e më shumë seksione, në krejt këto duhet të mbahen zgjedhje”, ka thënë ai.

Zyrtarët e PDK’së prejse ka nisur procesi zgjedhor kanë nisur të vizitojnë degët, por deri më tash nuk janë parë të kenë shkuar bashkë në ndonjë aktivitet partiak Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi e Fatmir Limaj.

Sekretari i Përgjithshëm i PDK’së dhe Nënkryetari i Parë kanë dalë disa herë kundër politikave të Liderit të Partisë, por ky i fundit asnjëherë nuk i ka komentuar.

Megjithëkëtë, Basri Musmurati thotë se gjatë javëve në vazhdim treshja e PDK’së mund të dalë e bashkuar në ndonjërën prej degëve të Partisë.

“Në të ardhmen, varësisht prej kohës që e kanë ata të lirë, sigurisht se ata dalin”, ka shtuar ai.

Mospraninë e Sekretarit nëpër organizime partiake, Musmurati e ka arsyetuar me përgjegjësitë shtetërore që ka, ndërsa për Limjan nuk ka folur.

“Z. Krasniqi është edhe Kryetar i Kuvendit dhe e ka bukur problem me pas edhe kohë të lirë me dalë”, ka thënë ai.

“Në vazhdimësi kjo procedurë monitorohet nga Qendra, komplet Kryesia e PDK’së. Vazhdimisht dikush prej Kryesisë është në terren”, ka thënë ai.

Ky zyrtar i PDK’së ka deklaruar se nuk është e përcaktuar me statut që Kryetari i Degës të jetë edhe kandidat për Kryetar të Komunës.

Ai ka bërë të ditur se Statuti i PDK’së, përveç udhëheqjes së partisë, pjesëmarrjen në Kongresin Zgjedhor edhe deputetëve dhe ministrave aktual.

“Statuti aktual ua mundëson deputetëve, ministrave dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues të PDK’së të jenë delegatë të drejtpërdrejtë në Kongres. Më shumë nuk u garanton asgjë. Në këtë pjesën tjetër ata hyjnë në procedurë zgjedhore dhe kush merr vota, mund të shkojë në Kryesi, kush nuk merr, mbetet vetët anëtar i Këshillit Drejtues”, ka shtuar ai.

PDK ka mbajtur Kongresin e shpejtë Zgjedhor në dhjetorin e vitit 2010, ku ka pasur vetëm konfirmim të udhëheqjes aktuale. Në atë kohë nuk ka pasur proces të mirëfilltë zgjedhor, por Kuvendi ishte mbajtur vetëm për të përmbushur obligimin ligjor që kërkohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Data: 15 Nentor 2012 07:29
Autori: GazetaExpress

Të tjera