Kthehu lart

S'iu ngutet për xhami

S'iu ngutet për xhami
GazetaExpress E mërkurë, 31 Korrik 2013 07:01

Dikur bënin presion t’i ndahej toka për ndërtim, e tash BIK’ut nuk po i bëhet aspak vonë ta nisë ndërtimin e xhamisë në qendër të Prishtinës. Madje zyrtarë të këtij institucioni fetar, nervozohen shumë kur pyeten për këtë temë. Thonë se kur ka diçka të re, lajmërojnë vet. BIK qe tre muaj ka ngecë në përzgjedhjen e kompanisë fituese për ndërtimin e këtij objekti.

I dhanë zor për ta siguruar një tokë për xhami. E tash kur këtë tokë e siguruan, po rrinë të qetë. Bashkësisë Islame të Kosovës nuk po i bëhet më vonë ta nisë ndërtimin e xhamisë për të cilën çuan shumë pluhur.

Përveç që ia vunë një gurë themel, punimet e tjera për xhami nuk nisën asnjëherë. Nuk u vu një tullë e vetme. Madje edhe vendin ku është paraparë të ndërtohet ky objekt fetar, e kanë mbuluar shkurret e bari.

Në Bashkësinë Islame të Kosovës thonë se projekti akoma është në procedurën e përzgjedhjes së kompanisë e cila do ta projektojë objektin.

I mërzitur se kishte shumë telefonata pikërisht në kohën kur ai po mbante një ligjëratë fetare, Ahmet Sadriu zyrtar i BIK’ut nuk ishte në gjendje të fliste shumë për këtë projekt.

“Kur të kemi diçka të re, ne vet ju lajmërojmë”, ka thënë Sadriu për Express.

Sipas tij projekti akoma është në procedurë. “Përzgjedhja e tri kompanive projektuese është bërë tash jemi akoma në procedurë”, ka thënë ai, duke potencuar gjithmonë faktin se është shumë i zënë për të sqaruar në detaje gjithë procedurën se deri ku ka arritur BIK me finalizimin e projektit të Xhamisë së Madhe që do të ndërtohet në parkingun e Postës së Kosovës.

“Ne jemi shumë më shumë të interesuar për këtë punë sesa ju”.

Gurë themeli i kësaj xhamie u vu në tetor të vitit të kaluar. Në prill të këtij viti BIK përzgjodhi dy projekte për ndërtimin e xhamisë. Njërën përzgjodhi si fituese të vendit të tretë, tjetrën në të dytin derisa për vendin e parë vlerësuan se nuk e ka merituar asnjë prej pesë konkurrentëve sa kishin hyrë në rreth të ngushtë të përzgjedhjes.

Prej atëherë gjerat stagnuan. As tash pas tre muajsh BIK nuk ka arritur të zgjedh një kompani të vetme, e cila do të jetë projektuesja e xhamisë. Xhamia Qendrore do të ndërtohet në lagjen Dardania, në afërsi të Postës. Myftiu i Kosovës Naim Tërnava, ka thënë se ndërtimi i Xhamisë së re në Prishtinë mund të kushtojë rreth 20 milionë euro.

Megjithëse BIK akoma nuk e di se kah e si do i bëjë këto para , dorën e ka shtri kah populli. Për t’i siguruar paratë BIK kanë hapur llogari bankare në tri banka të Kosovës dhe kanë bërë një marrëveshje me PTK, në mënyrë që ajo të mundësojë mbledhjen e parave edhe nëpërmjet thirrjeve telefonike.

Janë këto dy mënyra, nga të cilat kjo bashkësi shpreson se do t’i bëjë të gjitha të hollat për xhaminë e re që do të ndërtohet afër PTK-së në Ulpianë, e që përfshinë pjesët e ngastrave kadastrale me një sipërfaqe prej 8 mijë e 100 metrash katrorë.

E pak kohë pasi ranë dakord që xhamia të ndërtohet aty ku iu vu gurë themeli, Bashkësia Islame e Kosovës gjeti edhe një hall tjetër për të mos u pajtuar me Komunën e Prishtinës. Bëri plan që kur të nis ndërtimi i xhamisë së madhe në Prishtinë, të ndërtojë edhe gjithsej 84 lokalet dhe një banesë e ndërtimit. Por pas shumë diskutimet, komuna arriti t’i bind zyrtarët e BIK’ut që të mos i ndërtojnë as lokalet e as banesat. E krejt kjo u bë pasi komuna i sqaroi Bashkësisë Islame se nëse ata do të insistojnë në këtë projekt, rrezikojnë edhe ndërtimin e xhamisë.

Data: 31 Korrik 2013 07:01
Autori: GazetaExpress

Të tjera