Kthehu lart

Shumica e serbëve do të dalin në zgjedhje

Shumica e serbëve do të dalin në zgjedhje
GazetaExpress E shtune, 17 Gusht 2013 21:13

E përkrah marrëveshjen e Brukselit, për të cilën thotë se ka dhënë rezultatet e para të cilat tashmë janë të dukshme në teren. Tani, sipas saj, ka një komunikim më të lirshëm gjë që është duke reflektuar edhe te vetë serbë e veriut të Kosovës, të cilët për më shumë se 13 vjet kanë jetuar nën klimën e sundimit të grupeve kriminale. “Një shumicë serbe do të kuptojë që pozita e tyre për situatën politike është shumë e rëndësishme të marrin pjesë në zgjedhjet për institucionet e Kosovës sepse kjo do të thotë që është mundësi e tyre për të vendosur projektet e tyre në kuadër të institucioneve të Kosovës dhe mendoj se shumë serbë do të dalin në zgjedhjet e 3 nëntorit”, ka thënë në një intervistë për Kosovapress, Natasha Kandiq, drejtoreshë e Fondit për të Drejtat Humanitare në Beograd.

KosovaPress: Për aq sa keni përcjell zhvillimet politike në Prishtinë dhe Beograd, si e vlerësoni arritjen e marrëveshjes në Bruksel dhe sa mendoni se po implementohet nga të dyja palët?

Kandiq: Unë e përkrahë marrëveshjen e Brukselit për shkak që ka sjellë deri te komunikimi në mes të institucioneve të Kosovës dhe Serbisë. Nga të dyja palët ka ndodhur një lëvizje e madhe dhe kanë ndodhur gjëra pozitive. Mbrëmë kur e kam kaluar kufirin, për herë të parë shoh se sa e ka kuptimin e një kufiri, dhe një polici serb i kam thënë, po e shoh se tash jeni bashkë, dhe ai tha, po shumë jemi afruar, që është një gjuhë e re, një marrëdhënie e re në mes të atyre që janë në institucionet e Serbisë dhe Kosovës. Dhe kjo është shumë pozitive. Edhe situata në veri të Mitrovicës është tjetër nga ajo e qeverisë së përparshme. Për herë të parë përmirësimet serbe në Mitrovicë janë përballur me një qëndrim të qartë të Serbisë, që veriu i Mitrovicës duhet të përputhet me sistemin e drejtësisë në Kosovë. Dhe ky është një përparim i mirë, i madh. Do të ketë programe për implementim, por ngadalë këto probleme do të zvogëlohen mendoj. Nevojitet ende ajo përkrahje dhe presion i bashkësisë ndërkombëtare mirëpo, ajo çka është e rëndësishme është se në Serbi shumë ka ndryshuar situata politike, përpara vetëm organizatat joqeveritare kanë folur për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që të bëhet një komunikim institucional. Tash i kemi disa grupe ekstreme të cilat Daçiqin dhe nënkryetarin e parë Aleksandër Vuçiq e quajnë tradhtarë, do të thotë se është një ndryshim shumë i madh i pranimeve të realitetit, dhe ngadalë po ndërron situata. Sot 9 mijë kërkesa për pagesa të pensioneve tani janë në rend të ditës. Serbia duhet ta përmirësojë atë padrejtësi që e ka bërë ndaj Kosovës duke mos ua paguar pensionet 13 vite pensionistëve të Kosovës. Ata po ndryshojnë gjërat në nivelin politik dhe duhet të fillojë të pranojë viktimat e Kosovës dhe në atë kuptim të flitet me respekt për të gjithë, dhe se Serbia duhet të ketë vetëdije ta pranojë se forcat serbe kanë vrarë pothuajse 10 mijë shqiptarë. Po ashtu, edhe kombi kosovarë duhet ta kuptojë se këtu janë vrarë në mes të 2 mijë dhe 3 mijë jo shqiptarëve. Pra, serb, rom dhe ata shqiptarë siç janë cilësuar si përkrahës të institucioneve të Serbisë. Do të thotë ballafaqimi me të kaluarën është e vetmja mundësi për stabilizimin e situatës politike.

KosovaPress: Si e vlerësoni mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës?

Kandiq: Mendoj se zgjedhjet janë pjesë e situatës së drejtësisë së re. Do të thotë se do të funksionojë si pjesë e sistemit politik dhe drejtësisë së Kosovës. Zgjedhjet do të duhej të mbahen në kuadër të sistemit të Kosovës.

KosovaPress: Do të hapet një qendër grumbulluese në Nish, për të votuar të zhvendosurit atje. Sa mendoni se mund të jetë funksionale dhe a besoni se do t’i përgjigjen serbët thirrjeve për votim?

Kandiq: Në këtë moment është ende herët të thuhet se si do të votojnë serbët nga Kosova që jetojnë në Serbi, por duke pasur parasysh se qeveria e re gëzon një përkrahje të madhe të qytetarëve serb, dhe sa i përket qytetarëve të Serbisë, ajo politikë e re ndaj Kosovës është shumë e përkrahur, ne besojmë se thirrja e qeverisë së Serbisë, që të votohet për institucionet e Kosovës, ku do të përfaqësonin serbët do të pranohet sepse pyetja duhet të formulohet në atë mënyrë që t’ju sjellë sa më parë ndonjë dobi, objektivisht serbët në institucionet e Kosovës do të kenë më shumë hapësirë në ndikimin e tyre politik sesa, nëse ata tejkalojnë institucionet. Ndërsa, porosia e politikanëve duhet të shkojë në atë drejtim, thirrje me synimin se pjesëmarrja në jetën politike të Kosovës është e rëndësishme për të ardhmen e serbëve në Kosovë.

KosovaPress: Dje, një grup i serbëve në komunat veriore të Kosovës që janë me shumicë serbe, vendosën të bojkotojnë zgjedhjet, si e vlerësoni vendimin e tyre, a duhet qytetarët atje, dhe serbët që jetojnë në pjesë tjera të Kosovës t’i përgjigjen bojkotit?

Kandiq: Mendoj se disa serbë që sot kanë disa funksione politike, deri në fund do të jenë kundër pjesëmarrjes në zgjedhje dhe kjo është për arsye se ata i humbin disa pozicione të tyre politike, por besoj se një shumicë serbe do të kuptojë që pozita e tyre për situatën politike është shumë e rëndësishme të marrin pjesë në zgjedhjet për institucionet e Kosovës sepse kjo do të thotë që është mundësi e tyre për të vendosur projektet e tyre në kuadër të institucioneve të Kosovës dhe mendoj se shumë serbë do të dalin. Unë mendoj se ata do të duhej ta kishin një listë me shumë mundësi të votojnë atë se kush do t’i përfaqësojë ata në institucionet kosovare dhe nuk duhet të harrojmë që numri më i madh i serbëve jetojnë jashtë veriut të Kosovës dhe se ata të gjithë do të marrin pjesë në zgjedhje.

KosovaPress: Sa do të duhej që serbët të përfshiheshin në institucionet qendrore në Kosovë?

Kandiq: Mendoj që është një standard evropian dhe se tash është mundësi edhe për një pjesëmarrje shumë më aktive, për shkëputjen e atij qëndrimit se a janë disa serb me Thaçin apo janë përfaqësues të Serbisë, në parlamentin kosovar duhet të jenë ata politikan të cilët po përfaqësojnë interesat e caktuara të njerëzve që jetojnë këtu. Ata që janë zgjedhur me votat e serbëve, të luftojnë për interesat e tyre, por në kuadër të jetës kosovare, publike dhe institucionale.

Kosovapress: Çka nënkupton për ju integrim i veriut, dhe ku i shihni problemet e mosintegrimit?

Kandiq: Në veri të Kosovës më se shumti ka pasur ndikim të grupeve kriminale, që nuk implikon vetëm serbë por dhe shqiptarët dhe se ato grupe kanë përfituar, ata që janë marrë me tregun e zi, kanë pasur përfitime që në veri të Kosovës mos të funksionojë ligji, qytetarët e thjeshtë kanë jetuar dhe do të jetojnë edhe sot, të margjinalizuar. Shumë më ndryshe jetohet në Serbi apo në Kosovë jashtë veriut të Kosovës. Është koha që ligji të zbatohet dhe se për korrupsion të flitet në një mënyrë tjetër, pra do të thotë për punën dhe jetën ekonomike, dhe në veri të Kosovës të zbatohet ligji.

KosovaPress: Sa mendoni se ka ndryshuar mentaliteti i serbëve në jug dhe në përgjithësi serbët sa do t’i përgjigjen daljes në zgjedhje?

Kandiq: Ekzistojnë dallime të serbëve që jetojnë në Graçanicë, Shtërpcë dhe jashtë veriut. Ata e kanë kuptuar se jetojnë në Kosovë, se jeta e tyre është këtu dhe jo në Serbi. Për dallim nga ata, ata që jetojnë në veri të Kosovës, ata nuk kanë jetuar as në Kosovë as në Serbi, ata kanë jetuar në një hapësirë krejt të ndryshme duke shfrytëzuar vakumin ligjor, as zbatimin e ligjit të Serbisë, as të Kosovës. Ky është problemi më i madh. Për disa muaj që kur është marrë vendimi për marrëveshjen e Brukselit është thënë shumë se ka ndryshime. Ka më pak ekstremizëm dhe shoh se më shumë njerëz tash publikisht flasin. Më e rëndësishmja është zbatimi i ligjit, dhe se serbët në Kosovë duhet të marrin pjesë në jetën politike të Kosovës, se është i pamundshëm ekzistimi i ndonjë regjioni që do të jetë mbi ligjin dhe mbi sistemin juridik të Kosovës.

Data: 17 Gusht 2013 21:13
Autori: GazetaExpress

Të tjera