Kthehu lart

Serbia, qendër e tregtisë me organe

Serbia, qendër e tregtisë me organe
GazetaExpress E hënë, 04 Qershor 2012 10:57

Tregtia me organe në Serbi, sikur edhe në pjesën më të madhe të vendeve tjera të botës, është ilegale dhe dënohet deri në 10 vjet burg. Por kushtet e mjera ekonomike, të ndërlidhura me listat e gjata të pritjes për transplantim të veshkave-vitin e kaluar në Serbi ka pasur vetëm nga një veshkë në tre njerëz ne nevojë-po krijojnë një treg për njerëzit e dëshpëruar dhe në hall, të cilët janë të gatshëm të shesin organet për të mbijetuar.

Pavle Mircov dhe partnerja e tij, Daniela, shikojnë me nervozë çdo 15 minuta e-mailin e tyre, duke pritur me dëshpërim shpëtimin ekonomik: një blerës, i cili është i gatshëm të paguaj 30 mijë euro për një veshkë të tyre.

Prindërit e dy adoleshentëve kanë vendosur organet në shitje në një faqe lokale të klasifikuar online para gjashtë muajve, pasi që Mircov, 50 vjeç, humbi vendin e tij të punës në një fabrikë të mishit. Ai thotë se madje edhe lutjet e tij për të punuar si kamerier janë refuzuar.

Kur i vdiq i ati para ca kohësh, ai nuk ishte në gjendje t’i blej një gur për varr. Telefoni i është ndërprerë, ndërsa familja jeton në terr, për të kursyer rrymë. Një racion në ditë, i përbërë nga buka dhe sallami, është luksi i tyre i vetëm. “Kur duhesh të vendosësh ushqimin mbi tavolinë, shitja e një veshke nuk duket ndonjë sakrificë e madhe”, thotë Mircov.

Me Evropën e cila po përballet me telashe financiare, ekspertët theksojnë se tregu i zi i organeve të njeriut-tradicionalisht me bazë në Kinë, Indi, Brazil dhe Filipine, po zgjerohet në shtetet perëndimore të goditura nga kriza, siç janë Greqia, Spanja, Italia dhe shtetet e varfra të Ballkanit, si Serbia. Personat e varfër, të lëndueshëm dhe të dëshpëruar, po synojnë të shesin veshkat, mushkëritë dhe organet e tjera trupore të tyre, të nxitur nga Interneti, nga trafikuesit e paskrupullt të organeve dhe mungesa globale e organeve për transplantim.

Në Greqinë e zhytur në borxhe, një biznesmen 46 vjeçar nga Pireu theksoi së fundi se e vetmja mënyrë që të parandaloi përfundimin e familjes së tij në rrugë është që të shes një veshkë, për 100 mijë euro. Ai i tha medieve greke se ka angazhuar edhe një detektiv privat, për t’ia gjetur një blerës.

“Falë krizës globale financiare, trafiku me organe është një industri në rritje”, thotë Jonathan Ratel, një prokuror special i BE-së, i cili kryeson rastin kundër shtatë personave, të akuzuar se kanë joshur njerëz të varfër nga Turqia dhe ish-shtetet komuniste në Kosovë, në vitin 2008, për të shitur veshkat e tyre, me premtimin e rremë se do të paguhen deri në 20 mijë dollarë.

Tregtia me organe në Serbi, sikur edhe në pjesën më të madhe të vendeve tjera të botës, është ilegale dhe dënohet deri në 10 vjet burg. Por kushtet e mjera ekonomike, të ndërlidhura me listat e gjata të pritjes për transplantim të veshkave-vitin e kaluar në Serbi ka pasur vetëm nga një veshkë në tre njerëz ne nevojë-po krijojnë një treg për njerëzit e dëshpëruar.

Pacientët në nevojë dhe donatorët e varfër po bashkohen nëpërmjet rrjetit apo ndërmjetësuesve, të cilët kërkojnë nga blerësit deri në 100 mijë euro për një veshkë, plus shpenzimet e operacionit dhe biletat kthyese.

Në Doljevac, në një komunë të varfër me 19 mijë banorë në jug të Serbisë, banorët së fundi tentuan të regjistrojnë një agjenci lokale, për të shitur organet dhe gjakun jashtë vendit me qëllim përfitimi, por ata u refuzuan nga qeveria.

Violeta Cavac, një amvise që është angazhuar për këtë rrjet, tha se niveli i papunësisë në Doljevac është 50 për qind dhe se më shumë se 3 mijë njerëz kanë qenë të gatshëm që të përfshihen. Në mungesë të kanaleve legale për të shitur organet, ajo tha se banorët tani po përpiqen që të shesin organet e tyre në Bullgari apo në Kosovë.

“Do të shes veshkën time, mëlçinë, do të bëj çmos për të mbijetuar”, tha ajo.

Ajo nuk është vetëm. Mircov i tregoi së fundi një gazetari ofertën e tij për shitjen e veshkës, me ç’rast në përshkrim ishte edhe lloji i tij i gjakut dhe numri i telefonit. “Më duhet të shes veshkën, grupi i gjakut A”, thuhej në ofertë. “Situata ime financiare është tejet e vështirë, kam humbur punën dhe me nevojiten para për të financuar shkollimin e fëmijëve të mi”, theksoi ai.

Pas gjashtë muajve të reklamimit, Mircov thotë se ditët e tij janë karakterizuar nga shpresa dhe dëshpërimi. Ai thotë se një person nga Mannheimi, në Gjermani, së fundi i ka ofruar atij që t’ia paguaj fluturimin për në Gjermani dhe të mbulojë shpenzimet e transplantimit. Por kur ka bërë përpjekje të zbulojë gjurmët e tij, ky person është zhdukur.

Mircov thotë se nuk ka frikë nga operacioni dhe se nuk turpërohet për faktin se po shkel ligjin. “Më shumë frikësohem nga mungesa e parave për t’u kujdesur për fëmijët. Wshtë trupi im dhe duhet të jem në gjendje të bëjë çfarë të dëshirojë me të”, shton ai.

Zyrtarët qeveritar insistojnë se Serbia nuk është aq e varfër, sa që njerëzit të detyrohen të shesin organet e tyre, ndërsa zyrtarët e policisë nënvizojnë se asnjë rast i vetëm i shitjes së organeve nuk është përndjekur në Serbi gjatë 10 viteve të fundit. Por ekspertët të cilët studiojnë trafikimin thonë se përndjekja është e rrallë, pasi që kjo praktikë zhvillohet ilegalisht.

Djoko Maksic, nefrolog i cili kryeson programin e transplantimit në Akademinë Mjekësore Ushtarake në Beograd, nuk beson se shitja ilegale e organeve po lëshon rrënjë në Serbi, duke nënvizuar se çdo donator potencial është kontrolluar një një Komitet i spitalit, i përbërë nga mjekët dhe avokatët.

Por Milovani, një punëtor 52 vjeçar në një fabrikë në një fshat rural në jug të Serbisë, thotë se veshkën e tij ja ka dhënë një politikani të pasur lokal, i cili në shkëmbim e ka punësuar në kompaninë e tij dhe i ka ofruar që t’i bleje ilaçe. Veshka i është nxjerrë në një spital publik në Beograd, me ç’rast që të dy përdoren dokumente të falsifikuara, për të dëshmuar se kinse janë vëllezër.

Disa serbë, të cilët kanë tentuar të shesin organet e tyre, thonë se është dëshmuar se kjo praktikë është shpëtim ekonomik, por nganjëherë jo për shkak të shitjes.

Ervin Balo, një 26 vjeçar nga Kikinda dhe baba i dy fëmijëve, ishte i papunë për më shumë se një vit, kur vendosi të shkojë në një televizion lokal së bashku me vajzën e tij katërvjeçare, për të bërë një lutje që dikush të blejë veshkën e tij.

Në vend të kësaj, ai mori një ofertë për punë nga Milosh Pajakov, drejtor i një shkolle fillore, i cili pa paraqitjen e tij në televizor dhe i ofroi punën me pagë prej 190 euro në muaj, si vozitës në shkollë dhe shkollim pa pagesë për fëmijët e tij.

Mircov thotë se kriza ekonomike ka forcuar nostalgjinë e tij për ish-Jugosllavinë, kur ky shtet socialist ofronte edukim pa pagesë dhe punësim jetësor dhe kur as që flitej për shitje të veshkave.

“Është turp që populli ynë ka ardhur në këtë gjendje për të shitur veshkat. Kurrë nuk kam menduar se kjo do të ishte e mundur, madje edhe atëherë kur kohërat ishin më të këqija”, thotë Mircov.

(International Herald Tribune)

Data: 04 Qershor 2012 10:57
Autori: GazetaExpress

Të tjera