Kthehu lart

Selimi: Bota duhet të njihet me solidaritetin e shqiptarëve me hebrenjtë

GazetaExpress E enjte, 12 Dhjetor 2013 23:02

Kosova është një nga vendet më të hapura në botë që respekton të drejtat e besimtarëve dhe jobesimtarëve. Edhe pse mbi 90 për qind e popullsisë është myslimane, Kosova përbëhet nga një larmi kulturash pjesëtarët e të cilave kanë jetuar për shekuj në paqe. Për më tepër, shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri kanë marrë lëvdata nga të gjitha vendet e botës për bujarinë e tyre në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ka pasur më shumë hebrenj në trojet shqiptare në fund të luftës sesa para saj, tha zëvendësministri i jashtëm, Petrit Selimi në Prishtinë.

Këto komente zëvendësministri i jashtëm i ka bërë në kuadër të nismës Interfaith Kosovo, me të cilën MPJ-ja e Kosovës kremtoi trashëgiminë e gjatë hebraike të Kosovës me shfaqjen e një filmi dhe një panel diskutimi.

Jakov Sedlar, regjisor dhe producent i njohur kroat, shfaqi premierën e filmit të tij dokumentar në Prishtinë. Filmi i titulluar “Fati nuk më lejoi të largohesha” (“Fate did not let me go”) rrëfen për ngjarjen e vërtetë për letrën e një nëne hebreje që ia kishte kushtuar të birit të saj, vetëm disa ditë para vdekjes së saj në një kamp përqendrimi më 1942.

Rabbi Hollander, nga Tel Avivi, tha se feja është një faktor i madh në motivimin e popujve, prandaj ajo duhet të jetë një faktor i madh në bërjen e paqes, ndërsa mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërfetar është një element i domosdoshëm në diplomacinë e shekullit XXI.

Duke folur në panelin e diskutimit, Jakov Sedlar tha se bota duhet të dëgjojë më shumë për heroizmin e shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit.

“Shqiptarët kanë shumëçka për të eksportuar në mbarë botën sa i përket tolerancës dhe dialogut ndërfetar. Të gjithë duhet të promovojmë ide të reja, njerëz të rinj dhe solidaritet mes nesh. Gjithashtu, përmes artit mund të vendosim një gur të vogël në dialogun ndërfetar”, tha ai

Ai shprehu synimin e tij për të bërë një film dokumentar për hebrenjtë dhe trashëgiminë e tyre në Kosovë. “Kosova është një shtet i ri dhe bota ende ka për të mësuar shumë rreth jush. Është e rëndësishme për ju që të flitet për mikpritjen tradicionale kosovare dhe për kosovarët të cilët mirëpritën njerëz të popujve të shumtë përgjatë shekujve, duke përfshirë hebrenjtë”, theksoi Sedlar.

Kryerabini i Kroacisë, Luciano Moshe Prelevic, u përqendruar në nevojën që rajoni i gjerë i Ballkanit të ndjekë shembullin e Kosovës të promovimit të dialogut dhe bashkëpunimit ndërfetar.

Nisma Interfaith Kosovo paraqet një qasje të diplomacisë së përqendruar në inovacion përmes shoqërisë civile. /Telegrafi/

Data: 12 Dhjetor 2013 23:02
Autori: GazetaExpress

Të tjera