Kthehu lart

Rriqrat infektojnë tre persona

Rriqrat infektojnë tre persona
GazetaExpress E diel, 19 Maj 2013 10:09

Ethet hemorragjike krime kongo të shkaktuara nga pickimi i rriqrave, edhe sivjet po shkaktojnë probleme në Kosovë. Drejtues të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, pohojnë se deri më tani janë regjistruar 384 raste te pickimit të rriqrave, ndërsa tre raste janë konfirmuar në laborator si raste pozitive, të cilët kanë praninë e virusit në gjak. Mjekët u bëjnë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë punës nëpër fusha dhe në rast pickimi nga rriqrat të paraqiten menjëherë tek mjeku.

Naser Ramadani, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, ka thënë për Kosovapress se nga ekipet e këtij instituti, në bashkëpunim me institutin rajonal të Prizrenit, kanë ndërmarrë me kohë masat e duhura, duke bërë dezinfektimin selektiv të zonave endemike, si në Komunën e Malishevës dhe të Rahovecit.

Pavarësisht punës së madhe që po bënë IKSHP-ja dhe komunat gjegjëse, Ramadani shpjegon se është e pamundur që të bëhet eliminimi i të gjitha rriqrave. Edhe pse deri më tani janë regjistruar 384 raste të pickimit nga rriqrat, drejtues të IKSHP-së, pohojnë se krahasuar me vitet e kaluara, ky vit është më i qetë sa i përket etheve hemorragjike.

“Deri më tani kemi regjistruar 384 raste të pickimit të rriqrave dhe tre raste të konfirmuara në laborator si raste pozitive, të cilat kanë ardhur me kohë në IKSHP për analiza laboratorike, të cilët kanë kërkuar ndihmë në Klinikën Infektive. Diagnoza është vënë menjëherë pas tre orëve dhe terapia me kohë e kujdesi intensiv në Klinikën Infektive ka rezultuar me një tablo klinike të shkëlqyeshme”, ka thënë ai.

Dy nga tre pacientët vazhdojnë ende të qëndrojnë të shtrirë në Klinikën Infektive të QKUK-së dhe se, sipas drejtorit të kësaj klinike, Shemsedin Dreshajt, parametrat laboratorik dhe klinik tek të dy pacientët janë në përmirësim e sipër dhe që nuk janë në rrezik për jetën.

“Gjatë këtij viti kemi pasur tre pacientë tek të cilët e kemi konfirmuar sëmundjen. Pacienti i parë është trajtuar me ribavirinë dhe në gjendje të mirë shëndetësore është liruar në shtëpi. Kjo ka ndodhë javën që lamë pas. Ndërsa, aktualisht në Klinikën Infektive gjenden dy pacientë të spitalizuar, një djalosh rreth moshës 12 vjeçare dhe një burrë i moshës rreth moshës 60 vjeçe, që të dy e kanë praninë e virusit në gjak”, ka thënë ai.

Drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani, ka apeluar tek banorët e komunave të prekura nga rriqrat që të kenë kujdes gjatë punës së tyre nëpër fusha dhe ka kërkuar nga ata që t’i pastrojnë kopshtet dhe mundësisht të bëjnë dezinsektimin e tyre.

“Ata qytetarë që nuk mund t’i shmangen punëve në fushë, ne i rekomandojmë që mos të punojnë të pambrojtur. Qytetarët duhet t’i rregullojnë oborret e tyre dhe livadhet e tyre. T’i kositin barërat, kaçubat dhe në këtë mënyrë do të eliminojnë një numër të madh të rriqrave. Ata që kanë mundësi t’i ndihmojnë ekipet në terren në dezinsektim slektiv, gjithashtu ndikojnë dukshëm në zvogëlimin e rriqrave. Ata qytetarë që nuk mund të bëjnë asgjë i lusim që të kenë kujdes në veshmbathjet e tyre të përditshme që mos t’i lënë ekstremitetet e tyre të zbuluara dhe kështu do të mbrohen nga pickimi i rriqrave”, ka thënë ai.

Ministria e Shëndetësisë ka ndarë një shumë prej 156 mijë euro për aktivitete në teren që kanë të bëjnë me edukimin shëndetësor, dezinsektimin selektiv, diagnostikimin laboratorik dhe materialin e nevojshëm edukativo-epidimiologjik, në mënyrë që popullata të jetë e njoftuar mbi rrezikshmërinë e etheve hemorragjike.

Të dhënat e para për sëmundjen e etheve hemorragjike apo krime kongo, në Kosovë, datojnë që nga vitit 1954, vit kur janë konfirmuar tri raste të vdekjeve. Por, që nga viti 1954 deri më 1989 nuk ka të dhëna për këtë sëmundje.

Kurse, nga viti 1989 është shfaqur në mënyrë permanente me shpërthime epidemike të herëpashershme, sidomos në vitin 1991, 1995, 2001 dhe 2005, kanë deklaruar infektologët kosovarë. /Kosovapress/

Data: 19 Maj 2013 10:09
Autori: GazetaExpress

Të tjera