Kthehu lart

Rrimë këtu aq sa duan kosovarët

Rrimë këtu aq sa duan kosovarët
GazetaExpress E hënë, 29 Korrik 2013 22:35

Shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt ka hedhur poshtë kritikat se misioni të cilin ai e udhëheqë është duke u bërë presion dëshmitarëve që të dëshmojnë në procese gjyqësore.

Sipas tij, ata përballen me presione për të mos folur.

“Definitivisht nuk ka presion te dëshmitarët që të dëshmojnë, por ka presion te ta që mos të dëshmojnë dhe sigurisht kjo nuk vjen nga EULEX-i”, ka thënë Borchardt.

Shefi i EULEX-it u ka bërë thirrje qytetarëve që ta ndihmojnë drejtësinë në luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“Puna jonë është po ashtu ta thyejmë mentalitetin e heshtjes, t`i inkurajojmë njerëzit që kanë dëshmi të na afrohen dhe sa më shumë fajtorë të dënohen”, ka theksuar Borchard per emisionin "Unë Pyes" në RTK.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të shumë qytetarëve, Borchardt ka hedhur poshtë kritikat se EULEX-i po bën drejtësi selektive duke arrestuar vetëm persona të caktuar.

“Kjo absolutisht nuk është e vërtetë. Ne nuk arrestojmë njerëz në bazë të popullaritetit të tyre”, tha Borchard duke shtuar se “hetimet nuk fillojnë ndaj dikujt duke u bazuar në atë se është i famshëm apo jo. Hetimet fillojnë sepse ka fakte ndaj dikujt, fakte të mjaftueshme për të besuar se mund të ketë një dënim”, tha ai.

Ai ka thënë se deri tash në lidhje me rastet e krimeve të luftës ky mision ka dënuar 7 serbë dhe 9 shqiptarë.

Gjermani që udhëheq misionin më të madh të Bashkimit Evropian jashtë kufijve të tij, ka thënë se nga 350 rastet që janë duke u hetuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ku edhe prokurorët e EULEX-it janë të përfshirë, më pak se 30 për qind të këtyre rasteve janë për krime lufte. Rastet tjera përfshijnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Ai ka shtuar se tashmë janë identifikuar 20 persona të dyshimtë për masakrën e Mejës, por nuk ka thënë se kur mund të ngrihet ndonjë aktakuzë.

Borchardt ka thënë se EULEX-i nuk do të mund ta gjykonte Fatmir Limajn për akuzat e njëjta nga të cilat ai është liruar nga Gjykata e Hagës.

“`Ne Bis in Idem` do të thotë se nuk mund të ketë një gjykim të dytë për krimet e njëjta. Por, Limaj është akuzuar për vepra të tjera, përfshirë korrupsion, keqpërdorim i detyrës edhe krime të tjera të luftës”, tha Borchardt.

I pyetur nga një qytetare se kur do të largohet EULEX-i , ai ka thënë: “ne do të qëndrojmë këtu aq gjatë sa Kosova dëshiron të na ketë.”

“Ne jemi këtu ta çojmë Kosovën në shtëpi, shtëpia për Kosovën do të thotë Evropa dhe Evropë do të thotë standarde për rend dhe ligj,” ka thënë Borchardt.

Data: 29 Korrik 2013 22:35
Autori: GazetaExpress

Të tjera