Kthehu lart

Rezultatet e para

GazetaExpress E martë, 27 Dhjetor 2011 12:05

Me një “t’rame, dy t’vrame” u zgjodh edhe problemi i tabelave të automjeteve të lëshuara në emër të qyteteve kosovare nga autoritetet serbe. Ato janë tani ilegale për të gjitha palët dhe brenda vitit të ardhshëm do të zhduken edhe nga ato pjesë kosovare ku aktivisht rezistohet ligji kosovar.

Dje filloi realizimi konkret i marrëveshjes së parë të dialogut teknik me Serbinë. Kjo është marrëveshja e lëvizjes së lirë e cila u shpall që në raundet e para të takimeve në Bruksel me ndërmjetësim të BE’së dhe monitorim të SHBA’ve. Problemi fillestar ishte banal. Serbia nuk lejonte hyrjen në territor të Serbisë të qytetarëve kosovarë që kanë letërnjoftime kosovare apo tabela kosovare kerresh. Tre kategori njerëzish u goditën nga ky bojkot total i çfarëdo dokumenti lëshuar nga organet e Republikës së Kosovës. Një pjesë e shqiptarëve të Anamoravës kosovare nuk kishin mundësi të vizitonin familjarët në Luginën e Preshevës. Po ashtu, me dhjetëra mijëra kosovarë që jetojnë në Europë nuk kishin të lejuar të udhëtonin nëpër Serbi me automjete për të mbërri në Kosovë nëpër autoudhët e Europës Qendrore. Përfundimisht, edhe vetë Serbët lokalë kishin shpenzime të dyfishta ngase për jetën dhe lëvizjen në Kosovë iu nevojiteshin dokumente dhe sigurime kosovare ndërsa për jetën dytësore në Serbi paguanin dyfishin ose thyenin ligjin duke lëvizur me turli tabela ilegale dhe gjysmë-legale.

Kosova dhe Serbia u morën vesh që Serbia të lejon hyrjen dhe daljen nëpër Serbi të qytetarëve kosovarë me letërnjoftime të Republikës së Kosovës, duke iu shtuar atyre një copë letër, të ngjashme me solucionin që ka përdor Greqia vis-à-vis qytetarëve me dokumente maqedonase gjatë ‘90. U njohën edhe tabelat e lëshuara ekskluzivisht nga Ministria e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës. U krijua reciprocitet i plotë edhe në njohje të polisave të sigurimit.

Serbia tash e shumë muaj tentoi të eskivonte marrëveshjen. Fillimisht insistuan të fillojnë lëshimin e ca kartelave të improvizuara identifikimi në pika kufitare në vend të letrave bashkëngjitëse por kjo nuk u pranuar nga ndërmjetësuesit europianë. Për qytetarë të Kosovës letërnjoftime me foto lëshojnë vetëm organet kosovare. Ato serbe mund vetëm të suplementojnë copëza letre si akt simbolik, por realisht, është ID’ja me foto ajo e cila konfirmon identitetin apo origjinën e dikujt.

Po ashtu, me një “t’rame, dy t’vrame” u zgjedh edhe problem i tabelave të automjeteve të lëshuara në emër të qyteteve kosovarë nga autoritetet serbe. Ato janë tani ilegale për të gjitha palët dhe brenda vitit të ardhshëm do të zhduken edhe nga ato pjesë kosovare ku rezistohet ligji kosovar. Jo pse do të përdorim dhunë në zhdukje të tyre, por sepse do t’iu kushtojnë shumë atyre që i përdorin. Kjo është për shkak se Serbia vendosi sigurime shtesë për automjetet kosovare me vlerë prej 100 euro, ndërsa për arsye të reciprocitetit edhe pala kosovare vendosi sigurim të njëjtë, gjë që e bën të shtrenjtë promovimin patriotik me tabela UR dhe PR.

Ironikisht, për shkak të grykësisë së madhe të kompanive të sigurimit të Serbisë, qytetarët fituan lirinë e lëvizjes nga politika, por iu shtrenjtua kjo liri goxha shumë, aq sa pak qytetarë të thjeshtë do të lëvizin përtej kufirit. Deputeti Riza Halimi tashmë ka reaguar për çmimin e lartë të sigurimeve.

Kryeministri Thaçi dhe Zëvendëskryeministrja Tahiri thonë se Serbia me marrëveshje po e njeh Kosovën. Që në këtë marrëveshje të parë po shihet se Serbia de facto në mënyre implicite po e njeh ekskluzivitetin e organeve shtetërore kosovare si të vetmëve që kanë të drejtë menaxhimin dhe lëshimin në Kosovë të tabelave dhe letërnjoftimeve. Po e bën hapin e parë drejt njohjes, pa dëshirë dhe me kërcënime për humbje të kandidaturës nga BE’ja, por megjithatë po e bën. E njëjta vlen edhe për kopjet e dixhitalizuara dhe të verifikuara nga EULEX i librave kadastralë. Është futur fjalia e pakontestueshme se Gjykata Supreme e Kosovës është autoriteti përfundimtar i kontesteve ligjore, një njohje tjetër e realitetit.

Oh - natyrisht se ende janë hapat e parë me plot mëdyshje dhe propagandë nga Beogradi. Ndoshta edhe do ta sabotojnë procesin, por normaliteti mes nesh tanimë është futur pakthyeshëm në listën e kushteve të BE’së dhe ky është treguar si mekanizmi më i mirë i ri-edukimit të shteteve lindore që refuzojnë dialogun dhe fqinjësinë e mirë. Kondicionaliteti gati pavlovian mund të thotë ndonjëri.

Problemi i vetëm tek hapja përfundimtare të krejt rrugëve në Ballkan mbesin barrikadat në veri. Ato tashmë janë bërë mjet i grupeve ekstremiste serbe dhe mjet i politikës para-elektorale në vetë Serbinë. Ata që kërkojnë më shumë mjete të forcës policore dhe ushtarake pa kujdes dhe fokus, harrojnë se implementues të forcës së dhunës në hapje të rrugëve janë edhe ushtarët 18-vjeçarë nga Gjermania a Austria dhe prioriteti i ruajtjes së jetës është shumë më i lartë se luftimi për çdo centimetër të rrugëve të ngrira veriore. Rrugët, por edhe jeta politike dhe ekonomike në veri janë të ndërlidhura jo vetëm simbolikisht. Porosia kryesore gjermane por edhe e të gjithë miqve të Kosovës, prej State Departamentit, deri tek ICO’ja, Grupi Ndërkombëtar Drejtues apo kryeqytetet europiane është që oferta për veri do të duhet të jetë investimi konkret në para, orë punë, dedikim dhe partneritet me qytetarë, në suaza të Ahtisaarit, i cili gjithnjë e më shumë po konfirmohet si korniza përfundimtare që zhbëri marrëdhënien e dhunshme e të palumtur njëshekullore në mes Kosovës dhe Serbisë.

Ka gjasa të del edhe një element, ai i barrikadave të paralajmëruara të Vetëvendosjes kundër mallrave serbe. Sado absurd të jetë vendimi eventual politik të përdoret forca nga një parti parlamentare në implementim të programit partiak, një potez i tillë mund ta ndez situatën. Në afat të gjatë, kjo do të ketë megjithatë efekte të limituara ngase BE’ja dhe SHBA’të (të shtyra edhe nga kompanitë si Nestle, Henkel, Coca Cola, Pepsi, Procter and Gamble që kanë blerë asete në Serbi) nuk do të tolerojnë propagim apo veprime kundër lëvizjes së lirë dhe tregtisë.

Përkundër kërcënimeve të limituara të brendshme, rreziku më i madh për Kosovën është nëse Serbia ngec apo refuzon ta përcjell rrugën europiane. Pos që kjo do të krijonin situata reale të paparashikueshme për siguri fizike të qytetarëve të Kosovës, vonesat patjetër se do të afektonin edhe rrugëtimin e vetë Kosovës, pasi që edhe ne do të ngadalsoheshim nga shtetet mike të Serbisë. Prandaj Kosova do të duhej të ishte më e lumtura kur Serbia i përqaf me sinqeritet dhe pa ekuivok vlerat europiane dhe fqinjësinë e mirë me Kosovën. Një skenar i tillë (gjithsesi idealist në kontekst të lëvizjeve me zor të Serbisë drejt normalizimit) i garës pozitive drejt BE’së do të duhej të ishte ideali parësor politik në të dy shtetet.

Autori është:

Zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën Express.

Data: 27 Dhjetor 2011 12:05
Autori: GazetaExpress

Të tjera