Kthehu lart

Remi: Nënkryetarët e PDK-së, me vizion si të Thaçit

Remi: Nënkryetarët e PDK-së, me vizion si të Thaçit
GazetaExpress E enjte, 21 Shkurt 2013 20:54

Ish-nënkryetari i PDK-së, Rrustem Mustafa vlerëson se kryetari Hashim Thaçi i përzgjodhi nënkryetarët e rinj të partisë nga radhët e atyre “që kanë vizion të njëjtë me atë”.

Në një prononcim për Telegrafin, Mustafa ka thënë me këta njerëz që mendojnë njëjtë, Thaçi synon që të çojë përpara projektet qeverisëse.

Ndërkohë, Mustafa mendon se rajoni i Dukagjinit ka nevojë që të ketë edhe më shumë përfaqësues në radhët e strukturave drejtuese të PDK-së. Sipas tij, ky rajon ka nxjerrë shumë kuadro që kanë kontribuar për vendin.

Në anën tjetër, gjatë ditës, kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, është cituar se ka thënë se është kundër numrit të madh të anëtarëve të Kryesisë së PDK-së, të cilët vijnë nga rajoni i Dukagjinit.

Ndërkohë, Mustafa ka vlerësuar se në rast se kryetari Thaçi dëshiron që të angazhojë në Kryesinë e PDK-së një njeri që përfaqëson rajonin e Llapit, atëherë duhet të ftojë Haradin Hysenin, i cili ka qenë anëtar i Kryesisë në dy nomenklaturat e kaluara, por nuk ka arritur të zgjidhet në zgjedhjet e fundit.

“Unë përfaqësoj një rajon më të gjerë sesa Llapi. Prandaj, Hyseni është i përshtatshëm për të përfaqësuar interesat e llapjanëve”, ka thënë Mustafa, i cili ka qenë komandant i UÇK-së në rajonin e Llapit.

Së fundi, PDK-ja ka mbajtur zgjedhjet e brendshme, në të cilat nënkryetarë janë zgjedhur: Kadri Veseli, Hajredin Kuçi, Vlora Çitaku, Enver Hoxhaj, Memli Krasniqi, Adem Grabovci dhe Arsim Bajrami.

Data: 21 Shkurt 2013 20:54
Autori: GazetaExpress

Të tjera