Kthehu lart

Qeveria nuk din për emërimin e kolonelit rumun

GazetaExpress E hënë, 25 Prill 2011 17:42

(E plotësuar) Qeveria e Kosovës nuk është e informuar lidhur me emërimin e kolonelit rumun në krye te Policisë Speciale të EULEX-it.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka tha përmes telefonit për Kosovapress se nuk është i informuar zyrtarisht, ndërsa lajmin e ka dëgjuar nga mediat.

Një rumun, në krye të Njësisë Speciale të EULEX'it

Edhe pse policia rumune nuk ka hiç reputacion të mirë në Kosovë, duket se kjo fare nuk i intereson misionit të EULEX-it.

Ky mision ka vendosur që ta emërojë rumunin Marian Petre në krye të Departamentit të Policisë Speciale pas rekomandimeve të dhëna nga Njësia e Planifikimit dhe Menaxhimit të kapaciteteve të misioneve civile të BE që është një nga njësitë e themeluara brenda Shërbimit të Jashtëm të Veprimit Evropian (EEAS).

Vendosja e një rumuni në një pozitë mjaft të ndjeshme të policisë speciale të EULEX-it ka mundësi të mos pritet fare mirë nga kosovarët të cilët pjesëtarët e rendit të këtij shteti i konsiderojnë si përgjegjës për vrasjen e dy dhe plagosjen e më shumë se 80 personave në demonstratën e Lëvizjes Vetëvendosje të mbajtur me 10 shkurt 2007.

Edhe pse ngjarja ka ndodhur katër vjet më parë ende në Kosovë janë të freskëta kujtimet për mënyrën se si policët rumunë që në atë kohë vepronin në kuadër të UNIMK-ut, qëllonin protestuesit nga afërsia.

Për më tepër, policët rumunë dyshohet se janë përfshirë edhe në kontrabandë në kuadër të vetë misionit të EULEX-it me çfarë patën shkaktuar zemërim të madh tek shumë shtete evropiane pjesëmarrëse në këtë mision.

Ata ishin zënë nga doganierët e Maqedonisë duke kontrabanduar cigare dhe alkool me autobusin zyrtar të EULEX-it.

Pavarësisht këtyre, kolonel Marian Petre u emërua në këtë pozitë që është ndër më të lartat në organogramit e EULEX-it e që ka të bëjë me dimensionin e planifikimit të operacioneve të policisë.

Njoftimi për këtë emërim në formë krenarie është dhënë për media nga vetë zyrtarët e Ministrisë së Administrimit dhe Punëve të Brendshme si dhe Ministria rumune e Punëve të Jashtme.

Sipas deklaratës, Marian Petre është trajnuar në kuadër të Inspektoratit të Përgjithshëm të Xhandarmërisë Rumune dhe ai kaloi me sukses të gjitha fazat e karrierës së tij profesionale. /zhurnal/

Data: 25 Prill 2011 17:42
Autori: GazetaExpress

Të tjera