Kthehu lart

Qentë endacak shqetësojnë banorët

Qentë endacak shqetësojnë banorët
GazetaExpress E diel, 18 Gusht 2013 13:05

Qentë endacak rrezikojnë banorët e kryeqytetit. Prezenca e tyre nëpër rrugët e kryeqytetit është bërë diçka e zakonshme.Ajo çka i shqetëson qytetarët është rreziku i kafshimit për shkak të qëndrimit të tyre kryesisht afër deponive të mbeturinave, gjë që i bën më të rrezikshëm për shkak të sëmundjeve që mund t’i bartin.

Shefi i Sektorit për Shërbime Publike në Komunën e Prishtinës Habib Qorri, tha për Radio Kosovën se komuna çdo vit kontrakton një kompani e cila merret me trajtimin e qenve endacak. Ai thotë se është çështje ditësh kur do të zgjidhet kompania fituese e cila do ta bëj sterizilimin dhe kastrimin e qenve endacakë. Qorri, sqaron se vrasja e qenve endacakë nuk mund të ndodhë, për shkak se një gjë e tillë është e ndaluar me ligj. Në fshatin Halilaq gjendet Qendra për Trajtimin e Qenve Endacak e cila ka kapacitet për trajtimin e 200 qenve, por Qorri thotë se kjo qendër nuk mjafton për trajtimin e numrit të madh të qeneve, pasi brenda vitit ata shumohen dy herë. Në anën tjetër, veterinerët shprehen se për shkak të mungesës së ushqimit higjienik, kualitativ dhe kushteve të këqija të jetesës ata shpeshherë mund të jenë bartës të sëmundjeve të ndryshme, të cilat poashtu janë të rrezikshme edhe për njerëzit. Qorri thotë se qentë të cilët kapën në rrugë pasi të vaksinohen, pastrohen, kastrohen dhe sterilizohen u vendoset matrikulimi, pra shenjëzimi të cilët nuk paraqesin rrezik për qytetarët. Ky proces sipas menaxherit të Qendrës për Trajtimin e qenve endacak Florim Ferati, ka filluar vitin e kaluar. Ferati shpjegon se qenët të cilët bartin sëmundje, i nënshtrohen procesit të eutanazisë. Prania e qenve endacak është bërë problem edhe për punëtorët shëndetësorë. Shpend Fazliu zëdhënës i QKUK-së u bënë thirrje shoqatave që merren me trajtimin e qenve që të bëjnë kapjen dhe largimin e tyre nga oborri i QKUK-së. Të shqetësuar janë edhe qytetarët të cilët hasin në pengesa nga qenët gjatë shkuarjes në punë. Qendra për trajtimin e qenve endacak vepron që nga viti 2004, përderisa Komuna e Prishtinës çdo vit ndan nga 50 mijë euro për trajtimin e qenve endacak.

Data: 18 Gusht 2013 13:05
Autori: GazetaExpress

Të tjera