Kthehu lart

Pyjet do të ruhen me armë

Pyjet do të ruhen me armë
GazetaExpress E diel, 18 Gusht 2013 15:26

Rreth 50 ndërhyrje për vetëm 10 ditë i ka bërë Agjencia Pyjore e Kosovës (APK), për shuarje të zjarreve. Kreu i kësaj Agjencie, Ahmet Zejnullahu, në një intervistë për KosovaPress thotë se zjarret në pyjet tona po shkaktohen kryesisht nga pakujdesia e qytetarëve, por sipas tij, ka edhe të qëllimshme. Ai u bënë apel bujqve që të mos i djegin hamulloret, ndërsa për prerjen e pyjeve fajëson komunat.

Kur flet për prerjen e pyjeve, thotë se Komunat nuk kanë shprehur gatishmëri të punojnë në këtë drejtim. Ndërsa, nga gjykatat kërkon që ato të japin dënimet e duhura e jo të shikojnë gjendjen ekonomike të njerëzve.

500 mijë euro, që sipas tij, janë të ndara për pyllëzim brenda një viti në vendin tonë, janë të mjaftueshme, por, nga gjobat për prerës ilegale nuk shkojnë në ndonjë fond të tillë, por drejt në arkën e shtetit.

Meqë nuk po sheh bashkëpunim me autoritet komunale, Zejnullahu paralajmëron marrje të kompetencave të tyre, këtë sipas ligjit.

Kreu i APK-së bënë thirrje për mos djegie të hamulloreve. “Pothuajse të gjitha zjarret në Kosovë vijnë si shkak i pakujdesisë, por kemi raste edhe që mund të jenë të qëllimshme. Shumicën e rasteve zjarret përhapen në pyje gjatë djegieve të hamulloreve dhe kështu që është një pakujdesi e përgjithshme, pastaj djegia e hamulloreve është gjë e dëmshme për shkaka të shkatërrimit të mikroorganizmave që mbajnë strukturën e shkriftë të tokës, por sido që të jetë ne deri më tash edhe sa i përket djegies së hamulloreve ka qenë numri shumë i vogël se vitin e kaluar. Pra, shumica e zjarreve në Kosovë vijnë si pasojë e kujdesisë e që më vonë nuk kanë mundësi ti kontrollojnë ato zjarre dhe largohen nga aty. Shpresojmë shumë që këtë vit të vetëdijesohen popullata dhe në temperatura të larta të mos bëjnë djegie të hamullore”, thotë ai.

Prerja ilegale sipas Zejnullahut, është në përmasa të mëdha.

Në mese 29% të pyjeve private ka prerje ndërsa mbi 50% në ato shtetërore.

Zejnullahu thotë se Komunat nuk po i mbrojnë pyjet.

“Prerjet ilegale të pyjeve në Kosovë janë ende në përmasa të mëdha, mese 29% e pyjeve private kemi prerje, ndërsa në ato shtetërore kemi mbi 50% të sipërfaqeve pyjore. Ne në 2010 kemi deleguar kompetencat e mbrojtjes tek Komunat por si duket nuk kanë qenë të përgatitura për marrje të këtyre kompetencave, vet fakti që nuk kemi të angazhuar asnjë inxhinierë të pylltarisë në asnjë komunë thotë se interesimi për mbrojtje të pyjeve ka qenë jashtëzakonisht i vogël. Si rezultat i kësaj kemi pasur përkeqësim të situatës në disa komuna, pra, nuk mund të themi se ekziston ndonjë komunë që ka bërë përmirësimin mbrojtjes së pyjeve.

Thotë se 500 mijë euro në vit janë të mjaftueshme për pyllëzim, por që sipas tij, nevojitet pastaj mirëmbajtja dhe kujdesi për to.

“Të gjitha të hyrat që krijohen nga të hyrat e pylltarisë shkojnë në buxhetin e Kosovës, ndërsa buxheti parasheh mjete për Agjencinë dhe për Komuna edhe për pyllëzimin sipërfaqeve të zhveshura, edhe për mbjellje të fidanëve edhe për të gjithë të tjerat.......... ...Vetëm për pyllëzim këtë vit i kemi 500 mijë euro dhe në të njëjtën kohë një pjesë e tyre ndahet edhe për prodhimin e fidaneve, që tashme e kemi filluar”, thotë Zejnullahu.

Armatimin e rojeve të pyllit për ata që e shohin si diçka të kohës së kaluar, Zejnullahu thotë se po jetojmë në një kohë të tillë ngase po prehen dhe po shkatërrohen pyjet.

Brenda këtij muaji sipas tij ata do paisen më armë.

“Janë blerë 300 armë për të gjitha rojet dhe kemi rezerve nëse rritet numri i tyre. Kanë edhe municionin. Vlera e tenderit është 89 mijë euro që do të thotë diku 270 apo 280 i bie çmimi i një arme”, thotë ai.

Ndryshe, në Kosovë janë gjithsej 220 roje dhe do pajisen me armë edhe ata të parqeve nacionale. Krahasuar me vitin e kaluar, deri në këtë periudhë, ka 50 hektarë të djegura më pak. Ligji për Pyjet pritet që të jetë në Kuvend në muajin tetor.

Data: 18 Gusht 2013 15:26
Autori: GazetaExpress

Të tjera