Kthehu lart

Pyetësori i Muratit

Pyetësori i Muratit
GazetaExpress E hënë, 11 Qershor 2012 07:45

Nga Zvicra, Murat Jashari, vëllai i dëshmorit Ismet Jashari-Kumanova, publikisht i ka drejtuar 372 pyetje deputetit Fatmir Limaj. Ai shpreh zhgënjimin ndaj shokëve të të vëllait. Pyetje të ngjashme thotë se shpejt do të marrin edhe njerëzit kryesorë të UÇK’së.

Murat Jashari këtë vit e ka festuar ndryshe përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Murati, që është vëllai i dëshmorit të kombit, Ismet Jashari-Kumanova, dhe i cili jeton në Lozanë të Zvicrës, të dielën, ka përpiluar 372 pyetje.

Këto pyetje vëllai i komandantit që në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është njohur me pseudonimin “Kumanova”, në formë publike ia ka dërguar njërit prej ish-komandantëve të UÇK-së, Fatmir Limaj i njohur si komandant Çeliku.

Limaj, tash deputet i Kuvendit të Kosovës, gjatë luftës ka komanduar batalionin 121 që mbante emrin “Kumanova”.

Ismet Jashari nga fshati Orizare e Kumanovës, ka rënë dëshmor më 25 gusht të vitit 1998 gjatë përballjes me forcat serbe.

Por vëllai i tij Murati, tash thotë se është i zhgënjyer me klasën politike në Kosovë dhe atë shqiptare në Maqedoni, e sidomos me ata që dikur i kishte konsideruar shokë të të vëllait.

Deri në atë shkallë ka mbërritur zemërimi dhe dëshpërimi i tij, saqë tash thotë se as nuk dëshiron t’i përmend ata persona me të cilët dëshmori Ismet Jashari, ka luftuar bashkë me ta.

“Nuk janë shokët e tij. Shokët e vërtetë ia kanë vra”, thotë Murat Jashari.

Express ka zhvilluar të dielën një bisedë telefonike me Murat Jasharin dhe ai ashtu si edhe në letrën publike me pyetjet e parashtruara për Limajn, hedhë vrer mbi tërë grupin e njerëzve që kanë qenë në Drejtorinë Politike të UÇK-së.

“Ata janë mafiozë”, thotë Jashari, pasi fillimisht uron të gjithë shqiptarët për festën e Lidhjes së Prizrenit.

“Kanë përfitu në emër të luftës, të gjakut të dëshmorëve e kjo nuk durohet”, thotë Jashari për Express.

Shumë i pezmatuar me situatën në Kosovë dhe Maqedoni, Jashari thotë se populli nuk mundet të durojë kështu.

“Unë ata mafiozë i njoh shpirtërisht. E populli nuk mundet me i çelë sytë kurrë me ta”, thotë Jashari nëpërmjet telefonit, i lutur të sqarojë arsyen përse ka shkruar një letër të tillë me pyetje.

Ky aktivist i hershëm i Lëvizjes Popullore të Kosovës shpreh një mori kritikash për të gjithë njerëzit që dikur kanë bartur barrën e luftës e tash janë në politikë.

Përveç të tjerash, Jashari në letrën publike me 372 pyetje dërguar Fatmir Limajt, e pyet atë edhe për rrethanat e vrasjes së të vëllait, Komandant Kumanovës, por edhe të dëshmorëve tjerë si Mujë Krasniqi-Kapuçi dhe Remzi Ademi-Petriti.

Madje ai shkon edhe më larg me dyshimet e tij.

Jashari për Express thotë se të gjithë ata që kanë qenë njerëz e që kanë luftuar me mish dhe shpirt, janë vrarë ose u është ngritur kurth nga njerëzit aktualë në mënyrë që mos t’i kenë pengesë për përfitime pas luftës.

“Ismetit ia kanë punu pas shpine. Ata e dinë cilët njerëz e kanë bërë këtë. Fatmiri le ta pyetë Elmi Reçicën dhe Lulin (v.j .Kadri Veselin) se si u vra ‘Kumanova’”, thotë Murat Jashari.

Ai thotë se është i vetëdijshëm për të gjitha këto që deklaron. Por thotë se nuk e ka aspak problem.

“Unë e kam emrin tim dhe jam i gatshëm të ballafaqohem me të gjitha”, thotë Jashari për Express.

Këta njerëz, sipas tij, e kanë penguar shumë edhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni.

Arsyeja sipas tij qëndron se këta njerëz që i ka apostrofuar në letrën e tij, nuk kanë dashur që shqiptarët të fitojnë.

Duke u nisur nga të gjitha këto, ai shpreson se në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, të mos jenë këta njerëz në krye të Qeverisë në Kosovë.

Por kush duhet të jetë?

Murat Jashari nuk jep asnjë emër.

“Ka plot njerëz idealistë që e duan shqiptarinë”, thotë Jashari, pa dhënë asnjë emër konkret.

Murat Jashari ka bërë shumë pyetje në adresë të Limajt.

E ka pyetur shumëçka dhe për çdo gjë.

Jashari paralajmëron se me pyetje të tilla do të përballen në ditët në vijim edhe Ali Ahmeti, Xhavit Haliti, Azem Syla, Adem Grabovci, Hashim Thaçi, Emrush Xhemajli, Gafurr Elshani, Ibrahim Kelmendi, Jakup Krasniqi, Fazli Veliu, Ramush Haradinaj dhe Musa Xhaferi

Disa pyetje

Disa nga pyetjet publike të Murat Jasharit drejtuar me letrën publike Fatmir Limajt.

Pse asnjë kallash të Brigadës 121 „Komandant Kumanova“ nuk e dhatë për nisjen e luftës çlirimtare në Zonën e vendlindjes së Komandantit tënd, Ismet Jasharit – Kumanovës?

Sa deputetë të PDK-së janë bërë milionerë, kurse në Zvicër e Perëndim kanë jetuar prej ndihmave sociale?

Si u pasuruan Kryetarët e komunave dhe këshilltarët komunal?

Sa para u harxhuan për luftën dhe sa mbetën në fund të luftës?

Sa para i keni dhënë secilës Zone Operative të UÇK-së, cilëve ua keni dorëzuar, sa u keni dorëzuar, si janë harxhuar, a ka raportime nga ata, apo i keni dhënë qesim?

Data: 11 Qershor 2012 07:45
Autori: GazetaExpress

Të tjera