Kthehu lart

Premtimi irakian

GazetaExpress E martë, 18 Maj 2010 07:02

Menjëherë pas formimit të Qeverisë së re në Irak, zyrtarë të lartë të këtij vendi premtojnë se do ta iniciojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Këtë premtim e bëri të hënën në Prishtinë, përfaqësuesi i Këshillit Suprem Islamik të Irakut, Ali Al-Baldawi

Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka pritur të hënën në Prishtinë përfaqësuesin e Këshillit Suprem Islamik të Irakut, Ali Al-Baldawi, nga i cili ka kërkuar inicimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e shtetit irakian.

Meqenëse në Irak ende nuk është formuar Qeveria e re, pas zgjedhjeve në mars të këtij viti, Pacolli tha se menjëherë pas formimit të Qeverisë, do të udhëtojë në Irak dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës do ta kërkojë edhe nga përfaqësuesit e institucioneve të tjera atje.

“I kërkova delegacionit që të iniciojnë në parlamentin irakian njohjen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran. Mora premtime se menjëherë do të fillojë iniciativa atje që të formohet një klub i miqësisë parlamentare mes Parlamentit të Kosovës dhe atij të Irakut dhe të fillojë iniciativa për njohjen e shtetit tonë”, tha Pacolli.

Mysafiri i Pacollit, Ali Al-Baldawi e filloi fjalën e tij sipas traditës së shtetit, me bismilah, i bindur se në të ardhmen e afërt Iraku do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Presim që brenda këtij muaji të zgjidhen krerët e institucioneve, pas zgjedhjeve që kishim në mars. Menjëherë pas formimit të qeverisë së re, do të propozojmë që të themelohen marrëdhëniet diplomatike dhe ekonomike mes dy vendeve”, tha ai.

Al-Baldawi u zotua se me kthimin e tij në Irak, do të fillojë punën rreth vendosjes së marrëdhënieve miqësore-diplomatike me Kosovën.

“Unë do ta formoj një klub miqësor mes parlamentit irakian dhe atij kosovar. Pas formimit të Qeverisë së re të Irakut, do kërkoj edhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve”, tha Al-Baldawi, partia e të cilit ka dalë fituese në zgjedhjet e fundit nacionale në Irak.

Kreu i AKR’së gjatë konferencës me gazetarë po ashtu theksoi se Iraku është vonuar shumë sa i përket njohjes së Kosovës, për shkak të marrëdhënieve me Serbinë.

“Iraku shumë vonë ka njohur realitetin edhe të ish-republikave të tjera të dala nga Jugosllavia. Si shembull, vetëm në vitin 2009 e kanë njohur pavarësinë e Bosnjës e Hercegovinës. Kjo për arsye se Iraku ka shumë miqësi të madhe me Beogradin dhe se kanë marrëdhënie shumë të mira biznesore e diplomatike me Beogradin. Por ne u kemi shpjeguar se nuk na interesojnë lidhjet e tyre me Beogradin. Le t’i mbajnë ata lidhjet e veta në interes të tyre, por le ta njohin pavarësinë e shtetit tonë”, ka thënë Pacolli.

Pas takimit me Pacollin, delegacioni irakian ka zhvilluar takime pa praninë e medieve me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Kosovë dhe me përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës.

Delegacioni irakian ka qëndruar në Kosovë me ftesë të kreut të AKR’së, Behgjet Pacolli.

Data: 18 Maj 2010 07:02
Autori: GazetaExpress

Të tjera

  • ​Objekti 6 milionësh i Ministrisë së FSK'së po vërshohet nga uji (Foto) 0

  • ​Mehmeti: Mustafa, mëkatari i djeshëm po gomarizon të ardhmen e Kosovës 0

  • Dardan Sejdiu e Fisnik Ismaili po stërviten në Gërmi për të rrëzuar Qeverinë 0

  • Kadaj Bujupi: Kryeministër, shko n'shpi 0

  • ​Ky është Real Madridi i vërtetë, 5 gola Betisit (Video) 0

  • Këto xhirime, më 1999 e tronditën Serbinë (Video) 0

  • ​Kapen poshtë krevatit 2 ‘skifterat’ shqiptarë 0

  • Plazhi i Shkëmbit të Kavajës pa ujë 0