Kthehu lart

Plisat reagojnë ndaj dhunës pas ndeshjes Prishtina–Ferizaj

Plisat reagojnë ndaj dhunës pas ndeshjes Prishtina–Ferizaj
GazetaExpress E diel, 18 Gusht 2013 15:30

Tifozët e Prishtinës, ‘Plisat’ kanë reaguar të hënën për dhunën që e shfaqi Policia e Kosovës pas ndeshjes së djeshme ndërmjet Prishtinës dhe Ferizajt, e cila përfundoi 1:0 për vendësit.

Përmes një letre, tifozët prishtinas i fajësojnë policët, të cilët i konsiderojnë të papërvojë e të paparë ndonjëherë në stadiumin e Prishtinës dhe për të cilët thonë se e shkaktuan incidentin

“Plisat si në çdo ndeshje, edhe në këtë ndeshje gjendeshin në vendin e zakonshëm, për ta përkrahur ekipin e zemrës, e që kjo gjë pengohej nga këta policë gjë gjenin arsyet më banale për të debatuar me tifozë. Provokimet e tyre nuk ishin të drejtuara vetëm ndaj Plisave, por edhe ndaj shikuesve të thjeshtë që gjendeshin në shkallët e tribunës lindore. Derisa temperatura kalonte 35 gradë celsius, dyert e tribunës lindore u mbyllën dhe shitja e ujit u ndalua nga policia e që në tribunën perëndimore vazhdonte të shitej”, shkruan në letrën e ‘Plisave’.

Sipas tyre, me përfundim të pjesës së parë askush nuk u la as të dalë jashtë e as të freskohet me ujë. Kjo ka ndodhur edhe në fund, ku tifozët u detyruan të qëndronin në stadium edhe 20 minuta pasi kishte përfunduar ndeshja.

“Kërkesave të shikuesve të thjeshtë dhe Plisave për hapjen e dyerve policia ju përgjigjej me sharje dhe ofendime nga më të ndryshmet, ku me këtë rast edhe eskaloi situata, ku policia e arriti qëllimin dhe njerëzit u frustruan pasi që aty gjendeshin edhe prindër që kishin ardhur me fëmijë të vegjël. Policia pa kontroll hidhte sprej në drejtim të masës, në të cilën gjendeshin edhe shumë fëmijë. Përveç sprejit, filloi të përdorte edhe dhunë ndaj të gjithëve, madje edhe ndaj atyre që i kishte arrestuar dhe ishin të lidhur me pranga, e që sipas rregullave policore ata persona që janë të lidhur me pranga nuk kanë të drejtë të goditen”, vazhdon letra.

Sipas Plisave, situata filloi të qetësohej tek pasi ka ardhur njësia speciale dhe e ka marrë situatën nën kontroll dhe ka filluar ta lejojë daljen e të gjithëve nga tribuna lindore.

Tifozeria prishtinase shpreson që ky të jetë rasti i fundit dhe organet që janë përgjegjëse për dërgimin e policisë, së bashku me ata të cilët merren me organizimin e futbollit, të koordinohen në mes vete në mënyrë që të mos i pengojnë ata në përkrahjen e ekipit të tyre të zemrës, duke ushtruar dhunë pa pikë nevoje ndaj tyre. “Sepse, me veprime të tilla do t’i largojnë tifozët dhe shikuesit nga stadiumet edhe ashtu pothuajse të zbrazëta dhe njëkohësisht do ta prishin futbollin|, përfundon shkrimi i ‘Plisave’.

Data: 18 Gusht 2013 15:30
Autori: GazetaExpress

Të tjera