Kthehu lart

Përkujtohet 22 maji i flijimit vushtrrias

Përkujtohet 22 maji i flijimit vushtrrias
GazetaExpress E mërkurë, 22 Maj 2013 15:47

Maji i vitit 1999 është muaji i dhembjes, por edhe i krenarisë, është muaji i qëndresës e sakrificës, flijimit dhe solidaritetit të madh. 22 Maji është një kaptinë e veçantë e flijimit. Kështu u tha të mërkurën në Vushtrri, gjatë akademisë së mbajtur në nderim të martirëve, të cilët në ditën e sotme para 14 viteve u vranë apo u zhdukën, për t’u gjetur më vonë në varrezat në Serbi.

Nënkryetari i komunës së Vushtrrisë, Dibran Përçuku, ka thënë se kjo ditë përkujton kur në këtë qytet forcat paramilitare e militare serbe vranë, plagosën, dhunuan, burgosën e dëbuan popullatën civile.

“Atë ditë u vranë 34 qytetarë në lokacione të ndryshme të komunës, si në Duboc, Beçiq, Studime dhe në qytetin e Vushtrrisë, ndërsa në përpjekje për të ndihmuar popullatën dhe qarë rrethimin, u vra edhe dëshmori i kombit Blerim Zuqaku”, ka theksuar Përçuku.

Sipas tij, aksioni ushtarako-policor i filluar në mëngjesin e 22 majit në lagjet e poshtme të qytetit, atje ku popullata civile ishte e koncentruar dhe e bashkuar, bënë që ky aksion të jetë më barbar dhe më kriminal.

Ai ka pohuar se gjatë atij aksioni ka pasur ekzekutime, dhunë të shfrenuar, dhunime, djegie të shtëpive dhe kufomave, por mbi të gjitha zhdukje të 68 qytetarë, të moshave dhe gjinive të ndryshme.

“Pushtuesi serb jo vetëm që vrau civilët, por me qëllim të mbulimit të krimit barti kufomat për t’i varrosur në varreza masive nëpër Serbi”, ka thënë Përçuku, duke shtuar se atë ditë tmerri e përjetuan mijëra qytetarë të komunës së Vushtrrisë, qoftë në burgun e improvizuar në palestrën e qytetit e më vonë edhe në burgun e Smrekonicës.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për të pagjeturit, Prenk Gjetaj, ka thënë se kanë kaluar 14 vite, ndërsa familjarët vazhdojnë të përkujtojnë, por edhe të bartin me vete ankthet për të pagjeturit.

“Përkujtimet për martirët janë respekt, homazhe dhe mesazh për gjeneratat e reja”, ka thënë Gjetaj.

Në emër të familjarëve të martirëve ka folur Ajmane Shatrolli, e cila ka kërkuar nga institucionet e Kosovës të bëjnë më shumë për familjet e martirëve të lirisë, e veçanërisht në sferën e punësimit. /Kosovapress/

Data: 22 Maj 2013 15:47
Autori: GazetaExpress

Të tjera