Kthehu lart

Përfundon regjistrimi, rezultatet në qershor

GazetaExpress E mërkurë, 20 Prill 2011 20:50

Ka përfunduar regjistrimi i popullsisë në 34 komuna të Kosovës, duke përfshirë komunat me shumicë serbe, por jo edhe ato të veriut të Kosovës. Ky proces i filluar më një prill dhe i paraparë të përfundojë më 15 të këtij muaji, ishte shtyrë në shtatë komuna të Kosovës për katër ditë për shkak të ankesave të qytetarëve se nuk ishin përfshirë në këtë proces.

Zyrtarja për informim nga Enti i Statistikave të Kosovës, Majlinda Lulaj- Sinani, thotë se shtyrja ka qenë e efektshme. ‘Regjistrimi i popullsisë është vazhduar në shtatë komuna të Kosovës dhe kjo është bërë për arsye të të dhënave ose shënimeve të raporteve që i kemi pasur nga komunat përkatëse thjesht për një jombulueshmëri mbase të mjaftueshme gjatë periudhës së paraparë deri më 15 prill.

Konsiderojmë që kjo ka qenë e efektshme për arsye se në fakt është rritur edhe interesimi i qytetarëve gjatë kësaj periudhe”, tha Lulaj-Sinani. Bazuar në Ligjin për regjistrimin e popullsisë, Enti i Statistikave të Kosovës është institucioni kompetent i cili pas vërtetimit të saktësisë dhe validitetit të të dhënave, do të ofrojë të dhënat preliminare më së largu deri më 30 qershor 2011.

Rezultatet përfundimtare do të jepen në bazë të Ligjit për regjistrimin e popullsisë që parashihet të jepen deri në dhjetor të vitit 2013.

Data: 20 Prill 2011 20:50
Autori: GazetaExpress

Të tjera