Kthehu lart

Përfundoi samiti i OKB-së Rio plus 20

Përfundoi samiti i OKB-së Rio plus 20
GazetaExpress E shtune, 23 Qershor 2012 13:33

Me miratimin e deklaratës përfundimtare, në qytetin brazilian Rio de Zhaneiro përfundoi Samiti i OKB-së për zhvillim të qëndrueshëm Rio+20.

Në dokumentin përfundimtar të titulluar "Ardhmërinë që e duam", liderët dhe përfaqësuesit qeveritar të pothuajse njëqind vendeve-pjesëmarrëse në Samitin treditor obligohen për mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm.

Në Deklaratë shprehet shqetësim dhe zemërim për shkak se "më se një miliardë njerëz mbarë botën jetojnë në kushte të varfërisë ekstreme" dhe në të njëjtën kohë apelohet për hartim të një plani për tejkalimin e kësaj gjendjeje.

Liderët pjesëmarrës në Samit u përqendruan edhe në sfidat me të cilat pritet të ballafaqohet popullata e botës, numri i së cilës parashikohet që nga shtatë miliardë, sa ka tani, të rritet në 9,5 miliardë deri në vitin 2050.

Megjithatë, si sfidë kryesore e ardhmërisë theksohet ngrohja globale, e cila është vlerësuar si "rrezik më i madh i kohës sonë".

Në dokumentin, i cili ka 53 faqe, janë konfirmuar edhe qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm në periudhën e ardhshme, por edhe krahas kërkesës së vendeve në zhvillim për ndihmë financiare, në tekst nuk saktësohen kurrfarë mjetesh për realizimin e qëllimeve të vendosura.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, e përshëndeti miratimin e dokumentit, duke vlerësuar se ai paraqet plan se si Toka të shndërrohet në vend më të sigurt dhe më të hareshëm.

Data: 23 Qershor 2012 13:33
Autori: GazetaExpress

Të tjera