Kthehu lart

Për vehabistët di vetëm AKI’ja

Për vehabistët di vetëm AKI’ja
GazetaExpress E martë, 06 Gusht 2013 07:59

Myftiu Naim Tërrnava ka arritur të sfidojë institucionet me deklaratat e tij, për vehabizmin në Kosovë. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Kuvend thonë se rreth pranisë së radikalëve islamikë në vend, di vetëm AKI. Deputeti Rexhep Selimi, Nënkryetar i Komisionit Parlamentar për Siguri e pranon se Kosova ka probleme me fundamentalizmin islamik.

Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI), e di më së miri se a ka vehabistë apo fundamentalistë islamikë në Kosovë.

Kështu deklarojnë zyrtarët e ekzekutivit por edhe përfaqësues të legjislativit kosovar.

Derisa asnjëra palë nuk mohon se Kosova ka probleme me vehabistë.

Por, një gjë të tillë e ka mohuar Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërrnava.

Ai ditë më parë, në një paraqitje televizive tha se nuk është në dijeni se në Kosovë ka vehabistë.

“Unë këtë nuk e di nëse organet e sigurisë kanë informacione për këtë le të merren me ta”, ishte deklarata e Myftiut Tërrnava.

Në këtë mënyrë, Tërrnava ka sfiduar të institucionet të cilat shprehen të rezervuara rreth kësaj teme.

Express ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Brendshme për të kuptuar nëse kjo e fundit ka të dhëna lidhur me ekzistencën dhe aktitivitetet e vehabistëve në Kosovë.

Krejt çka i është dhënë gazetës nga dikasteri që ka mbi supe rendin dhe sigurinë e shtetit ishte një orientim tek organet tjera shtetërore.

“Ne nuk kemi asgjë,për këtë duhet t’i drejtoheni AKI’së”, ishte përgjigja e Zëdhënëse së MPB’së, Rroksana Qarri për Express.

Të dhënat e AKI’së siç dihet janë konfidenciale për opinion.

Express ndërkohë ka kontaktuar me zyrtarë të Komisionit Parlamentar për Siguri.

Nënkryetari i këtij Komisionit, Deputeti Rexhep Selimi ishte më i prerë kur u pyet nëse Kosova ka probleme me vehabistë.

“Unë po them se problemi me vehabistët nuk është vetëm problem i Kosovës por edhe i Kosovës”, tha Selimi.

Mirëpo ai ka pohuar se AKI’ja, në krye me Bashkim Smakajn, e di më së miri këtë punë.

“Siç thashë, AKI’ja. Por, e përsëris vehabizmi nuk është vetëm problem i Kosovës por edhe i Kosovës”, u shpreh Selimi.

Çka thonë raportet ndërkombëtare për vehabizmin në Kosovë?

Vehabizmi njihet si lëvizje fetare, ose degë e Islamit, e cila u zhvillua në shekullin e 18-të në Arabinë Saudite nga teologu mysliman, Muhammad ibn Abd al-Wahhab

Veçori e kësaj lëvizje është se njihet si formë më e rreptë e Islamit që insiston në në interpretimin fjalë për fjalë të Kuranit.

Për shumë kritikë botëror ngurtësia e vehabistëve ka çuar në keqinterpretimin dhe shtrembërimin e Islamit, duke marrë për shembull ekstremistët si Osama Bin Laden dhe talebanët.

Në një raport të Departamentit të shtetit amerikan për liritë fetare në botë, të vitit 2011, kur flitet për Kosovën thuhet se në shtetin me më shumë se 90 për qind të popullatës me besim islam, feja nuk është faktor kryesor në jetën publike.

Mirëpo, aty theks të veçantë i jepet një veshje karakteristike, kryesisht me pantallona te shkurtër dhe mjekër të gjatë, të cilën hasen edhe nëpër Kosovë.

“Retorika fetare mungon në masë të madhe në diskursin publik të komuniteteve myslimane, ndërsa pjesëmarrja në xhami është e vogël. Por, veshja islamike, edhe pse jo shumë e shpeshtë, ka shënuar rritje”, thuhej në raport.

Ndërkohë që disa kosovarë me shtetësi të huaj, si në SHBA dhe Gjermani, janë akuzuar për sulme terroriste, të motivuara nga Islami radikal.

Ndër t'o vlen të përmendet rasti i Asllan Bajramit nga Mitrovica, njëri nga njerëzit më të kërkuar nga FBI , nën dyshimin për mbështetje të veprave terroriste e i cili jetonte i lirë në Mitrovicë, në mungesë të një marrëveshje ekstradimi mes Kosovës dhe SHBA’së.

Ai akuzohej se ka lidhje me njerëz nga Karolina e Veriut, të arrestuar kohë më parë për një komplot të dyshuar për të sulmuar bazën e marinës amerikane në Kuantiko të Virxhinias dhe plane të dyshuara për të lënduar njerëz në Kosovë, Jordani dhe në Rripin e Gazës.

Data: 06 Gusht 2013 07:59
Autori: GazetaExpress

Të tjera