Kthehu lart

Pejanët marrin mësim nga drejtuesit e Ballkan Ligës

Pejanët marrin mësim nga drejtuesit e Ballkan Ligës
GazetaExpress E diel, 18 Gusht 2013 12:59

Drejtuesit e KB Pejës i kanë mësuar hapat e parë që duhet t’i marrin në pjesëmarrjen e tyre në Ligën Ballkanike. Verdh e zinjtë janë takuar të shtunën me drejtorin e këtij evenimenti, Shay Shtriks, i cili u ka folur rreth organizimit të ndeshjeve dhe sjelljes së tifozëve.

Drejtuesit e KB Pejës janë takuar të shtunën në Shkup me drejtorin e Ligës Ballkanike, Shay Shtriks, nga i cili kanë marrë mësim se si duhet të veprojnë, në debutimin e tyre në këtë kompeticion.

Ndër të tjera, verdh e zinjtë kanë marrë informata rreth asaj se si duhet t’i organizojnë ndeshjet dhe rreth sjelljeve të tifozëve, që janë mjaft me rëndësi.

“Në takim është biseduar për ndryshimet që duhen bërë në palestër dhe për nivelin organizativ të ndeshjeve. Shtriks kërkoi nga ne dhe tifozët tanë të kemi shumë kujdes gjatë ndeshjeve dhe të respektohen rregullat, sepse në rast të hedhjes së gjësendeve në parket, ofendimeve raciste ose nacionale, BIBL mund edhe ta përjashtojë klubin nga garat”, njofton klubi pejan.

Kampioni i Kosovës është i bindur se Shqiponjat do të sillen në mënyrë sa më të mirë dhe se do ta bënjë krenar këtë klub.

Ndërkohë, pejanët i kanë marrë ditë më parë 35 mijë euro nga Ministria e Sportit, të cilat do t’i përdorin për pagesën e kuotizim dhe për "Wild Card".

Pejanët ndër të tjera janë nisur të shtunën për në Rozhajë të Malit të Zi për t’i zhvilluar përgatitjet fizike dhe kondicionale për sezonin e ri.

Kjo është pjesa e parë e përgatitjeve, pas së cilës do të pasojë pjesa e dytë, ku edhe pritet zhvillimi i disa ndeshjeve miqësore me klubet nga rajoni.

Peja është ekipi i dytë kosovar që do të marrë pjesë këtë sezon për herë të parë në Ligën Ballkanike, së bashku me Sigal Prishtinën.

Data: 18 Gusht 2013 12:59
Autori: GazetaExpress

Të tjera