Kthehu lart

Pasaporta diplomatike, e pavlerë

Pasaporta diplomatike, e pavlerë
GazetaExpress E shtune, 17 Gusht 2013 07:59

Pasaportën diplomatike të Kosovës e kanë marrë më shumë se 600 zyrtarë. Ky dokument, pothuajse nuk u ofron atyre kurrfarë privilegji jashtë shtetit. Por, në Kosovë me këtë dokument ata e kalojnë kufirin më lehtë dhe kanë disa lehtësira në aeroport.

Tre deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe Drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni nuk kanë marrë pasaportat diplomatike të Shtetit.

Për dallim prej 117 deputetëve të tjerë, Muhamet Mustafa, Emin Gërbeshi dhe Rada Trajkovic nuk janë pajisur me pasaportë diplomatike.

Aktualisht, pasaportë të tillë kanë edhe ish-Presidenti, ish-Kryeministrat, ish-Kryeparlamentarët, Presidentja me familje, Kryeministri me familje, Ministrat me familjet e tyre, Zëvendësministrat si dhe stafi diplomatik i Kosovës.

Gazeta Express ka pasur qasje në listën e pasaportave diplomatike, të cilën e harton dhe mirëmban Ministria e Punëve të Jashtme në bashkëpunim më Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Në këtë listë ishin më shumë se 600 zyrtarë që kanë përfituar pasaportë diplomatike të Republikës së Kosovës.

Zyrtarët e MPJ'së kanë thënë se kjo listë plotësohet për shkak se ka zyrtarë që ende nuk kanë marrë pasaportë dhe ka të tjerë që i kthejnë pasaportat diplomatike në momentin që e përfundojnë mandatin.

Por, cilat janë privilegjet që ofron pasaporta diplomatike e Kosovës?

Kjo pasaportë iu mundëson zyrtarëve të përdorin dhomën VIP në Aeroportin e Prishtinës, të kalojnë kufirin e Kosovës pa pritur në rend.

Posa ta kalojnë kufirin, zyrtarët e Kosovës trajtohen sikur çdo qytetarë tjetër përveç nëse në vendin ku shkojnë i pret protokolli i shtetit mikpritës.

Sidoqoftë, zyrtarët e pajisur me pasaportë diplomatike duhet të pajisen me vizë njësoj sikur qytetarët me pasaporta jodiplomatike.

Data: 17 Gusht 2013 07:59
Autori: GazetaExpress

Të tjera