Kthehu lart

Nuk mund të blesh gjithçka me para

Nuk mund të blesh gjithçka me para
GazetaExpress E enjte, 20 Qershor 2013 15:48

Teza e një filozofi dhe ekonomisti të Harvardit: ekonomia nuk mund të jetë çelësi për t’i zgjidhur të gjitha problemet

Ekonomia nuk mund të jetë çelës për t’i zgjidhur të gjitha problemet? Në fillim të Viteve Nëntëdhjetë, Zvicra ishte në kërkim të një stoku për mbetjet bërthamore të prodhuara nga dy centralet elektrike. Në një fshat të vogël me dy mijë frymë që ishte në listë, disa ekonomistë bënë një eksperiment që pati rezultate mahnitëse. Së pari i pyetën banorët e Wolfenschiessen a do të votonin për a kundër. 51 % votuan për: ndjenja qytetare e dha më të mirën përkitazi me shqetësimet për rreziqet eventuale. Kur ekonomistët shtuan një stimulues, një ‘sheqerizues’, duke premtuar edhe një pagesë monetare, votat në favor ranë në 25 %. Ofrimi i parasë bëri të ulej gatishmëria e zviceranëve për ta pranuar sitin e mbetjeve bërthamore. Çka kishte ndodhur?

Pjesa më e madhe e banorëve të Wolfenschiessen që ishin përgjigjur jo shpjeguan se nuk ishin të gatshëm të korruptoheshin. Ekonomistët që kishin drejtuar eksperimentin, Bruno S. Frey e Felix Oberholzer-Gee, natyrisht erdhën në përfundimin se stimulimi monetar e kishte dëmtuar objektivin që duhej arritur. Jo vetëm kaq: “simulantët”, përfunduan, “prirën ta rrisin detyrimin qytetar”. Frey e quan “efekt i rritjes” dhe tashmë letërsia ka plot rezultate të tilla.

Nuk mund të blesh gjithçka.

Bruno S. Frey (lart) dhe Felix Oberholzer-Gee (poshtë)

Ndërsa njëri nga etërit e shkollës së mendimit të kundërt dhe që ka mbizotëruar kohë të gjatë, nobelisti Gary Becker, pohon se meqë njerëzit sillen gjithmonë ashtu që ta maksimalizojnë mirëqenien e tyre, metoda ekonomike “është e gjithëdijshme” dhe “është e aplikueshme në të gjitha sjelljet njerëzore”, nga zgjedhja e markës së kafesë deri te zgjedhja kë duhet martuar. Gjithçka shpjegohet me numra, gjithçka mund të blihet ose të shitet. E kur tregu nuk funksionon vetë, shkopi magjik i ekonomistëve quhet stimulues. Kur tregu zë në thua, mjafton të ndërfutësh një çmim, ose një sanksion dhe, hopa, gjithçka zhbllokohet. Një bindje që viteve të fundit ka marrë një formë manie: në tetë vitet e presidencës së tij, Bill Clinton përdori termin ‘stimulues’ vetëm një herë; në tri vitet e para të mandatit të tij, Obama e ka përmendur 29 herë.

Por, çka ndodh nëse stimuluesit nuk funksionojnë? Me fjalë të tjera, çka ndodh nëse zbulohet se jo gjithçka mund të blihet?

Filozofi dhe ekonomisti i Harvardit Michael j. Sandel është përpjekur të përmbledhë në një libër interesant, ‘What Money Can’t Buy – The moral limits of markets’, shembuj interesantë që do të tregonin “kufijtë moralë të tregut”, do të thotë pragjet tej të cilave ekonomistët i lajnë hesapet me forcë, pulsimet, dëshirat dhe bindjet që nuk mund të shpjegohen me teoritë ekonomike klasike dhe që nuk mund të ndreqen me stimulues monetarë. Sandel citon një shembull befasues, një rast të ngjashëm me atë të stokut zviceran, ku një stimulues është shndërruar në të kundërtën e tij.

Michael j. Sandel

Në një eksperiment të bërë në një azil, gjoba për prindërit që arrinin vonë t’i merrnin fëmijët ka bërë që të shtohen, në vend se të pakësohen, vonesat. Është evidente se ëmat dhe etërit e kanë perceptuar këtë sanksion si një lloj tarife që mund të paguhej për vonesën, e jo si një stigmatizim.

Një shembull tjetër i ngjashëm është eksperimenti i bërë në disa shkolla izraelite, ku studentët në kërkim të donacioneve i kanë ndarë në dy grupe, ata që paguhen dhe ata që e bëjnë gratis. Zbulimi është se këta të fundit, këtë që nuk marrin asnjë kompensim, angazhoheshin shumë më shumë. Akoma: kur Asociacioni i pensionistëve amerikanë i kërkoi një grupi avokatësh të t’i asistojnë gratis disa pleq, thanë po. Kur i kërkuan të njëjtin grup t’i ofronin shërbimet e tyre për një tarifë të caktuar, thanë jo.

Sandel është i bindur se ka arritur momenti të rikuperohet mendimi i një ekonomisti anglez të vdekur në fund të viteve ’70 dhe të lënë në harresë: Fred Hirsch. Studiuesi foli në një ese për “efektin që ushtrohet mbi karakteristikat e një aktiviteti apo të një produkti nëse iu ofrohen ekskluzivisht ose në mënyrë të vetëkuptueshme në terma komercialë në vend se mbi ndonjë bazë tjetër: shkëmbim informal, obligim reciprok, altruizëm ose dashuri, ose që ndjehen si shërbim a obligim”. Disa ekonomistë kanë kalkuluar për shembull se nëse Bruce Springsteen do të kishte bërë që biletat e një koncerti të tij të paguheshin me çmimin e tregut, do të kishte fituar katër milionë më shumë në një natë të vetme. Pse? Një studiues i madh amerikan, Alan Krueger, ka shpjeguar kështu: “Do ta dëmtonte lidhjen e dhuntisë që ekziston më simpatizantët e vet”. Do ta zhgënjente publikun e vet, me fjalë të tjera. Një rrezik që nuk ka çmim, për yllin amerikan të rockut.

Bruce Springsteen

Alan Krueger

Kuptimi i librit është të sinjalizohet fakti se “kemi kaluar nga të pasurit e një ekonomie të tregut në të qenit një shoqëri e tregut”, ku dyqani penetron çdo rreth të shoqërisë njerëzore. Ku vihet bast edhe jeta, siç tregojnë bastet e famshme ‘Viatical’ që bëheshin me të sëmurit me Aids. Një biznes ku atyre u jepej avans pjesa më e madhe shumës së vdekjes në shkëmbim të policës (ata e arkëtonin kusurin).

Ai që bënte para në këtë mënyrë kaq të mbrapshtë, e lante ndërgjegjen duke pohuar se ia kishte dhuruar, falë avansit të sigurimit, muajt e fundit më të lumtur të sëmurit. Një xhiro parash enorme, në vitet ’90, që vazhdon edhe sot me të sëmurit terminalë me kancer apo sëmundje të tjera të pashërueshme. Sidoqoftë, vetë Sandel e pranon se spekulimi me jetën është një praktikë antike, që i ka rrënjët tamam në shek XVIII, në origjinën e sigurimeve.

(La Stampa)

Data: 20 Qershor 2013 15:48
Autori: GazetaExpress

Të tjera