Kthehu lart

Nuk është problemi tek autoritarizmi

GazetaExpress E shtune, 10 Prill 2010 11:03

Autoritarizmi në Shqipëri është problem që ka të bëjë me mënyrën se si ushtrohet pushteti. Problemi është me personalizimin e pushtetit. Dhe shembulli më i mirë i këtij fenomeni janë partitë politike, që janë njehsuar me liderin dhe ku mungojnë forumet, institucionet, hapësirat për diskutim, debat, për pjesëmarrje dhe kontroll demokratik

Blendi Kajsiu

Janë të shumtë analistët, gazetarët, politikanët, por edhe diplomatët ndërkombëtarë, që e identifikojnë autoritarizimin si problemin themelor të demokracisë Shqiptare. Të gjitha figurat kryesore politike të tranzicionit tonë janë akuzuar për autoritarizëm gjatë ushtrimit të pushtetit. Edhe sot një nga akuzat më të forta që i bëhet Berishës është se ai i ka vënë përfund institucionet e pavarura të shtetit dhe e gjithë qeverisja është njehsuar me vullnetin e tij, duke e kthyer Shqipërinë në njëfarë Saligradi, po të përdorim një shprehje të Mjaftit. Sipas këtyre zërave, në analizën e fundit i bie që fati i çdo qytetari shqiptar tashmë është në duart e Saliut. Po a është sot problemi themelor i shtetit shqiptar, fakti se pushteti është i centralizuar në një palë duar? Që shteti shqiptar nuk funksionon mirë në shumë hallka të tij është një konstatim për të cilin mund të biem dakord mjaft lehtë. Por që shteti shqiptar nuk funksionon mirë sepse e ka shtënë në dorë Saliu është një konkluzion, sa i thjeshtë aq edhe i gabuar.

Është e vërtetë që Berisha dhe pushteti aktual janë përplasur me institucionet e pavarura, si Prokuroria apo Gjyqësori dhe madje kanë dalë të fituar në këtë përplasje. Ama fakti që ekzekutivi ka arritur t’i vendosë kufijtë hapësirës së hetimit dhe gjykimit, përkatësisht të prokurorisë dhe gjykatës, nuk do të thotë se sot prokuroria dhe sistemi gjyqësor janë në dorë të Berishës. Ndonëse me ndryshimet kushtetuese, e bëra nga çifti Rama-Berisha, një ditë diçka e tillë mund të ndodhë. Po kështu fakti që Berisha arrin të kufizojë pushtetin e Bashkisë së Tiranës nuk do të thotë se Bashkia kontrollohet nga Berisha. Madje edhe në bashkitë e PD-së, kontrolli i ekzekutivit nuk është total pasi në fund të fundit kryebashkiakët janë të zgjedhur direkt nga elektorati dhe për pasojë gëzojnë një legjitimitet që buron pjesërisht jashtë partisë. Ndaj nëse flasim për pushtetin vendor, kontrolli i ekzekutivit mbi të është ose inekzistent, në rastin e bashkive socialiste, ose jo total në rastin e bashkive demokrate. Pra pushteti vendor, që është një hapësirë e rëndësishme e shtetit shqiptar, nuk mund të thuhet se kontrollohet nga një palë duar të ekzekutivit edhe pse shpesh kufizohet prej tyre.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për pushtete joshtetërore si ai mediatik. Është e vështirë të thuhet sot se pushteti qendror, Berisha apo edhe Rama kontrollojnë ndonjë media. As Tv “Klan”, as “Top Channel”, apo “Vizion Plus” nuk janë nën kontrollin e Berishës apo Ramës, edhe pse u shërbejnë atyre. Kompleksi mediatiko-politiko-biznes është një kompleks me axhendën e tij, shpesh i mbyllur dhe manipulues, por ai nuk ka lidhje me autoritarizmin. Marrëdhënia media-politikë nuk është një marrëdhënie subordinimi, por përdorimi të ndërsjellë. Të shikosh sot Berishën apo Ramën si maskarenjtë autoritarë, që përdorin median, do të thotë të shikosh vetëm njërën anë të ekuacionit dhe të injorosh mënyrën se si mediat private përdorin Berishën dhe Ramën, apo këdo politikan të radhës në pushtet.

Për më tepër, është vështirë të imagjinosh një sistem politik autoritar si ky i yni, ku media, analistët dhe gazetarët gjithë ditën kritikojnë dhe denoncojnë ekzekutivin dhe kreun e tij. Ku televizionet dhe mediat kryesore janë në një pjesë të mirë kundër pushtetit ekzekutiv. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se media shqiptare nuk ka probleme me pushtetin, apo se ky i fundit nuk ushtron presion. Ama të thuash që media është viktimë e autoritarizmit do të thotë të injorosh pavarësinë, autonominë dhe pushtetin e mediave sot në Shqipëri. Do të thotë të injorosh edhe mënyrën se si shpesh me këtë pushtet abuzohet. Por nëse autoritarizmi nuk përbën problemin themelor të shtetit apo politikës sonë, aq më pak mund të themi se ai përbën problemin themelor për shoqërinë. Kjo nuk do të thotë se mes pushtetit nga njëra anë dhe qytetarit shqiptar nga ana tjetër, nuk ka probleme. Ky i fundit vuan dhe sorollatet jo pak në zyrat e pushtetit, ku po nuk pate lidhjet e duhura, nuk mbaron punë kollaj. Por ideja se fati i qytetarëve shqiptarë është në duart e Saliut apo të ekzekutivit, është një hiperbolizim i pasaktë, për faktin e thjeshtë se fati i shumicës së qytetarëve shqiptarë ka pak ose aspak lidhje me shtetin shqiptar në përgjithësi. Shumica e qytetarëve shqiptarë punësimin, lekët dhe mbijetesën e sigurojnë me forcat e veta, në një sistem ku shteti nuk u jep ndonjë dorë. Në këtë aspekt, shumicës së qytetarëve shqiptarë nuk ua ndjen shumë as për shtetin as për Saliun, edhe pse këtë të fundit mediat ia përplasin përditë në surrat.

Në këtë pikë, dikush me të drejtë mund të shtrojë argumentin se autoritarizmi në Shqipëri është problem që ka të bëjë me mënyrën se si ushtrohet pushteti. Problemi është me ‘stilin e lidershipit’. Me autoritarizëm nënkuptohet pushteti që ushtrohet në mënyrë të personalizuar, duke shpërfillur institucionet, ligjin dhe normat demokratike. Problemi është me personalizimin e pushtetit. Dhe shembulli më i mirë i këtij fenomeni janë partitë politike, që janë njehsuar me liderin dhe ku mungojnë forumet, institucionet, hapësirat për diskutim, debat, për pjesëmarrje dhe kontroll demokratik. Kështu, nëse PD-ja prej kohësh është njehsuar me Berishën, PS-ja gjithnjë e më tepër po njehsohet me Ramën.

Ndërkohë, i ashtuquajturi “mendimi ndryshe” ka pak ose aspak hapësirë, ndërsa për kontroll ligjor, statutor apo demokratik të lidershipit nga baza, as që nuk bëhet fjalë.

Problemi është se njehsimi i partisë me liderin buron nga fakti që shoqëria shqiptare është tejet e fragmentarizuar si pasojë e një modeli zhvillimi, që nuk stimulon krijimin e grupeve të gjera të interesit apo shtresave të gjera sociale. Hapja totale e ekonomisë sonë, tërheqja e thellë e shtetit nga ekonomia, mungesa e politikave sociale dhe zhvillimore dhe de-ideologjizimi i politikës, kanë prodhuar një strukturë sociale tejet të fragmentarizuar, ku mungojnë grupime apo shtresime të gjera shoqërore dhe ku secili përqendrohet tek përfitimi i ngushtë vetjak (këtë aspekt e kemi trajtuar më gjerë tek dy artikuj të mëparshëm, me titullin “Kriza Jonë”).

Në këto kushte, partitë politike shqiptare nga struktura ideologjike, apo përfaqësuese të shtresave të caktuara sociale, janë kthyer në struktura klienteliste, që në vend të nevojave sektoriale, kënaqin nevoja individuale apo klanore. Diku premtohet një urë, diku një rrugë, diku ca vende pune e diku një tender, sipas interesave të zonës, fshatit, apo biznesit ku kërkohet vota apo leku për fushatë.

Për pasojë, ajo që e mban bashkë partinë nuk është ideologjia, programi, apo interesi i përgjithshëm i ndonjë grupi apo shtrese sociale që ajo përfaqëson. Është dëshira për pushtet, që materializohet te vetë lideri. Ky i fundit bëhet pika ku takohen, përplasen, balancohen dhe ngjizen multipliciteti i interesave brenda dhe rreth partisë, të cilat janë të lidhura direkt me të dhe jo të ndërmjetësuara nëpërmjet forumeve apo grupeve të interesit brenda partisë (lideri nuk takon përfaqësues gazetarësh, biznesesh apo punëtorësh, por gazetarë, biznesmenë dhe punëtorë të veçantë, secili me hallet dhe interesat e veta).

Për klientelën brenda dhe rreth partisë, legjitimiteti i liderit nuk buron nga ideologjia apo programi që ai përfaqëson, por nga vetë pushteti që ai zotëron si pasojë e të qenurit lider i partisë. Në momentin që pushteti dhe legjitimiteti njehsohen te lideri si individ, ushtrimi i pushtetit nuk mund të jetë veçse i personalizuar, ose i quajtur ndryshe, autoritarist. Ama ky është shkaku fundor i një sërë pasojash më themelore. Ndaj të thuash që problemi me partitë shqiptare është autoritarizmi i liderëve, do të thotë t’i mëshosh pasojës, duke injoruar shkakun. Demokracia në Shqipëri çalon jo sepse pushteti ushtrohet në mënyrë autoritariste, por pushteti ushtrohet në mënyrë autoritare, sepse demokracia jonë çalon. Dhe këtu nuk kemi të bëjmë me lojë fjalësh, por me një marrëdhënie thelbësore shkak– pasojë. Dështimi i demokracisë sonë buron nga vetë mënyra se si është strukturuar dhe funksionon shoqëria shqiptare sot.

Një strukturim, që e bën e bën të pakuptimtë organizmin demokratik të procesit politik. Në kushtet kur partitë janë kthyer në struktura klienteliste, demokracia e brendshme ka humbur kuptimin. Demokraci e brendshme do të thotë një hapësirë për shprehjen e “mendimit ndryshe”. Po çfarë mendimi ndryshe ka sot brenda partive shqiptare? Në cilën nga partitë tona sot ka përplasje mes rrymave me ide të ndryshme për qeverisjen apo orientimin e partisë (siç ndodhte para vitit 1997 si brenda PD-së, edhe brenda PS-së)? Përplasja madhore që ndodh sot brenda partive është mes interesave dhe jo mes mendimeve të ndryshme.

Është një përplasje që ka në qendër luftën për pushtet dhe jo debatin se çfarë duhet bërë me pushtetin. Kur përplasja politike reduktohet thjesht te lufta për pushtet, rotacioni prodhon një klasë të re politike, që shpesh është më e keqe se e vjetra (mjafton të krahasosh Ramën me Nanon për t’u bindur në lidhje më këtë, apo të rinjtë që kanë hyrë në politikë me të vjetërit që kanë dalë prej saj). Prandaj, theksi që i vihet autoritarizmit si problem madhor i skenës sonë politike injoron faktorët e thellë strukturorë (të jashtëm dhe të brendshëm), që kanë deformuar demokracinë shqiptare, duke u marrë me persona të veçantë. Injoron diversitetin e interesave të shumta mediatike, politike dhe ekonomike, që përplasen sot mes njëri-tjetrit dhe mënyrën se si këto interesa i shërbejnë njëri-tjetrit. Në këtë sistem askush nuk ka në dorë pultin e kontrollit.

Natyrisht, dikush si Berisha, në cilësinë e kryeministrit, ka më shumë pushtet dhe kontroll, por edhe ky është një pushtet që ka limitet e veta. Sado e cuditëshme që mund t’i duket ndokujt, edhe pushteti i Berishës është i kufizuar nga një mijë fije balancash, interesash dhe klientelash që ai duhet të kënaqë për të ndenjur në pushtet. Pa përmendur këtu faktorin e jashtëm. Denoncimi i autoritarizmit si alfa dhe omega e problemeve të demokracisë shqiptare do të thotë ta reduktosh këtë realitet kompleks tek sjellja e një apo dy politikanëve, duke injoruar faktorët që e prodhojnë atë. Arsyet se përse ndodh dicka e tillë do t’i shtjellojmë në vijim në artikullin e rradhës me titull: “Po pse flitet kaq shumë për autoritarizmin shqiptar?

Data: 10 Prill 2010 11:03
Autori: GazetaExpress

Të tjera