Kthehu lart

Nuk e lejojmë njohjen

Nuk e lejojmë njohjen
GazetaExpress E premte, 04 Janar 2013 14:20

Milorad Dodik ka thënë se Republika Srpska nuk do ta lejojë asnjëherë që Bosnja e Hercegovina ta njohë pavarësinë. Sipas tij, Banja Lluka tashmë u ka rezistuar me sukses presioneve të forta për njohjen e Kosovës.

Presidenti i Republika Srpska, Milorad Dodik, ka deklaruar se nuk ka presione të tilla ndaj të cilave Qeveria në Banja Llukë do të lejojë që Bosnja dhe Hercegovina ta pranojë Kosovën.

"Ne i kemi mbijetuar këto presione, e ato ishin shumë të forta. Unë kam qenë i ballafaquar me presionet që në euforinë e njohjeve që edhe Bosnja ta njohë Kosovën. Që Bosnja e Hercegovina të pranojë diçka duhet të pyetet Republika Srpska, e Republika Srpska nuk e jep miratimin dhe nuk do ta japë kurrë. Jemi në një situatë absurde të tillë sa na akuzojnë për ndarje e Republika Srspka e ne themi se nuk lejojmë separatizmin në shtetet siç është Serbia”, ka thënë Dodiku për “Tanjug”.

Sipas tij, Kosova “me dhunën e faktorëve ndërkombëtarë është rrëmbyer nga Serbia”.

“Dhe kështu është shkelur ligji ndërkombëtar dhe është poshtëruar Serbia dhe i gjithë populli serb”, ka thënë Dodik.

"Ne e ndjekim Serbinë dhe këtyre në Sarajevë u çohen flokët përpjetë kur themi se e ndjekim Serbinë. Ne asgjë nuk do të bëjmë, as nuk do të japim kontribut jashtë asaj që paraqet politika zyrtare e Serbisë”, ka shtuar ai.

Megjithatë, Dodiku ka thënë se ai personalisht, në kërkim të zgjidhjes do të nisej nga ajo se Kosova, sado e rëndësishme, nuk duhet ta robërojë Serbinë në dekadat që vijnë dhe se zgjidhja duhet të jetë afatgjatë.

"Askush nuk e përmend faktin se për të riintegruar Kosovën brenda Serbisë, në sistemin politik do të ktheheshin shqiptarët që ndoshta do të kishin grupin më kompakt parlamentar në Kuvendin e Serbisë, e shqiptarët, sipas parimit të kushtetutshmërisë, që duhet t’u njihet, do të kërkonin një nga tri funksionet kryesore. Kjo do të thotë që në Parlament duhet ta fusni shkrimin dhe gjuhën shqipe si zyrtare”, shpjegon Dodik.

Ai përsëriti se do të ishte mirë që Veriu i Kosovës t’i bashkohet Serbisë, ndërsa shton se në Kosovë është e pamundur të ketë shoqëri multietnike.

Data: 04 Janar 2013 14:20
Autori: GazetaExpress

Të tjera