Kthehu lart

Një monument për të rënët e të përndjekurit

Një monument për të rënët e të përndjekurit
GazetaExpress E shtune, 17 Gusht 2013 09:56

Nis vendosja e monumentit të të rënëve dhe të përndjekurve në anën lindore të Sahatit përgjatë murit të Kalasë së qytetit të Elbasanit. Një grup punonjësish, nën drejtimin e skulptorit, kanë vendosur pjesët e mermerit që përbëjnë monumentin e parë të këtij lloji që vendoset në Elbasan. Vepra e skulptorit të njohur Vladimir Caridha që përfaqëson “Kryqëzimin e kokës” (një kokë nën hekura të shpërthyer nga mendimi), do të jetë rreth 3.5 metra e lartë dhe 2.80 e gjerë.

Autori thotë se vepra vjen si një evokim i surrealizmit komunist dhe simbolikës së lirisë për qindra mijë persona që u përballën me përndjekjen, burgosjen, torturat dhe vrasjen gjatë viteve të errëta të komunizmit. Kjo vepër ka kushtuar 4 milionë lekë dhe ka filluar puna për vendosjen e saj përgjatë murit të Kalasë së qytetit. Kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini, shprehet se synimi i tij si drejtues i qytetit është ta bëjë historinë të flasë përmes veprave të artit.

“Ne jemi duke vendosur një përmendore, e cila shpreh më së miri, jo thjesht kujtimin e të rënëve, jo thjesht kujtimin e të persekutuarve, por shpreh faktin që pavarësisht se u rrëmbye liria, pavarësisht se u rrëmbye jeta e lirë, mendimi i lirë, trurin nuk mundi dot njeri ta ndalë duke shpërthyer me simbolikën e këtij monumenti”.

Ky monument u realizua pasi u konsultua edhe me grupet e interesit që zgjodhën këtë version të monumentit. Ky monument vendoset pas atij të Lef Nosit dhe memorialit të Arsimit në qytetin e Elbasanit. Autori Caridha ka realizuar gjithashtu një skulpturë kushtuar popullsisë çame me elementë nga masakra kundër kësaj popullsie. Gjithashtu është parashikuar që në lulishten përgjatë murit të kalasë të vendosen edhe buste të tjera njerëzish të shquar në Elbasan.

Data: 17 Gusht 2013 09:56
Autori: GazetaExpress

Të tjera